Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën

Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) e ka shpallur shtetasin serb dhe drejtorin e Telekom Serbia, Vladimir Luçiq, person të padëshirueshëm (non grata), duke i ndaluar përgjithmonë hyrjen, kalimin transit dhe qëndrimin në territorin e Republikës së Kosovës.

Sipas vendimit të Ministrisë të premten, të siguruar nga KOHA, Luçiqi është ndaluar për shkak të deklaratave të tij publike, të cilat përbëjnë kërcënim për sovranitetin, integritetin territorial dhe rendin kushtetues të Kosovës.

Në arsyetimin e vendimit thuhet se ai, përmes deklaratave publike, ka promovuar dhe mbështetur politika e aktivitete që sfidojnë kompetencat sovrane të institucioneve të Kosovës në sektorë me rëndësi strategjike, përfshirë komunikimet elektronike dhe infrastrukturën e telekomunikacionit.

Po ashtu, MPB-ja ka vlerësuar se Luçiqi ka propaganduar kundër sovranitetit dhe rendit kushtetues të Kosovës, ndërsa “deklaratat e tij përbëjnë kërcënim për vendin duke nxitur gjuhë të urrejtjes dhe destabilizim”.

Këtë javë, mediat serbe raportuan se Luçiqi kishte njoftuar hapjen e gjashtë objekteve të reja të Telekom Serbia në Kosovë, si dhe investime të reja për përmirësimin e rrjetit të telefonisë fikse në zonat e banuara me serbë. Ai kishte deklaruar se fillimisht do të ndërtohen dy objekte në Partesh, afër Gjilanit, të cilat do të shërbejnë si zyra dhe objekte telekomunikacioni, ndërsa një tjetër ishte planifikuar në Pasjan. Luçiqi vazhdimisht ka shprehur pretendime se Kosova është territor i Serbisë. 

Sveçla për Luçiqin “non grata”: Nuk tolerojmë veprime apo deklarime kundër rendit tonë kushtetues

1 j. më parë / 7 gus 2026 18:48
Xhelal Svecla

Photo: Driton Paçarada

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se Kosova nuk do të lejojë hyrjen në territor të saj, të askujt që vepron apo deklarohet kundër rendit kushtetues, sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës.

Tek ka publikuar vendimin për shpalljen “non grata” të drejtorit të Telekomit të Serbisë, Sveçla ka thënë se nuk do të lejohen politika që e vënë në pikëpyetje shtetësinë e Republikës.

“Askush nuk mund të hyjë në territorin e Republikës së Kosovës dhe nga këtu, të veprojë apo të deklarohet kundër rendit tonë kushtetues, sovranitetit dhe integritetit territorial. Nuk do të tolerojmë promovimin apo mbështetjen e politikave që cenojnë autoritetin e institucioneve tona dhe vënë në pikëpyetje shtetësinë e Republikës së Kosovës. Për këtë arsye, bazuar në deklaratat publike të shefit të Telekomit të Serbisë, Vladimir Lučić, kam marrë vendim që ai të shpallet person i padëshirueshëm (non grata) në Republikën e Kosovës, me ndalim të përhershëm të hyrjes, qëndrimit dhe kalimit transit në territorin e Republikës së Kosovës. Republika e Kosovës është shtet i pavarur dhe sovran. Institucionet tona do të vazhdojnë të mbrojnë me vendosmëri rendin kushtetues, sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit”, ka shkruar Sveçla në Facebook.