Bashkimi Evropian të mërkurën ka publikuar një listë prej shtatë vendeve që i konsideron “të sigurta”, në një vendim për ta përshpejtuar kthimin e migrantëve, duke e bërë kështu më të vështirë për shtetasit e atyre vendeve që të kërkojnë azil në vendet e bllokut, raporton agjencia “AFP”.
Komisioni Evropian ka thënë se po propozon që t’i cilësojë Kosovën, Bangladeshin, Kolumbinë, Egjiptin, Indinë, Marokun dhe Tunizinë si “vende të sigurta të origjinës”.
Lëvizja është për t’i lejuar qeveritë e BE-së për të proceduar më shpejt me aplikacionet për azil të bëra nga shtetasit e këtyre vendeve, duke aplikuar një supozim se kërkesa të tilla kanë mungesë të bazës.
“Shumë shtete anëtare po përballen me numë numër të konsiderueshëm kërkesash për azil, kështu që çdo gjë që mund të bëjmë tash është për t’i mbështetur vendimet më të shpejta të azilit, që është thelbësore”, ka thënë Magnus Brunner, komisioner i BE-së për migracion.
Vendet kandidate duhet t’i plotësojnë kriteret bazë për t’u përcaktuar si vende të sigurta, përjashtim është kur shpërthen ndonjë konflikt, ka thënë Komisioni Evropian.
BE-ja kishte paraqitur një listë të ngjashme në vitin 2015, por plani u braktis për shkak të debateve të nxehta nëse duhej apo jo të përfshihej Turqia.
Brukseli ka qenë nën presion për t’i shtypur ardhjet e parregullta dhe për t’i lehtësuar deportimet, pas tronditjeve në opinionin publik lidhur me migracionin që ka nxitur edhe triumfe elektorale të së djathtës ekstreme në disa vende.
Udhëheqësit e BE-së kërkuan në tetor një legjislacion të ri urgjent për t’i rritur dhe përshpejtuar kthimet dhe që Komisioni të vlerësojë “mënyra inovative” për ta luftuar migrimin e parregullt.
Në përgjigje, muajin e kaluar Komisioni zbuloi një reformë të planifikuar të sistemit të kthimit për 27 vendet e bllokut, që hapi rrugën për shtetet anëtare për të ngre qendra të kthimit të migrantëve jashtë BE-së.
Aktualisht më pak se 20 për qind e njerëzve të urdhëruar të largohen nga blloku kthehen në vendin e tyre të origjinës, sipas të dhënave të BE-së.