Kosova do të përballet në Arbitrazhin Ndërkombëtar me pretendimet e 7 kompanive pas të cilave qëndrojnë biznesmenë të huaj ose edhe kosovarë me shtetësi të ndonjë shteti tjetër.
Pretendimet e tyre janë që Kosovës t’ia marrin diku çerekun e buxhetit vjetor. Saktësisht 584 milionë euro është vlera e kompensimit që në total ato kërkojnë.
Për nga lartësia e kompensimit në krye të listës qëndrojnë dy kompani guroresh: “Rex Marble”, që kërkon 250 milionë euro, ndërsa “Fox Marble” 195 milionë euro.
“Rex Marble”, që kërkon shumën më të lartë, është biznesi i fundit që i është drejtuar Arbitrazhit nën justifikimin se iu tjetërsuan aksionet e tri guroreve të granitit dhe mermerit e edhe se licencat u bartën tek një person tjetër.
Në Ministrinë e Drejtësisë janë treguar të përmbajtur në lidhje me pritjen nga ky kontest.
“Avokatura Shtetërore rastin në fjalë do ta trajtojë në përputhje me përgjegjësitë dhe kompetencat që ka, ndërsa vendimi do të jetë i Tribunalit të Arbitrazhit, e për të cilin nuk mund të predikojmë”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Drejtësisë.
Kosovën e ka vënë në Arbitrazh edhe ish-deputeti i PDK-së, Bedri Selmani. Në emër të investimeve, në hotelin “Victory”, “AutoPrishtina” dhe pompat e karburanteve “Kosova Petrol”, ai kërkon 65 milionë euro.
Janë 35 milionë euro të tjera që institucioni mikrofinanciar “Iute Credit” synon t’ia marrë Kosovës pas licencës që ia hoqi BQK-ja shkaku i shumëfishimit të lartësisë së normave të interesit.
Kompania tjetër pretenduese është “ContourGlobal”, e cila pasi u tërhoq nga ndërtimi i termocentralit “Kosova e Re” kërkoi nga Kosova 20 milionë euro për mosrespektim të kontratës.
E pas 30 milionë eurove që i mori në Arbitrazh, “Dardafon” e biznesmenit Shkëlqim Devolli kërkon edhe 13 milionë euro të tjera, pasi Telekomi nuk ia vazhdoi një kontratë që e kishte me të.
Miliona shtetit synon t’i marrë edhe deputeti më i pasur i Kosovës, Behgjet Pacolli, i cili për një kohë ka qenë edhe zëvendëskryeministër. Kompania “Mabco Constructions” pas të cilës ai qëndron, kërkon 6 milionë euro për çështjen që lidhet me anulimin e privatizimit të “Hotelit Grand”.
Autoritetet e Kosovës kanë lidhur kontrata milionëshe me kompani ndërkombëtare të avokaturës, me qëllimin për ta mbrojtur shtetin në një numër prej këtyre rasteve që ndodhen në Arbitrazh.