Arbëri

Kosova ua ndan përvojën deminueseve ukrainase

Stasija, sikurse i referohen trajnerët shqiptarë të deminimit në hyrje të Pejës, u bë pjesë e programit për shkak se në Ukrainë po kërkohen ekspertë deminues. Dhe në Kosovë, pos ekspertizës, po mëson edhe për historitë e vendësve. “Ka shumë njerëz që kanë rrëfyer të kaluarën e tyre në luftë dhe pata rastin që nga ta të merrja këshilla vërtetë të vlefshme për jetën dhe kjo më ka ndihmuar shumë, sepse ju vërtet e keni mbijetuar luftën dhe ju e kuptoni se kurrë nuk duhet të lejohet të përsëritet dhe kjo është ideja që mbisundon edhe në Ukrainë”, thekson Anastasia Minchukova

Anastasia Minchukova ka ardhur në Kosovë për t’u trajnuar për asgjësimin e mjeteve të pashpërthyera të luftës në Ukrainë. Ajo është njëra prej grupit të parë prej tetë ukrainaseve që janë trajnuar nga MAT Kosova, pjesë e grupit të kompanive me seli në Maltë, PCM.

Stasija, sikurse i referohen trajnerët shqiptarë të deminimit në hyrje të Pejës, u bë pjesë e programit për shkak se në Ukrainë po kërkohen njerëz për deminim. Dhe në Kosovë, pos ekspertizës, po mëson edhe për historitë e vendësve për luftën e Kosovës.

“Ka shumë njerëz që kanë rrëfyer të kaluarën e tyre në luftë dhe pata rastin që nga ta të merrja këshilla vërtet të vlefshme për jetën dhe kjo më ka ndihmuar shumë, sepse ju vërtet e keni mbijetuar luftën dhe ju e kuptoni se kurrë nuk duhet të lejohet të përsëritet dhe kjo është ideja që mbisundon edhe në Ukrainë”, thekson Minchukova.

“Dhe, po, kur e dini se ka njerëz që bashkëndiejnë dhimbjen tonë, që e dinë si ndihemi, pavarësisht se sa e tmerrshme mund të tingëllojë, është mirë që ke një njeri para vetes që e di fort mirë se për çfarë po flisni.

Image

Me mendje në Ukrainë

Linguistja mendjen e ka gjithnjë në Ukrainë.

“Ta rrezikosh jetën tënde është diçka kurthuese, sepse gjatë kohës sa jam në Ukrainë, rrezikoj jetën time përditë, apo jo, dhe ka shumë ushtarë që po rrezikojnë jetën e tyre gjithashtu. Dhe ata nuk frikësohen prej asgjëje. Ata janë të gatshëm të vdesin për vendin e tyre, familjet e tyre dhe për mbarë bashkatdhetarët e tyre”, thekson ajo në njërën prej pjesëve të qendrës, ku kryhen trajnimet në qytetin perëndimor të Kosovës. “Andaj, çfarë ndryshoj unë? A pse jam grua? Në rregull, e kuptoj këtë. Por vetëm se edhe unë kam dëshirën e njëjtë që ta ndihmoj vendin dhe pikë”.

Ukraina në luftë ka nisur të heqë minat pas tërheqjes së trupave ruse nga veriu i vendit, por sfidë më e madhe do të jetë asgjësimi i mjeteve të pashpërthyera të artilerisë së rëndë ruse. Dështimi i sulmeve tokësore ka shtyrë Rusinë të përqendrohet në bombardime ajrore.

Ekspertët ndërkombëtarë e shqiptarë të MAT Kosovës kanë përvojë të gjatë në deminim në dhjetëra shtete gjatë e pas luftërave e konflikteve.

Ben Remfrey, drejtor menaxhues dhe themelues i PCM-së, ka punuar në deminim në Kosovë prej përfundimit të luftës, për të vazhduar pastaj me hapjen e MAT Kosova. Ish-ushtaraku i nderuar nga Mbretëria e Bashkuar, thotë se qendra trajnon fillestarë e ekspertë të deminimit.

