Në 21 komuna të Kosovës sot zhvillohet rundi i dytë i zgjedhjeve lokale të 17 tetorit. Numri i qytetarëve me të drejtë vote në këto 21 komuna është 1 milion e 260 mijë e 571 votues. Komunat ku do të mbahen zgjedhjet për balotazh janë: Prishtina, Prizreni, Gjakova, Gjilani, Podujeva, Kamenica, Drenasi, Dragashi, Istogu, Kaçaniku, Klina, Fushë-Kosova, Obiliqi, Rahoveci, Shtimja, Vitia, Vushtrria, Malisheva, Juniku, Mamusha dhe Kllokoti.
Për personat me aftësi të kufizuara mbetet sfidë pjesëmarrja në zgjedhje
Kryetari i HANDIKOS-it, Afrim Maliqi dhe përfaqësuesi i Shoqatës së të Verbërve, Bekim Krasniqi, kanë deklaruar se personat me aftësi të kufizuara e kanë sfidë të madhe pjesëmarrjen në procesin zgjedhor.
Ata thanë se infrastruktura nuk është e duhura për lehtësim të pjesëmarrjes në votim dhe se Kosova është larg përmbushjes se të drejtave për personat me aftësi të kufizuara.
“Personat me aftësi të kufizuar duan të jenë të barabartë, ata e kanë të pamundur të marrin pjesë në zgjedhje. Në Kosovë vlerësohet nga OBSH-ja se mund të jenë rreth 15 për qind e popullatës me çfarëdo kufizimi, përfshirë edhe të moshuarit”, ka deklaruar Maliqi.
Përfaqësuesi i të Verbërve, Bekim Krasniqi, theksoi se nga 2009-ta, KQZ-ja ka aplikuar mjetet ndihmëse për personat e verbër, përmes alfabetit Brail.
“Deri në 2009-n kam votuar me asistencë të dikujt, ndërsa ky lloj shablloni e ka bërë të pavarur votimin dhe e ruan konfidencialitetin e votës”, deklaroi ai.
Maliqi ka përmendur se shtatë persona deri më tani e kanë paditur shtetin për diskriminim ndaj personave me aftësi të kufizuar, mirëpo sipas tij, ende nuk ka vendim për shkak të procesit të ngadaltë gjyqësor.
21 raste të dyshimta për keqpërdorim gjatë procesit zgjedhor
Policia e Kosovës ka njoftuar se deri në ora 16:00 janë pranuar 21 raste të ndryshme, prej tyre: 7 raste të grumbullimit në afërsi të qendrave të votimit, 5 fotografim të votës, 2 blerje të votës, 1 kanosje, 1 bezdisje e qytetarëve, 1 ndërhyrje në votim, 1 fjalosje në qendër të votimit, 1 falsifikim i dokumentit të bexhit, 1 person i dehur në qendër të votimit dhe 1 rast i mosmarrëveshjes në qendër të votimit.
Sipas një komunikate drejtuar mediave, Policia njofton se tri raste janë hapur, 1 në Junik, 1 në Pejë dhe 1 në Vushtrri.
“Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive të saja ligjore në mënyrë profesionale karshi qytetarëve dhe vendit. Andaj, Policia e Kosovës, inkurajon të gjithë qytetarët që të bashkëpunojnë me Policinë e Kosovës dhe njëherit të raportojnë për çdo rast të kundërligjshëm që ndërlidhet me sigurinë dhe procesin zgjedhor, apo edhe jashtë tyre”, thuhet në njoftimin policor.
16:16 - Në Prishtinë, deri në orën 15:00 votuan mbi 53 mijë qytetarë
53 mijë e 205 është numri i qytetarëve që kanë shfrytëzuar të drejtën për votë në Prishtinë deri në orën 15:00, sipas të dhënave zyrtare të KQZ-së për rundin e balotazhit.
Kjo paraqet rënie prej 2500 votash në krahasim me rundin e parë, për të njëjtën periudhë kohore.
15:49 - Në Gjakovë deri në ora 15:00 ka votuar 21.51 për qind e trupës votuese
Rexhep Krasniqi
Deri në ora 15:00 në Komunën e Gjakovës kanë votuar 24 mijë e 337 votuesë, apo 21.51 për qind e trupës votuese të kësaj komune.
Kështu ka bërë me dije për KOHËN Amir Rexhaj kryesues i Komisionit Komunal Zgjedhor të Gjakovës.
Krahasuar me të njëjtën periudhë kohore të raundit të parë që u mbajt më 17 tetor është rreth 3 për qind më pak. Rexhaj ka bërë me dije se më 17 tetor përqindja e daljes në zgjedhje deri në ora 15:00 ka qenë 24.31 për qind.
13:36 - Votojnë kandidatët për kryetar të Rahovecit
Rexhep Krasniqi
Kanë votuar të dy kandidatët për kryetar të Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi i AAK-së dhe Visar Korenica i Vetëvendosjes.
Latifi dhe Korenica të dy kanë qenë të shoqëruar nga familjarët.
"Ardhmërinë e keni në një të rënë lapsi. Vendimi juaj përcakton rrugën që duhet ndjekur drejt zhvillimit. Ditë më të mira e presin Rahovecin. Shfrytëzojeni të drejtën tuaj: votoni !", ka qenë mesazhi i Latifit pasi ka votuar në vendlindjen e tij në Ratkoc, në qendrën e votimit të vendosur në shkollën "Katër Dëshmorët".
"Sot është dita kur përcaktohet fati dhe kahja në të cilën po shkon komuna jonë. Ftoj qytetarët e komunës së Rahovecit që të dalin dhe të shfrytëzojnë të drejtën e tyre të votës me përgjegjësi të madhe për demokracinë dhe komunën në të cilën do jetojnë fëmijët tanë", ishte mesazhi i Korenicës, pas votimit në qendrën e votimit të vendosur në shkollën e mesme "Xhelal Hajda-Toni" në Rahovec.

