Arbëri

Kosova shënon Ditën e Kushtetutës

kushtetuta

Më 9 prill 2008 ishte miratuar Kushtetuta e Republikës së Kosovës. Ajo hyri në fuqi më 15 qershor të po atij viti.

Si akti më i lartë juridik, ky dokument garanton të drejtat dhe liritë themelore të të gjithë qytetarëve të shtetit.

Pjesa më e madhe e Kushtetutës rrjedh nga Plani i Ahtisaarit dhe u ofron të drejta specifike grupeve minoritare.

“Ne, Populli i Kosovës, të vendosur për të ndërtuar një ardhmëri të Kosovës si një vend i lirë, demokratik dhe paqedashës, i cili do të jetë atdhe i të gjithë qytetarëve të vet; Të përkushtuar për krijimin e një shteti të qytetarëve të barabartë, i cili do të garantojë të drejtat e secilit qytetar, liritë qytetare dhe barazinë e të gjithë qytetarëve para ligjit; Të zotuar që Kosova të jetë shtet i mirëqenies ekonomike dhe i prosperitetit social; Të sigurt që shteti i Kosovës do të kontribuojë në stabilitetin e rajonit dhe të mbarë Evropës, duke krijuar marrëdhënie të fqinjësisë dhe të bashkëpunimit të mirë me të gjitha shtetet fqinje; Të bindur që shteti i Kosovës do të jetë anëtar i denjë i familjes së shteteve paqedashëse në Botë; Me synimin që shteti i Kosovës të përfshihet në proceset integruese Euro-Atlantike; Në mënyrë solemne, miratojmë Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, thuhet në preambulë të Kushtetutës së Kosovës.

Kushtetuta e Kosovës ka 14 kapituj dhe 162 nene.

Në përkufizim të shtetit ajo thekson se Republika e Kosovës është shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik dhe i pandashëm dhe se s’ka pretendime territoriale ndaj asnjë shteti apo pjese të ndonjë shteti dhe nuk do të kërkojë të bashkohet me asnjë shtet apo pjesë të ndonjë shteti.

Që nga 2008-a kjo ditë shënohet si festë zyrtare në Kosovë.

Presidentja: Kushtetuta është kontrata jonë e përbashkët për një shoqëri demokratike, të drejtë dhe të barabartë

Në 17-vjetorin e Kushtetutës, presidentja Vjosa Osmani ka thënë se ajo është kontrata e përbashkët për shoqëri demokratike, të drejtë dhe të barabartë.

“Sot, shënojmë një nga momentet më të rëndësishme në historinë shtetërore të Kosovës, miratimin e Kushtetutës sonë, që më 9 prill 2008 i vuri themelet juridike dhe institucionale shtetit tonë të pavarur. Kushtetuta është kontrata jonë e përbashkët për një shoqëri demokratike, të  drejtë dhe të barabartë. Ajo garanton liritë dhe të drejtat themelore të çdo qytetari, pa dallim etnie, gjinie apo përkatësie, duke vendosur sundimin e ligjit si themel të funksionimit të institucioneve. Në këtë ditë, riafirmojmë përkushtimin tonë për ta mbrojtur Kushtetutën, për ta zbatuar me përpikëri, dhe për ta jetësuar në çdo vendim, politikë e veprim. Sepse vetëm përmes forcimit të sundimit të ligjit dhe respektimit të rendit kushtetues, mund të ndërtojmë një shtet që i shërben qytetarëve të vet me dinjitet dhe drejtësi”, ka thënë ajo me këtë rast. “Një shtet që i përmbahet dhe e respekton germën dhe frymën e Kushtetutës është garantues i një të ardhme të sigurt dhe të drejtë për të gjithë qytetarët e tij”.