“Ne e themeluam kompaninë në Kosovë, për shkak se kishte shumë vjet që po bënim pastrim të minave dhe për shkak se kishim personel të jashtëzakonshëm vendës, andaj ia vlente të kryenim trajnime këtu”, thekson ai. “Dhe kur ne e themeluam qendrën këtu, shumë kosovarë të punësuar këtu ishin kthyer në ekspertë të asgjësimit të mjeteve të pashpërthyera dhe shumë prej tyre udhëtuan me ne nëpër botë, duke shpërndarë lajme të mira, trajnuar njerëz dhe ne kemi trajnuar njerëz nga së paku shtatëdhjetë shtet”.

Misionarët e Kosovës nëpër botë

Si pjesë e njësisë speciale të Ushtrisë jugosllave gjatë shërbimit ushtarak në gjysmën e dytë të viteve tetëdhjetë, pejani Idriz Kuqi, pasluftës, iu bashkua organizatave ndërkombëtare për pastrimin e fushave të minuara. Ai ka qëndruar me misione trajnimi në shumë shtete të botës si ekspert i avancuar i deminimit.

Edhe gjakovari Hekuran Dula që nga viti 1999, pos punës në Kosovë, ka punuar gjithashtu në misione në Kamboxhia, Sri-Lankë dhe Kolumbi.

Britaniku Stuart Burgess ishte në misione paqeruajtëse në Bosnjë dhe Afganistan, por shumë miq i kishin rrëfyer për sakrificat e popullit shqiptar dhe sfidat e misionit britanik të NATO-s në Kosovën e lirë.

“Është sfidë dhe e kisha qëllim të mësoja për vendin dhe të kuptoja si jetojnë njerëzit dhe në fakt edhe takova disa njerëz dhe ata t’i hapin sytë. Ne në Britani jemi të privilegjuarit, por kur të vini të shihni si njerëzit jetojnë dhe punojnë, ju në të vërtetë i respektoni se si punojnë dhe i ndihmoni sa më mirë që mundeni dhe këtë e kemi bërë përditë, me mendje e zemër”, thekson Burgess.

Ai nuk e ka ndërmend t’i ndahet punës për të shpëtuar jetën e njerëzve të rrezikuar nga lufta edhe pas përfundimit eventual të saj në vende të ndryshme.

Kosova si Libani

Në rrënojat e ish-fabrikës së sheqerit të Pejës, “Agro-Kos”, libanezi Hasan Selimani dhe pejani Atdhe Kuqi me Sonin, improvizojnë një operacion për kërkimin dhe asgjësimin e mjeteve të pashpërthyera. Në aksione të vërteta, vdekja vërtet ndihet më afër se këmisha, po që se nuk respektojnë rreptësishtë rregullat. Madje e shohin me sy dhe e prekin me duar.

“Unë e rrezikoj jetën me shpëtu jetën e tjetërkujt”, thekson Atdhe Kuqi në gërmadhat e fabrikës së dikurshme në periferi të Pejës.

Lidhja e tij fëmijërore me qentë ia ka lehtësuar punën me Sonin.

Hasan Sleimani, i cili ka punuar në shtete të Lindjes së Mesme dhe Afrikës Veriore në misione të ndryshme deminimi, thotë se përmbushet shpirtërisht sa herë çmonton mjete shpërthyese që do të mund të merrnin jetë njerëzish. Libanezi, i cili nisi punën në Pejë më 2017, nuk e ka pasur të vështirë të përshtatet me jetën në Kosovë.

“Në aspektin historik, ka shumëçka të përbashkët ndërmjet Libanit dhe Kosovës, nëse i referohemi kohës osmane, dhe në aspektin shoqëror është shumë e çuditshme, megjithatë këto dy vende janë dy mijë kilometra larg njëri-tjetrit, por në aspektin shoqëror, asnjëherë nuk kam pasur ndonjë sfidë ose çështje në Kosovë, sepse mendësia, mënyra e veprimit, lidhjet familjare, lidhjet shoqërore, lidhjet emocionale dhe detyrimi ndaj njëri-tjetrit janë shumë të ngjashme me Libanin”, thekson Selimani. “Andaj, menjëherë bëra shokë, të cilët u bënë si familja ime, kështu që këtu kam më shumë miq dhe familje, se sa kam në Liban”.

