Arbëri

Kosova planifikon ta rritë sivjet borxhin për rreth 440 milionë euro

Qeveria ka planifikuar që deri në fund të vitit ta rrisë borxhin shtetëror për 440 milionë euro. Nga 1 miliard e 753 milionë euro sa ishte në 2022, ai pritet të arrijë në 2 miliardë e 189 milionë euro.

Ani se borxhi pritet të rritet, ekzekutivi nuk ka ofruar një formulë për t’i siguruar vendit rritje të ndjeshme ekonomike.

Sipas Kornizës afatmesme të shpenzimeve dhe Programit të borxhit shtetëror për vitet 2024-2026, rritja ekonomike e shtetit do të jetë 5.2 për qind.

Kjo shifër është më optimiste se sa parashikimet e Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, institucione këto që kanë parashikuar rritje prej 3.7 për qind.

Aktualisht, Kosova ka nivel të ulët të borxhit, por që deri në 2026 ai pritet të arrijë deri në 25 për qind të bruto produktit vendor, apo mbi 3 miliardë euro.

“Për shkak të kushteve të favorshme për huazim, në periudhën afatmesme, Qeveria synon të orientohet lehtësisht drejt huamarrjes me kreditorë të jashtëm. Në këtë drejtim, do të vazhdojë bashkëpunimi dhe komunikimi me institucionet financiare ndërkombëtare, në veçanti me ato zhvillimore, për t’i prezantuar projektet me prioritet për ekonominë e vendit”, thuhet në Programin e borxhit shtetëror për vitet 2024-2026. “Kjo bëhet me qëllim të ruajtjes së parashikueshmërisë së shpenzimeve buxhetore”.

Në program përmendet marrëveshja me Fondin Monetar Ndërkombëtar, e arritur në prill, për programin e ri mbështetës në vlerë deri në 260 milionë euro.

Programi përfshin vënien në dispozicion të shumës prej 80 milionë eurosh në kuadër të instrumentit më të ri të FMN-së të quajtur Fondi i Rezistencës dhe Qëndrueshmërisë dhe me mundësinë e zgjerimit edhe për 80 milionë euro të tjera.

Mjetet nga ky program pritet t’i vihen në dispozicion Kosovës për investime në ndërtim të kapaciteteve të reja të energjisë së ripërtëritshme me erë dhe atyre diellore.

Pjesa tjetër e mbështetjes pritet të jetë në formën e një aranzhimi për gatishmëri në vlerë 100 milionë euro për 2 vjetët e ardhshëm.

“Marrëveshjet e reja do t’i zbusin rreziqet negative dhe do t’i mbështesin përpjekjet e Kosovës për t’i forcuar kapacitetet për ta ruajtur stabilitetin makroekonomik, për t’i mbyllur boshllëqet e politikave dhe për të ofruar rritje më të gjelbër”, thuhet në Programin e borxhit shtetëror.

Sipas të dhënave të ekzekutivit, krahas rritjes së borxhit të jashtëm, do të ketë edhe rritje të borxhit të brendshëm, i cili deri në fund të 2026-s do të jetë 1.5 miliard euro.

Bashkë me këtë parashihet të rriten edhe shpenzimet e interesit, ani se sipas Qeverisë ajo do të jetë e lehtë.

Brenda periudhës afatmesme, shpenzimet e interesit do të arrijnë deri në 0.53 të brutoproduktit vendor.