Paralajmërimi i kryeministrit Albin Kurti mbi përgatitjet për ta akuzuar Serbinë për gjenocid në Kosovë shihet me skepticizëm nga juristët. Ata vlerësojnë se për parashtrimin e një padie për gjenocid ndaj Serbisë ekzistojnë disa pengesa që në situatën aktuale nuk mund të tejkalohen. E në këtë drejtim, njohësit thonë se nuk mund të ndihmojë as anëtarësimi në Këshillin e Evropës
Kosova ka përpara vetes një varg sfidash, aktualisht vështirë të kapërcyeshme, për ta paditur Serbinë për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.
Me gjithë paralajmërimin e para dy javëve të kryeministrit Albin Kurti se janë duke u bërë përgatitje që Serbia të akuzohet si shtet përgjegjës për krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit dhe për gjenocid në Kosovë, një numër juristësh thonë se ekzistojnë janë pengesa procedurale që e pamundësojnë këtë proces.
“Kushti primar është që Kosova të jetë shtet anëtar i Kombeve të Bashkuara. Kushti i dytë është që Kosova të jetë shtet anëtar apo palë e statutit të gjykatës”, ka thënë Amer Alija, koordinator dhe analist ligjor në Fondin për të Drejtën Humanitare.
Ka një kohë të gjatë që padia për gjenocid ndaj Serbisë është përmendur në diskursin publik, por ajo nuk është hartuar as 26 vjet pas luftës.
Bardhyl Mahmuti, udhëheqës i Qendrës: “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e hapur”, thotë se asnjëherë nuk është vonë për ta parashtruar padinë.
“Kur kemi të bëjmë me krimin e gjenocidit, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës, nuk duhet të harrojmë se janë krime që nuk vjetrohen (nuk parashkruhen), prandaj thelbësore në këtë çështje është të kryejmë punët paraprake që na takojnë me qëllim që çështja e gjenocidit që kemi përjetuar si popull të zërë vendin meritor në debatet intelektuale dhe politike që zhvillohen rreth strategjive për parandalimin dhe ndëshkimin e këtyre krimeve”, ka thënë Mahmuti.
E Amer Alija, thotë se në drejtim të parashtrimit të padisë për gjenocid nuk luan rol as anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës.
“Në rast se Kosova do të pranohet së shpejti në Këshillin e Evropës, atëherë Kosova do të ketë qasje në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, e cila është një gjykatë tjetër në krahasim me Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë”, ka thënë ai.
KOHA u ka adresuar pyetje lidhur me përgatitjen dhe parashtrimin e padisë ndaj Serbisë si Zyrës së Kryeministrit ashtu edhe Ministrisë së Drejtësisë, porse nuk ka marrë përgjigje nga asnjëra instancë.