Arbëri

Kosova thotë se ka kapacitet për të burgosurit e Danimarkës, përfitimet shkojnë për energji

Alban Muriqi, këshilltar në Ministrinë e Drejtësisë, ka thënë se Kosova ka kapacitet për të pritur të burgosurit nga Danimarka, sipas marrëveshjes që kanë arritur të dy shtetet.

Danimarka do t’i dërgojë 300 të burgosur në Kosovë, në një periudhë prej 10 vjetësh, duke ndarë për këtë marrëveshje rreth 210 milionë euro. Nga to, sipas Muriqit, rreth 60 milionë euro do të shkojnë për energjinë e ripërtërishme dhe për përmirësim të sistemit të drejtësisë.

Ai ka bërë të ditur se marrëveshja është diskutuar qe disa vite, por është shtyrë përpara dhe finalizuar nga Qeveria Kurti.

Sipas tij, Danimarka ka probleme me kapacitete dhe demotivim të stafit për punën e burgjeve.

“Kjo është marrëveshje bilaterale, mes dy shteteve. Ne përfitojmë në kundërvlerë milionëshe financiare, donacione e ata se i largojnë për një kohë një numër të caktuar të të dënuarve dhe zgjidhin e problemit të mbipopullimit. Kosova fiton 210 milionë euro në emër të sundimit të ligjit. 60 milionë euro për 10 vite do të shkojnë në energjinë e ripërtërishme. I dimë kapacitet tona. S’po bëhet fjalë për mbipopullim. Kemi të lira rreth 700 vende. Ata kanë ardhur disa herë dhe i kanë studiuar kapacitetet dhe mundësitë tona”, ka thënë ai.

Sipas tij, përderisa në Kosovë shpenzohen 28 deri 30 euro në ditë për gjithçka që ka nevojë një i burgosur, në Danimarkë dita kushton rreth 280 euro.

Gjithçka do të funksionojë nën sistemin danez e do të ketë edhe drejtor nga Danimarka.

Grupi i parë i të burgosurve pritet të vijë kah mesi i vitit të ardhshëm.

Ndërkaq, ish-drejtor i Burgjeve të Kosovës, Sokol Zogaj, ka thënë se stafi në burgjet e Kosovës ka mundësi të punojë me të burgosur me rrezikshmëri shumë të lartë, pasi siç ka thënë, ai është i trajnuar në vende të ndryshme të botës.

Zogaj po ashtu ka thënë se burgjet e Kosovës kanë kapacitet për vendosjen e 800 vetave.

“Kemi burgje, mbi 800 veta ka mundësi të vendosen jo vetëm në Gjilan por edhe në Burgun e Sigurisë së Lartë, ka vend mjaftueshëm, në Lipjan në Dubravë e në vende të tjera. Edhe sa i përket stafit, kanë qenë 1,300 oficerë. Stafi është i trajnuar në të gjitha vendet e Evropës e madje edhe në SHBA. Kapacitetet që i kemi ne në burgjet e Kosovës, ata janë në gjendje të punojnë edhe me të burgosur me rrezikshmëri shumë të lartë dhe jo me rrezikshmëri të mesme”, ka thënë Zogaj.