Kufiri Shqipëri-Kosovë është identifikuar si rrugë kalimi e marihuanës për në Bashkim Evropian si dhe rrugë për kalimin e heroinës nga Turqia për në vendet e BE-së.
Raporti i ri nga rrjeti i Iniciativës Globale Kundër Krimit të Organizuar Ndërkombëtar ka treguar për shtim të veprimtarisë së grupeve kriminale në rajon me trafikimin e azilkërkuesve dhe drogave si dhe me pastrimin e parave përmes ndërtimit dhe lojërave të fatit. Raporti përshkruan rrugët e trafikimit të drogës dhe emigrantëve përmes Ballkanit Perëndimor dhe hedh dritë mbi çmimet dhe fitimet e këtyre veprimtarive të paligjshme, si dhe mbi pastrimin e parave.
Sipas raportit, një pjesë e kanabisit shqiptar shkon në Turqi dhe në vende të BE-së përmes Kosovës.
“Nga Shqipëria, droga kalon në Kukës ose Prizren, drejt Ferizajt e Gjilanit në Kosovë për të kaluar në Serbi, ku sërish paguhen kufitarët me shuma të mëdha eurosh. Një tjetër rrugë me rëndësi e drogave është Pejë – Rozhaje drejt Novi Pazarit”, pohojnë autorët e raportit.
Por kufiri Shqipëri-Kosovë është identifikuar edhe si zonë e kalimit të heroinës nga Turqia për në vendet e BE-së përmes portit të Durrësit.
Heroina vjen në rajon nga Turqia, thuhet në raport, ndërsa në Shqipëri hyn nga Kukësi përmes Kosovës e shkon drejt Durrësit, thekson raporti i Rrjetit “Iniciativa Globale Kundër Krimit të Organizuar Ndërkombëtar”.
Një rrugë tjetër e heroinës, sipas autorëve, është Shkodra dhe përmes Hanit të Hotit shkon në Mal të Zi, e në disa raste heroina shkëmbehet me kanabis.
“Elbasani është një qendër kyçe e shkëmbimeve lindje-perëndim të opiumit dhe heroinës, pasi gjendet në rrugën kryesore midis bregdetit shqiptar, Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut”, thekson raporti.
Kokaina është po ashtu e pranishme në rajon, thuhet në raport, kryesisht e sjellë me anijet që vijnë në portet e Shqipërisë dhe Malit të Zi nga Amerika Latine me fruta. Raporti thekson se është rritur po ashtu prodhimi dhe përdorimi i drogave sintetike në rajon.
“Shumë nga zonat e nxehta të krimit janë rajonet kufitare midis shteteve, ku zhvillohen një seri veprimtarish kriminale, por aty, përveç kanabisit, ndodhin pak konfiskime të drogave apo arrestime të krimineleve të rëndësishëm, gjë që të shtyn të mendohet se ekziston një ombrellë mbrojtëse që sjell përfitime dhe ruan status quo-në”, thuhet në raport.
Për lëndët narkotike raporti thekson se sasitë e kultivimit të kanabisit, sidomos në mjedise të brendshme, janë rritur në Maqedoninë e Veriut, Serbi dhe Bosnje-Hercegovinë, por nuk ka shtim të kultivimit në Shqipëri. Pjesa më e madhe e kanabisit të Ballkanit Perëndimor, thuhet në raport, tani shkon drejt Bullgarisë, ndërsa kokaina lëviz drejt Kroacisë, Greqisë, Rumanisë e Bullgarisë.
Në Shqipëri kanabisi kultivohet më së shumti në malësitë e Dukagjinit dhe të Krujës, në Vlorë, Memaliaj, Tepelenë, Gjirokastër, si dhe në Fier, Librazhd, Lezhë, Mallakastër, Bulqizë, Devoll e Laç, renditin autorët. Sipas raportit, një kilogram i kanabisit shkon 1 mijë e 200 – 1400 euro, ndërsa cilësia më e lartë hibride është 1600-2000 euro. Nga Shqipëria, pohojnë autorët, kanabisi transportohet me barka nga Vlora, Fieri, Himara e Lezha drejt Italisë, ndërsa prodhimi 6-mujor i kanabisit shqiptar kushton në Itali 1800-2000 euro për kilogram. Një rrugë tjetër, sipas tyre, është nga Ohri dhe Bitola drejt Greqisë.
Kanabisi transportohet drejt Greqisë me varka, nga malet apo edhe drejt nga pikat kufitare me automjete, thuhet në raport. Kanabisi shqiptar në Greqi, sipas vëzhgimeve, është 10 për qind më i shtrenjtë se në Itali; 2000-2200 euro për kilogram, ndërsa kanabisi i rritur në mjedise të brendshme në Shqipëri atje shkon nga 2800-3200 euro për kilogram.
