Arbëri

Kosova, vendi i vetëm në rajon pa rezerva ari

Në institucione nuk tregojnë nëse kanë ndonjë plan që Banka Qendrore e Kosovës të deponojë rezerva të këtilla. E profesorë të ekonomisë tregojnë se çmimi i arit rritet sa herë ka kriza ekonomike globale dhe se në situata të tilla rezervat shërbejnë për ta mirëmbajtur stabilitetin financiar

Rezervat e arit janë të nevojshme në kohë krizash për të menaxhuar situatat e vështira financiare, thonë profesorë universitarë të ekonomisë.

Por, Kosova nuk e ka si rezervë as edhe një gram ar apo ndonjë metal tjetër të çmueshëm.

“Banka Qendrore e Republikës së Kosovës për momentin nuk mban në portofolin e saj rezerva ndërkombëtare në ar dhe metale të tjera të çmuara”, ka thënë Kushtrim Ahmeti, zëdhënës i BQK-së.

Tek flasin për rëndësinë e rezervës së arit, profesorë të ekonomisë tregojnë se çmimi i tij rritet sa herë ka kriza ekonomike globale dhe se në situata të tilla rezervat shërbejnë për ta mirëmbajtur stabilitetin financiar.

“Zakonisht çmimi i arit ngrihet në periudha të krizave ekonomike apo tensionimeve politike dhe ushtarake qysh është rasti i fundit me krizën ukrainase. Ndërkaq në kohën e qetësisë dhe tejkalimin e krizës ekonomike, sipas historisë, çmimi i arit fillon të bjerë, sepse shumë shtete shesin ari apo zvogëlojnë kërkesën për të blerë ari”, ka thënë Mejdi Bektashi, profesor i ekonomisë në Universitetin e Prishtinës.

“Në situata krizash zakonisht vjen deri te luhatja në tregun e letrave me vlerë dhe tregjet financiare, e ari natyrisht në kohë krizash gjithmonë është një mall që dikur ka shërbyer edhe si para”, ka shtuar Sejdi Rexhepi, po ashtu profesor i ekonomisë në Universitetin e Prishtinës.

Ai thekson se Banka Qendrore e Kosovës nuk ka pasur asnjë pengesë që të blejë ndonjë sasi të arit.

“Ekziston një dispozitë që tregon se Banka Qendrore mund të menaxhojë rezerva, por nuk e përcakton në mënyrë decidive sa duhet të jenë këto rezerva të arit”, tha ai.

Planifikimet për blerjen e sasive të metaleve të çmueshme janë kompetencë e Ministrisë së Financave, por në këtë institucion nuk iu përgjigjen pyetjeve të KOHËS në lidhje me planet potenciale për të siguruar të tilla rezerva.

Kosova është vendi i vetëm në rajon që nuk ka rezerva të arit. Ky metal shërben si garanci për marrje të huave ndërkombëtare, si dhe për mirëmbajtjen e stabilitetit financiar.