13:11- Konjufca voton: Në mbrëmje secili ta pranojë rezultatin e zgjedhjeve
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka votuar në Fakultetin e Edukimit.
Konjufca ka thënë pas votimit se të gjithë qytetarët e Kosovës në komunat ku po votohet, duhet të dalin në mënyrë sa më masive.
Sipas tij, është e rëndësishme që procesi zgjedhor të shkojë mbarë e mirë dhe në mbrëmje secili ta pranojë rezultatin.
“Sapo e shfrytëzova të drejtën demokratike e qytetare për të votuar. Kështu duhet të bëjnë të gjithë qytetarët e Kosovës, në mënyrë sa më masive meqenëse sot është vendimi për t’i zgjedhur kryetarët e komunave anë e mbanë Kosovës. Në këtë pjesë të balotazhit do të zgjedhën edhe më shumë kryetar të komunave se në rundin e parë. Urojmë që procesi zgjedhor të shkojë mbarë e mirë, të mos ketë parregullsi, të përmbyllet në mbrëmje në mënyrë të ndershme e fer e që pastaj në mbrëmje secili ta pranojë rezultatin e zgjedhjeve”, është shprehur Konjufca.
12:31 - Voton Kastrati: Subjektet politike po qëndrojnë afër shkollave
Kandidati për kryetar të Kamenicës, Qëndron Kastrati ka votuar në qendrën me të madhe të votimit, në shkollën "Ismail Qemali".
Qëndron Kastrati nga Partia Social Demokrate u bëri thirrje qytetarëve që të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës, në mënyrë që pjesëmarrja e lartë të vendos demokracinë.
"Unë i ftoj sot të gjithë qytetarët që të dalin në mënyrë sa më masovike në zgjedhje. Më me rëndësi se kush po fiton është pjesëmarrja në zgjedhje dhe kur është pjesëmarrja e lartë fiton demokracia domosdoshmërish. Unë i ftoj qytetarët që të dalin sa më shumë në zgjedhje edhe në këtë kohë që ka mbetur dhe të dëshmojmë që edhe për Kosovë edhe për Ballkan jemi një vend model se sa mirë e organizojmë procesin zgjedhor", ka theksuar ai.
Derisa është pyetur për parregullsitë, Kastrati tha se ka subjekte politike të cilat po qëndrojnë pranë qendrave të votimit.
"Janë këto ekipet e kolegëve dhe pak sa jam i informuar ka prezencë afër shkollave të subjekteve politike por është një çështje me të cilën ende janë duke u marrë, ende nuk po mundem me konsideruar që ka një parregullsi që do të ndikonte në rezultatin e zgjedhjeve", ka shtuar ai.
Në Kamenicë të drejtë vote kanë mbi 35 mijë qytetarë në 28 qendra të votimit.