Qendra, pos ligjëratave, praktikës dhe akomodimit, kujdeset edhe për jetën sociale të ndjekësve të trajnimeve e trajnerëve të huaj jashtë oborrit të MAT Kosovës që ndodhet krejt afër zonës industriale të qytetit që shtrihet në këmbët e Bjeshkëve të Nemuna.

Promovimi i tërthortë

Arben Qorraj, menaxher i MAT Kosovës, thotë se qendra ka plane të veçanta për promovimin e vlerave natyrore dhe kulturore të Kosovës në mesin e ndërkombëtarëve.

Bukuritë e Pejës, austriakut Karl Strobl ia kujtojnë peizazhin e alpeve të vendlindjes.

“Duket paksa panoramë austriake, ose së paku mua ma kujton vendlindjen, por edhe ka shumë gjëra të tjera që më kujtojnë vendlindjen, qoftë Greqinë sa i përket muzikës dhe ushqimit, qoftë Austrinë me muzikën dhe peizazhin”, thekson Strobl, shef i operacioneve dhe partner themelues. “Dhe sa i përket rajonit, Kosova është vend shumë mikpritës, popull shumë mikpritës”.

Pengesat e vonesat burokratike të institucioneve shtetërore e private përbëjnë sfidë të vazhdueshme për menaxhmentin e qendrës. Strobl është habitur se pse shoqëria kosovare dhe institucionet veçanërisht nuk dinë më shumë për kompaninë me qendër në Pejë, ku çdo vit trajnohen qindra ndërkombëtarë që pastaj i përvilen punës së rrezikshme për shpëtimin e jetës në dhjetëra vende të botës.

“Ne bashkëpunojmë me MAT Kosovën prej vitit 2015 dhe vij e shkoj herë pas here këtu dhe në fillim çfarë përnjëmend më tronditi ishte se kjo qendër është më e njohur jashtë se brenda, madje edhe këtu në Pejë, por veçanërisht në Kosovë në përgjithësi”, thekson Strobl. “Por mendoj se Kosova duhet të jetë më krenare me këtë qendër, sesa thjesht vetëm ta dijë se ndodhet këtu. Është paksa turp”.

Kosova, e cila është nën ombrellën e sigurisë së NATO-s, ende konsumon siguri ndërkombëtare, vlerësohet në raportet e fundit të Aleancës Veriatlantike.

“Kosova nuk është vetëm konsumuese e sigurisë, por edhe eksportojmë siguri” me trajnimin e deminuesve të dhjetëra shteteve”, thekson Idriq Kuqi.

Dhe në kohën kur Kosova po mundohet të kthejë vëmendjen e botës, menaxheri i MAT Kosovës, thotë se rrëfimi i tyre i suksesit duhet të mbështetet edhe nga institucionet qendrore.

Në këtë qendër dhe në terrene malore, trajnime e demonstrime të përbashkëta janë kryer edhe me KFOR-in e FSK-në.

“E dua Kosovën”

Trajnerët dhe studentët e kësaj qendre ofrojnë siguri në vendet e tyre e të tjerat në luftëra. Anastasia mendjen e ka në Ukrainën, ku kolegët e saj po asgjësojnë mina e bomba të pashpërthyera nën kërcënimin e vazhdueshme të bombarduesve rusë nga qielli. Stasia, sikurse i referohet stafi shqiptar, do t’i jetë përgjithmonë mirënjohëse Kosovës për ekspertizën dhe për mbështetjen për ukrainasit në luftë.

“Oh, çfarë kam mësuar?!” – thotë ukrainasja Anastasia Minchukova në anglisht.

“Kjo është çfarë kam mësuar dhe ende po mundohem. Jam munduar shumë që ta mbaj mend shprehjen ‘E dua Kosovën’”, i drejtohet Qorrajt për ta konfirmuar se e ka shqiptuar drejt. “Si e thoni?”

Asnjë natë nuk e ka bërë gjumin rehat me mendjen te familja në Ukrainë. Por është kthyer me bindjen e plotë se kthimi i paqes nuk do të mbetet vetëm ëndërr. Do t’u bashkohet shumë bashkatdhetarëve që tashmë po rrezikojnë jetën e tyre duke e shpëtuar jetën e të tjerëve.