Trafikimi i emigrantëve
Sipas raportit, afro 50 milionë euro në vit përfitohen nga trafikimi i emigrantëve në Ballkanin Perëndimor edhe pse u bënë përpjekje për të mbyllur rrugën ballkanike pas krizës humanitare të 6 vjetëve më parë.
“Tregu i emigrantëve nëpër 6 vende të Ballkanit Perëndimor vazhdon të nxjerrë fitime për botën e krimit, por ato janë shumë në të ulëta sesa në 2015. Pandemia e COVID-19 nuk ka ndikuar ndjeshëm në ndërprerjen e këtyre flukseve të paligjshme”, thuhet në raport për trafikimin e emigrantëve.
Për Shqipërinë shifrat janë në rritje: nga 1 mijë emigrantë dhe azilkërkues që kaluan në vitin 2017, u bënë afro 6 mijë në 2018, mbi 10 mijë në 2019 dhe afro 12 mijë në 2020, thekson raporti.
Me shifra në rritje janë Shqipëria, Serbia, Maqedonia e Veriut, ndërsa Mali i Zi, Kosova dhe Bosnje-Hercegovina i kanë ulur ndjeshëm shifrat e emigrantëve nga Lindja.
Zonat më të nxehta të trafikimit njerëzor janë në jug të Shqipërisë pranë pikave kufitare si Kakavija e Kapshtica me Greqinë, për të kaluar mespërmes Shqipërisë deri në pikat kufitare veriore me Kosovën në Morinë-Vermicë dhe në Hanin e Hotit me Malin e Zi.
Emigrantët dhe azilkërkuesit transportohen brenda vendit me 50-70 euro për person në Shqipëri dhe më shumë në vende të tjera, në varësi nga kilometrat dhe rreziqet. Ndërsa kalimet e paligjshme të kufijve shkojnë nga 200 euro deri në 5 mijë euro, duke përfshirë edhe ryshfetin për zyrtarët kufitarë, thuhet në raport.
Llogaritet përafërsisht nga autorët e studimit që në kalimin e kufijve të Greqisë me Shqipërinë përfitohen nga 7.5 -11.5 milionë euro, ndërsa në kufirin greko-maqedon qarkullojnë 11.8 – 17.7 milionë euro.
Fitimet e paligjshme nga trafikimi i njerëzve dhe drogave grupet kriminale i pastrojnë më së shumti po brenda rajonit, megjithatë ato po fitojnë shuma të mëdha nga veprimtari të paligjshme edhe jashtë Ballkanit Perëndimor.
Shumat e mëdha kriminale pastrohen në sektorin e ndërtimit, pasuri të paluajtshme, lojëra fati dhe turizëm, pohojnë studiuesit, ndërsa shumat e vogla pastrohen në hotele, restorante, pastiçeri, bare dhe klube, benzinata, palestra, fruta-perime. Kjo veprimtari favorizohet edhe nga informaliteti i lartë, mbi 33 për qind, në sektorin e ekonomisë në Shqipëri.
Studimi vëren se nga 2017-a e në vazhdim po përjetohet një bum ndërtimesh dhe një kulm i ri në çmimet e pronave; nga 800 euro metri në 2017 gati dyfish, 1400 – 2000 euro në vitin 2020.
Grupet kriminale të Vlorës, thuhet në studim, po investojnë në sektorin e turizmit me hotele luksoze në bregdet, po ashtu me çmime të larta, që nuk vijnë nga ndonjë kërkesë e lartë në ekonominë reale apo nga një zhvillim i ligjshëm i sektorit. Ndërtimet bëhen me para ‘cash’ nga krimi i organizuar dhe korrupsioni, vlerësojnë ekspertët e fushës.
Gjatë vitit 2020, Instituti Shqiptar I Statistikave (INSTAT) regjistroi një kulm historik me ndërtime dhe leje ndërtimi, megjithëse ishte kulmi i pandemisë Covid-19.
Paratë e pastruara çdo vit në vendet e Ballkanit Perëndimor shkojnë deri në disa miliardë euro, thuhet në raport, pra bëhet fjalë për një kriminalitet me fitime dhe rrezikshmëri të lartë. Autorët e studimit të Rrjetit Global Initiative kanë vërejtur se autoritetet shtetërore dinë pak nga kjo fushë e gjerë kriminaliteti dhe nuk japin informacione, studimi i të cilave mund të sillte politika dhe veprimtari më të ashpër të forcave të ligjit kundër grupeve kriminale.