12:21 - Limaj: Shpresoj që në mbrëmje te kemi kryetarë me energji pozitive
Kryetari i NISMA-s, Fatmir Limaj, ka thënë se sot është një rast i mirë për secilin për të dalë në zgjedhje dhe për të zgjedhur të preferuarin e tyre.
Limaj pasi ka hedhur votën e tij në shkollën fillore “Faik Konica” në Prishtinë, ka thënë se shpreson që në mbrëmje secila komunë të ketë kryetarë më energji pozitive.
“Ditë e mirë sot, një rast i mirë për çdo qytetar për të dalë të zgjedhur të preferuarin e tyre. A ka më mirë se në këtë ditë me diell e në këtë ditë të mirë, të nxjerrën njerëzit me vullnet të mirë e me energji pozitive. Shpresoj që në mbrëmje do t’i kemi kryetarët me energji pozitive e që do të reflektojnë pozitivitet e do të ndriçojnë në shërbim të njerëzve aty ku zgjidhen”, ka thënë Limaj.

12:11 - Voton Osmani: Sot përcaktohet fati i komunave
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka votuar në Fakultetin Teknik.
Osmani ka thënë me këtë rast se sot është një ditë e rëndësishme e cila e përcakton fatin e komunave ku jeton secili qytetar i Kosovës.
“E dimë të gjithë që detyrimi qytetar për të kontribuuar në demokracinë e vendit tonë nuk ka përfunduar më 17 tetor, sot është një ditë po aq e rëndësishme e cila e përcakton fatin e komunave ku secili prej jush dhe nesh jeton. Prandaj është shumë me rëndësi që qytetarët t’i përgjigjen këtij detyrimi qytetar në mënyrë që nesër pasnesër të kenë më shumë të drejta dhe kualitet më të madh të jetës në komunat ku ata jetojnë”, ka thënë Osmani.
Ajo ka shtuar se shpreson që të ketë pjesëmarrje aktive të qytetarëve dhe që të ketë një proces pa asnjë incident.
11:26 - Në një qendër votimi në Kllokot pati tentim të fotografimit të votës
Në qendrën e votimit “Sveti Sava” në Kllokot ka pasur tentim për të fotografuar votën, ka njoftuar KTV.
Qytetari është ndaluar nga komisionerët që i kanë thënë se është e ndaluar.
Procesi në Kllokot po ecë mirë, por ka pasur disa mangësi të vogla.
Kllokoti është komunë që është themeluar 11 vjet më parë.
Në këtë komunë në balotazh është Vladan Bogdnoviq i Listës Serbe dhe Strahinja Spasiq i Harmonisë Popullore Serbe.
Kllokoti është komuna e vetme me shumicë serbe që në raundin e parë nuk ka zgjedh kryetarin.
11:25 - Bulliqi: Sot një ditë e veçantë për qytetarët e Llapit dhe Gollakut
Kryetari aktual i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka thënë se shpreson që qytetarët të dalin në mënyrë masive për të votuar.
Bulliqi, që është kandidat i Vetëvendosjes për kryetar të Podujevës, në balotazh është përballë Ekrem Hysenit të LDK-së.
“Çdo gjë duket në rregull dhe mendoj se sot është një ditë e veçantë për qytetarët e Llapit dhe Gollakut, një ditë me diell e cila sigurisht se do t’u sjellë të parin e tyre i cili do të udhëheqë për katër vjetët e ardhshëm. Shpresojmë shumë dhe dëshirojmë që qytetarët të përgjigjen masivisht në këto zgjedhje”, ka thënë Bulliqi pasi ka votuar.

