Arbëri

Kosova synon të mësojë për lirinë e informacionit nga 14 shtete

Agjencia për Informim dhe Privatësi

Kosova po synon të forcojë kapacitetet e institucioneve sa i përket lirisë së informacionin, duke mësuar nga 14 shtete. 

Agjencia për Informim dhe Privatësi ka njoftuar se për herë të parë në Kosovë ka filluar punimet Punëtoria Ndërkombëtare për Lirinë e Informacionit, ku mblidhen ekspertë e përfaqësues të Autoriteteve për Qasje në Dokumente Publike dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale nga Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Austria, Zvicra, Portugalia, Spanja, Skocia, Zyra e Avokatit të Popullit Evropian, Kroacia, Hungaria, Sllovenia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria. 

“Pjesëmarrësit do të shkëmbejnë përvoja dhe praktika më të mira, duke theksuar rëndësinë e transparencës në shpenzimin e parasë publike dhe prokurimin publik, sekretet afaristë dhe çështjet e pronësisë intelektuale”, thuhet në njoftimin e AIP-së. 

Kjo punëtori thuhet se ka për qëllim forcimin e kapaciteteve të institucioneve të Kosovës, shteteve ndërkombëtare dhe të rajonit për të siguruar një qasje më të hapur dhe efikase të  informacionit dhe për të përmirësuar dhe forcuar mekanizmat  për mbrojtjen e të dhënave personale. 

“Punëtoria Ndërkombëtare për Lirinë e Informacionit shënon një ngjarje historike për promovimin e lirisë së informacionit në Kosovë dhe shkëmbimin e përvojave dhe praktikave më të mira ndërkombëtare në fushën e lirisë së informacionit që do të shërbejnë në forcimin e transparencës dhe llogaridhënies së Institucioneve Publike në Republikën e Kosovës”, thuhet tutje në njoftim.