Shefat e shteteve dhe të qeverive të Bashkimit Evropian e konkretizuan nisjen e negociatave të anëtarësimit me Bosnjë-Hercegovinën në Samitin e Brukselit që përfundoi sot. Me këtë, Kosova mbetet shteti i vetëm në të gjithë kontinentin e Evropës që ka aplikuar për anëtarësim në BE, por që Këshilli ende nuk e ka miratuar vendimin për të kërkuar nga Komisioni nisjen e procedurës
Në Bruksel ka përfunduar Samiti dyditësh i shefave të shteteve apo qeverive të BE-së, në të cilin janë diskutuar tema të ndryshme, përfshirë edhe procesin e zgjerimit.
Por vendimi i vetëm konkret sa i përket zgjerimit ka qenë ai që të nisin negociatat e anëtarësimit me Bosnjë-Hercegovinën. Ishte ky një vendim historik, i cili dëshmoi se kur një vend kandidat i përmbush kriteret që kërkohen, atëherë edhe Bashkimi Evropian është i gatshëm që të marrë vendime pozitive. Kështu kanë thënë shumë liderë të BE-së pas këtij vendimi.
Mirëpo nisja e negociatave të anëtarësimit me Bosnjë-Hercegovinën është kushtëzuar me ndërmarrjen e disa hapave konkretë lidhur me përmbushjen e kritereve për të përpiluar kornizën negociuese.
Pa përpilimin dhe miratimin në Këshill të kornizës negociuese nuk mund të hapen negociatat.
Sa i përket zgjerimit është diskutuar edhe për reformat e brendshme, të cilat duhet t’i kryejë Bashkimi Evropian në mënyrë që të bëhet gati për të pranuar anëtarë të rinj. Për këtë, edhe Komisioni Evropian para tri ditësh ka miratuar një dokument, në të cilin flitet se cilat reforma mund të zhvillohen në BE e cilat në vendet kandidate. Po ashtu është analizuar edhe ndikimi eventual financiar që mund të ketë zgjerimi për Bashkimin Evropian.
Gjithsesi, edhe liderët kanë përsëritur se zgjerimi i BE-së është investim në paqe dhe stabilitet në Evropë dhe se është një proces me rëndësi gjeopolitike.
Por nuk ka pasur vendime konkrete sa i përket nisjes së negociatave të anëtarësimit me Ukrainën dhe me Moldavinë, dy vende këto për të cilat nisja e negociatave ishte vendosur qysh në samitin e dhjetorit, por nuk ka pajtim akoma për miratimin e kornizës negociuese dhe për nisjen konkrete dhe formale të negociatave.
Në këtë mënyrë, në procesin e zgjerimit tash ndodhen dhjetë vende, nëntë prej të cilave kanë statusin e kandidatit. Vetëm Kosova vazhdon të mbetet shteti i vetëm në Ballkanin Perëndimor dhe në tërë kontinentin e Evropës që ka aplikuar për anëtarësim në BE, por akoma Këshilli nuk e ka miratuar vendimin për të kërkuar nga Komisioni nisjen e procedurës.
Në BE nuk dëshirojnë të flasin për ndonjë afat se kur mund të ndodhë ndonjë lëvizje sa i përket aplikimit të Kosovës, por thonë se kjo do të varet, mes tjerash, edhe nga rrjedha e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.