11:22 - Voton edhe Xhafer Tahiri
Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Xhafer Tahiri u është drejtuar kutive të votimit për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale.
Ai u bëri thirrje të gjithë qytetarëve që të dalin për të votuar.

11:20 - Hyseni i bën thirrje qytetarëve të dalin sa më shumë në votim
Kandidati i LDK-së për kryetar të Podujevës, Ekrem Hyseni, u ka bërë thirrje qytetarëve të dalin sa më shumë të votojnë.
Këto komente, Hyseni i bëri pasi ushtroi të drejtën e tij për votë.

11:20 - Gjini fton qytetarët ta shfrytëzojnë të drejtën për të votuar
Kryetari aktual dhe kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) për kryetar të Gjakovës, Ardian Gjini, i ka ftuar qytetarët e kësaj komune që të dalin dhe të shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të votuar.
Gjini pasi votoi në shkollën "Mustafa Bakija", tha se sot kur edhe po mbahet raundi i dytë i zgjedhjeve lokale, është një ditë e mirë dhe se i gjithë procesi thekson se do të përmbyllet si është më së miri.
"Sot është ditë e posaçme për Gjakovën, është dita kur votojmë në raundin e dytë, unë e përfundova obligimin tim me familje. Shpresojmë që të gjithë qytetarët e Gjakovës ta kryejnë obligimin e vet, ta ushtrojnë atë të drejtë për të votuar. Është një ditë e mirë dhe do ta përmbyllim ashtu siç është më së miri", tha Gjini.
Gjini është në garë me kandidaten e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila.
Kujtojmë që në zgjedhjet lokale, në raundin e parë që u mbajtën me 17 tetor, Ardian Gjini fitoi 47.76 përqind të votave, kurse Kusari-Lila fitoi 37.20 përqind të votave.
Në Gjakovë të drejtë vote për të zgjedhur të parin e komunës kanë 113 mijë e 165 qytetarë. Në këtë komunë janë 34 qendra të votimit me gjithsej 139 vendvotime.

11:19 - Voton Krasniqi: Shpresoj të jetë një ditë e shkëlqyer për demokracinë
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka hedhur votën në shkollën fillore “Hasan Prishtina” në Prishtinë.
Krasniqi ka thënë pas votimit, ka thënë se është obligim i secilit qytetar që të dal në zgjedhje, për të vendosur se kush do t’i udhëheq në 4 vitet e ardhshme.
“Edhe sot në këtë rund të dytë bashkë me Melizën votuam në Prishtinë sepse besojmë që është obligim i të gjithëve dhe pavarësisht kush e ka vazhduar garën, mendoj që qytetarët duhet të dalin në mënyrë masive dhe të japin verdiktin se kush të udhëheq në 4 vitet e ardhshme. Është një ditë e bukur, edhe pse jemi në vjeshtë dhe shpresoj që të jetë një ditë e shkëlqyeshme edhe për demokracinë në Kosovë. Shpresoj që do të kemi institucione lokale funksionale që do të bëjnë më të mirën për qytetarët tanë”, ka thënë Krasniqi.
10:50 - Voton Kurti: Sot po përmbyllet një vit i suksesshëm elektoral në Kosovë
Kryeministri I Kosovës, Albin Kurti, ka votuar në Fakultetin Ekonomik, në Prishtinë.
Kurti ka thënë pas votimit se komuna është shumë e rëndësishme, prandaj i ka inkurajuar të gjithë qytetarët me të drejtë vote që ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre.
“Komuna është shumë e rëndësishme, në njërën anë është publikja e lagjes e na anën tjetër është qeliza e Republikës. Andaj i inkurajoj të gjithë qytetarët me të drejtë vote që ta shfrytëzojnë mundësinë, ta përdorin këtë rast dhe të përcaktohen për veten e tyre nëpërmjet udhëheqësve që do të zgjedhin sot. Pjesëmarrja sa më masive është e pritshme, mekanizmat shtetërore do të kujdesën për mbarëvajtjen e procesit”, ka thënë Kurti.
Sipas tij, sot po përmbyllet një vit i suksesshëm elektoral në Kosovë.
“Sot mund të themi që po e përmbyllim një vit të suksesshëm dhe të mirë elektoral i cili nisi me zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit, vazhdoi me zgjedhjet lokale të 17 tetorit dhe sot e kemi balotazhin. Republika e Kosovës e ka dëshmuar se është një shtet demokratik, në të cilin respektohen të drejtat e të gjithë qytetarëve të cilët në mënyrë të lirë dhe të ndershme, zgjedhin ata të cilët do të zgjedhin në vijim për neve”, ka shtuar ai.
I pyetur nëse do të mbështesë kryetarët e zgjedhur të komunave në balotazh, pavarësisht se cilit subjekt politik i takojnë, Kurti ka thënë se sot flasin vetëm qytetarët.
“Dje kishim heshtje zgjedhore, sot flasin qytetarët”, është shprehur Kurti.
10:39 - Voton Sokol Haliti
Ka votuar kandidati i LDK-së për kryetar të Vitisë, Sokol Haliti, duke shprehur keqardhje që sipas tij gjatë ditës se djeshme është thyer heshtja zgjedhore.
Në fund shtoi se pret të dalin edhe më shumë qytetarë për votim dhe se pret nga qytetarët ta bëjnë zgjedhjen më të mirë.

10:37 - Totaj shpreson në proces demokratik dhe transparent
Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të Prizreni , Shaqir Totaj pasi ka ushtruar të drejtën e votës, kërkoi që ky raundin i dytë i zgjedhjeve lokale të jetë transparent dhe demokratik.
Totaj u shoqëruar nga bashkëshortja e tij theksoi se pret edhe pjesëmarrje të mjaftueshme të prizrenasve në këto zgjedhje.
“Dolëm për të ushtuar të drejtën dhe obligim qytetar për të votuar. Uroj dhe thërras që të jetë një proces transparent të jetë një proces demokratik, pa incidente dhe skandale sepse qyteti i Prizrenit të jap një mesazh të tregoj se dimë të jemi tolerant dhe demokratik dhe natyrisht pres që kjo kohë e mirë që duket gjatë ditës në mbrëmje të jetë akoma më e mirë dhe mendoj që procesi të jetë i qetë dhe transparent duket se çdo gjë po shkon në rregull. Pres një numër të madh të votues ndoshta jo sa raundin e parë por të mjaftueshëm për të dal secili për të dhënë preferencën e tij për atë që mendon që është më i miri”, tha ai./KSP
10:22 - Haziri: Shfrytëzojeni këtë ditë për të projektuar katërvjeçarin e ardhshëm
Kandidati i LDK-së për Gjilanin, Lutfi Haziri, ka apeluar te të gjithë gjilanasit që ta shfrytëzojnë këtë ditë për të projektuar katërvjeçarin e ardhshëm.
“Ftoj gjithë gjilanasit që të ndajnë pak kohë, në këtë ditë të bardhë nëntori, të dalin të votojnë dhe ta përmbyllin procesin e pushtetit lokal. Apeli është që shfrytëzoni këtë ditë për të projektuar katërvjeçarin e ardhshëm”, u shpreh kryetar aktual i Gjilanit pas votimit.
10:20 - Kusari-Lila: Qytetarët e kanë mundësinë sot të flasin
Kandidatja e LVV-së për kryetare të Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila, ka votuar në shkollën “Yll Morina” në Gjakovë.
Kusari-Lila i ka falënderuar të gjithë për bashkëpunimit gjatë procesit për zgjedhjet lokale.
Ajo u ka bërë thirrje qytetarëve të Gjakovës, që pa dallim të dalin në votime.
“Faleminderit për bashkëpunimin gjatë gjithë këtyre dy muaj e gjysmë. Sot është një ditë e bukur për demokracinë, sot është triumfi për demokracinë. Zgjedhjet në Republikën e Kosovës e kanë një rëndësi të veçantë për faktin se të gjithë qytetarët e kanë mundësinë sot të flasin dhe të japin verdiktin e tyre për gjithë çfarë ne kemi prezantuar në fushatë parazgjedhore. Ka qenë një fushatë e mbarë, uroj edhe kjo ditë të përmbyllet me sukses. Ftoj të gjithë qytetarët e Gjakovës që pa dallim të dalin dhe të votojnë”, ka thënë Kusari-Lila.
10:16 - Haskuka fton qytetarët të votojnë: Është një ditë për 4 vjet
Kryetari aktual i Prizrenit, Mytaher Haskuka, ka ftuar qytetarët që të dalin të votojnë në balotazh.
Haskuka nga radhët e Vetëvendosjes është në balotazh me Shaqir Totajn e PDK-së. Pasi ka ushtruar të drejtën e votimit, ai u ka bërë thirrje qytetarëve të votojnë.
“Sapo votova. Është një ditë për 4 vjet, qytetarët duhet të dalin të votojnë. Vota me një aspekt është besimi i qytetarëve për punën e bërë dhe punën që presin. Shpresoj çdo qytetar ta përdorë të drejtën e votës. Mendoj se çdo gjë po shkon mirë, koha është e mirë. Ftoj qytetarët të dalin masovikisht”, ka thënë Haskuka.
10:12 - Haradinaj pas votimit: Duke mos votuar ndëshkojmë veten
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka hedhur votën e tij në shkollën e mesme të Mjekësisë “Ali Sokoli” në Prishtinë.
Haradinaj i ka lutur qytetarët që të dalin të votojnë, duke thënë se rundi i dytë i zgjedhjeve nuk është më pak i rëndësishëm se i pari.
“Ushtruam të drejtën tonë të votës, i lus qytetarët që të votojnë gjithë, rundi i dytë nuk është më pak i rëndësishëm se rundi i parë. Duke mos votuar ndëshkojmë vetën pasi gjatë katër viteve që vijnë jetojmë me rezultatin, me nivelin, me kualitetin e jetës ose të qeverisjes që ka ndikim direkt në jetën tonë. Pra ju lutem votoni të gjithë”, ka thënë Haradinaj.
10:07 - Voton Lumir Abdixhiku
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka votuar në shkollën fillore “Faik Konica” në kryeqytet.
Nga aty, Abdixhiku ka thënë se kjo ditë është festë për Kosovën, që ka ndërtuar një standard të tillë demokratik.
“Sot është ditë e veçantë për të gjithë, për Kosovën, është për demokracinë, është festë. Dua t’i falënderoj ekipin e KQZ-së që mundëson zgjedhje të lira dhe demokratike. Dua t’i falënderoj edhe qytetarët për një proces demokratik. Në këtë standard të ndërtuar demokratik, fitues janë të gjithë, fitues është Kosova”, deklaroi ai.
10:01 - Voton kandidati i LDK-së në Istog, Ilir Ferati
Kandidati për kryetar nga LDK-ja për Istogun, Ilir Ferati, ka ushtruar të drejtën e tij për të votuar.
Ferati i ka ftuar të gjithë qytetarët që të dalin të votojnë.

09:40 - Voton kandidati i VV-së për Viti, Arsim Ademi
Ka votuar kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Vitisë, Arsim Ademi.
Ademi i shoqëruar nga bashkëshortja e tij ka votuar.
Ai ka bërë thirrje që të dalin qytetarët për të votuar e të shfrytëzojnë të drejtën e votës.
Ndërsa sa i përket procedurës së votimit, ka thënë se çdo gjë ka shkuar në rregull.

09:15 - Voton Arben Vitia: Dita e zgjedhjeve, një ditë thelbësore për demokracinë
Kandidati për kryetar të Prishtinës në balotazh, Arben Vitia, ka votuar në shkollën e mesme të mjekësisë “Ali Sokoli” në Prishtinë.
Vitia pas votimit ka thënë se dita e zgjedhjeve është një ditë thelbësore për demokracinë dhe shtetin e Kosovës.
Ai ka bërë thirrje që të dalin të gjithë masivisht për votim.
“Sapo e shfrytëzova të drejtën e votës në shkollën Ali Sokoloi. Dita e zgjedhjeve është një ditë thelbësore për demokracinë dhe shtetin tonë, sot vendoset fati i kryeqytetit tonë ndaj është shumë e rëndësishme që secili dhe secila të marrin pjesë në këtë proces të votimit. Masivisht të gjithë bashkëqytetarët tanë të dalin në zgjedhje dhe ta forcojmë demokracinë e të japim shembullin e demokracisë ashtu siç kemi dhënë në këto vitet e kaluara”, ka thënë Vitia.
09:12 - Voton Përparim Rama, fton qytetarët të votojnë
Kandidati i LDK-së për kryetar të Prishtinës, Përparim Rama, ka votuar në Fakultetin Ekonomik në Prishtinë.
Rama në balotazh gjendet me kandidatin e Vetëvendosjes, Arben Vitia.
“Votova në këtë ditë të nëntori, ditë fantastike me diel, ditë e mrekullueshme për Prishtinë. Kohëra të mira të bukura për gjithë qytetarët e Prishtinës po vijnë. Ftojë gjithë qytetarët e Prishtinës të dalin të votojnë, të shfrytëzojnë këtë rast për transmformimin e bukur të qytetit”, ka thënë Rama.

09:03 - Voton Alban Hyseni
Kandidati i VV-së për Gjilanin, Alban Hyseni, ka ushtruar të drejtën e tij për të votuar.
Ai ishte i shoqëruar nga bashkëshortja e tij.

08:41 - Voton Burim Berisha
Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Fushë-Kosovës, Burim Berisha, ka votuar në shkollën fillore të mesme të ulët “Bajram Curri”, në Sllatinë të madhe.
Kryetari aktual i Fushë-Kosovës, Burim Berisha, tha se sot pret të jetë një proces zgjedhor demokratik dhe pa ndërhyrje.
“Do jetë një proces demokratik, do jetë një proces pa ndërhyrje, kështu na takon të bëjmë të gjithë, të mos bëjmë siç kanë bërë dje disa dhe ditëve të tjera ajo është që e do ky vend... besoj qytetarët do vendosin”, theksoi ai.
Berisha tha se që 20 vjet voton vetëm, teksa familjarët e tij votojnë më vonë.

08:30 - Qytetari me Sindromin Down nga Istogu pret që kryetari i ardhshëm t’ia realizojë ëndrrën
Fitim Mehmetaj, i prekur me Sindromin Down ka votuar në qendrën më të madhe të votimit në Istog, në gjimnazin “Haxhi Zeka”.
Pas votimit, ai ka shprehur dëshirën që pas këtyre zgjedhjeve të ketë mundësinë të punojë.
“Dua të punojë, si kamarier”, ka thënë ai.
08:19 - Gjilanasit presin më shumë punësim dhe investime në infrastrukturë
Banorë të këtij vendi e gjilanas nga diaspora po votojnë sot për të parin e komunës së tyre. Ata shprehen të dëshpëruar me papunësinë e madhe, infrastrukturën rrugore dhe shërbimet në shëndetësi. Nga raundi i dytë i zgjedhjeve presin ndryshim pozitiv dhe udhëheqje në shërbim të qytetarëve.
Shukri Sadiku ka ardhur nga Zvicra që të votojë, ndërsa dëshira e tij e vetme mbetet punësimi i të rinjve në Gjilan.
"Unë po pres më së shumti që rinia të punësohet, me ndreq e mos me i shti nëpër gjepa ata që janë në krye... kam ardhur ekstra me votu...krejt i mungojnë, rruga, arsimi, të gjithat. Pa rini ne nuk kemi të gjallë. Se unë që 50 vjet jam atje, prej 1971", thekson ai.
Zijadin Koka, i cili jeton në Gjilan shprehet i zhgënjyer me gjendjen në këtë komunë.
"Kemi dalë vërtetë që ta definojmë votuesin edhe presim ndryshim të madh në Gjilan. Shpresojmë një ndryshim pozitiv, pasi që edhe populli është i dëshpëruar. Kaluan disa vite nuk u bën zgjidhje, nuk po shohim përmirësim... është papunësia shumë e madhe. Infrastruktura shumë e dobët, sidomos në fshatra të Gjilanit, lumenjtë ashtu, natyra", thekson ai për KosovaPress.
Ndërsa, Mefail Limani shkurt shprehet se pritjet e tij janë që të ketë ndryshim në këtë komunë.
"Besoj që do të bëhet më mirë... veç lutem më mirë bëhet", shprehet ai.
Në Gjilan të drejtë vote kanë mbi 100 mijë qytetarë, në 34 qendra votime dhe 126 vendvotimi.
Gara e sotme zhvillohet mes Lutfi Hazirit të LDK-së dhe Alban Hysenit të LVV-së./kp

07:59 - Vetëm një i infektuar me COVID në Gjilan shpreh vullnetin të votojë
Mbi 190 gjilanasve të cilët për arsye shëndetësore dhe të tjera nuk mund të shkojnë fizikisht në qendra votimi do t’ju mundësohet të ushtrojnë të drejtën e votës falë angazhimit të shtatë ekipeve mobile. Nga pesë persona të cilët janë të infektuar me COVID-19, vetëm një person ka shprehur dëshirën që të votojë.
Kryesuesi komunal zgjedhor, Ferid Shabani thotë për KosovaPress se procesi i votimit ka filluar në kohë në gjitha qendrat e votimit.
"Të gjitha qendrat e votimit janë raportuar se vendvotimet janë hapur pa asnjë problem. Kështu që procesi i votimit tani veç ka filluar", thotë ai për KosovaPress.
Në Gjilan të drejtë vote kanë mbi 100 mijë qytetarë, ndërkaq janë shtatë ekipe mobile të cilat do t’u mundësojnë qytetarëve gjatë ditës së sotme të votojnë nga shtëpia dhe spitali.
"I kemi shtatë ekipe mobile të cilat të ofrojnë 195 votuesve të cilët për shkaqe shëndetësore dhe arsyeje të tjera nuk mund të dalin nga shtëpia për të votuar dhe u është mundësuar që e drejta e tyre e votës përmes ekipeve mobile... nga pesë persona të cilët janë të infektuar me COVID, dëshirën për të votuar e ka shprehur vetëm një person", shton ai.
Ai ka konfirmuar se menaxherët e shkollave nuk kanë të drejtë prononcimi për media, gjë që është ndaluar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Në komunën e Gjilanit janë 34 qendra të votimit në 126 vendvotime./kp
07:49 - Votimi në Podujevë nis pa ndonjë problem, qytetarët presin ndryshime
Në orën 07:00 është hapur Qendra më e madhe e votimit, në shkollën “Isa Boletini” në Podujevë.
Menaxheri i kësaj qendre Fehmi Zeqiri tha se me kohë është hapur Qendra e Votimit “Isa Boletini”, ku të drejt vote në këtë qendër kanë afër 13 mijë qytetarë.
“Ne ndodhemi në vendvotimin 1824e, përgatitjet e i kemi bërë me kohë dhe tashmë veç paralajmëruam se vendvotimet janë të hapura. Në këtë qendër votimi të drejtë vote kanë afër 13 mijë qytetarë në 15 vendvotime. Konsiderohet njëra ndër qendrat më të mëdha në komunën e Podujevës”, tha ai.
Qytetari Liridon Dema i cili ishte ndër votuesit e parë në këtë qendër pret ndryshime nga këto zgjedhje.
“Presim ndryshimin e madh pas 20 vjetëve në Podujevë që besojmë të ndodhë sot”, tha ai.
Edhe Isuf Bilalli pret që fituesi i këtyre zgjedhjeve të punon për qytetarët.
“Ne presim të gjitha të mirat. Kjo ditë është ditë e shenjt, lusim Zotin të fitojë me i miri. Ajo çka është në interes të popullit, klasës së ulët jo klasës së lartë. Besojmë që do të gjejmë atë që shërben për popull”, tha ai.
Në Podujevë të drejt vote kanë 83 mijë e 562 qytetarë, ndërsa numri i qendrave të votimit është 45 me 111 vendvotime.
Në Llap për raundin e dytë në balotazh garojnë dy kandidatë për kryetar të Podujevës, Ekrem Hyseni nga LDK-ja dhe Shpejtim Bulliqi nga Vetëvendosje. Në raundin e parë Hyseni i LDK-së ka qenë në epërsi me vota./kp

07:07 - Hapen qendrat e votimit
Janë hapur të gjitha qendra e votimit në 21 komunat ku do të ketë balotazh.