Që nga muaji korrik një paciente e diagnostikuar me kancer të pankreasit po vazhdon të trajtohet në QKUK, ndërsa që nga gushti ajo trajtimin e ka vazhduar në Klinikën e Pulmologjisë.
Por bashkëshorti i saj tashmë ka deponuar një ankesë ndaj stafit të QKUK-së me pretendimet për neglizhencë në trajtimin e gruas së tij.
Munishi thotë se atij tashmë i është rekomanduar që bashkëshorten e tij ta marrë në shtëpi porse, sipas tij, gjendja e gruas është e rënduar dhe ai nuk mund ta kthejë në shtëpi.
“Sipas mjekëve, këta kanë propozuar me u trajtuar në kirurgji dhe gastrologji sot pas vizitave të mjekëve me u lëshu në shtëpi është në gjendje të rëndë e palëvizime nuk ka trajtim adekuak dhe nuk ka kurrfar mundësi me e qu në shtëpi”, ka thënë bashkëshorti Halil Munishi.
Klinika e Pulmologjisë në një përgjigje me shkrim ka bërë të ditur se pacientja ka 6 muaj që është diagnostikuar me kancer të pankreasit dhe, pasi ka përfunduar trajtimin pulmologjik, asaj i është sugjeruar trajtimi në shtëpi.
Megjithatë, pas refuzimit të bashkëshortit të saj, pacientja, sipas Pulmologjisë, do të vazhdojë të trajtohet në këtë klinikë.
“E sëmura është trajtuar si Pneumoni COVID negativ, Ca caput pancreatis e transferuar nga Klinika e Neurologjisë. Ka qenë e diagnostikuar me Ca të pankreasit para 6 muajsh, ka filluar kimioterapinë, por për shkak të pneumonisë është ndërprerë kimioterapia. Meqenëse ka përfunduar trajtimin pulmologjik i është sugjeruar të vazhdojë trajtimin në shtëpi, por, për shkak të gjendjes së rëndë dhe refuzimit të bashkëshortit që ta marrë deri në fazën përfundimtare në shtëpi dhe në mungesë të ndonjë institucioni për trajtim paliativ, e sëmura vazhdon të mbetet te ne deri në fund”, është përgjigjur Rukije Mehmeti, drejtoreshë e Klinikës së Pulomologjisë.
Por mungesa e shërbimit paliativ në institucionet shëndetësore ka shkaktuar shumë probleme sidomos tek pacientët e sëmundjeve malinje, të cilët fazën e fundit të jetës detyrohen ta kalojnë në shtëpi për shkak të mosofrimit të këtij shërbimi.
Drejtori i Klinikës së Kirurgjisë Abodominale, Ferat Sallahu, thotë se ata shpesh janë të mbingarkuar me këto raste dhe ndonëse nuk e kanë këtë shërbim ata e ofrojnë për pacientët.
“Pacienti vjen në fazën terminale dhe ne duhet ta pranojmë të shikojmë si t’i ndihmojmë pasi ai nuk lihet në mëshirën e kohës atëherë i kryejmë këto shërbime në mes rreshtash për shërbimet kirurgjike. Familjaret janë në gjendje të vështirë e që nuk kanë zgjidhje ku t’i shuajnë ato ankesa detyrën të vijnë tek na krijohet një ku rasti nuk është operativ. Kemi pas raste deri 2 e 3 muaj në kirurgji ndërsa familjarët kanë refuzuar ta marrin ne e kemi trajtuar deri në vdekje”, ka thënë Sallahu.
Ministria e Shëndetësisë ka thënë se janë institucionet e kujdesit parësor ato të cilat ofrojnë shërbimin paliativ përmes vizitave shtëpiake në rreth 20 komuna, ku numri i vizitave për vitet 2018-2019 ka shkuar mbi 47 mijë. Ndërsa ky shërbim pjesërisht jepet edhe në kujdesin dytësor dhe terciar.
Megjithatë, MSH-ja ka thënë se pasi këto shërbime janë paraparë në hartimin e projektligjit të ri për shëndetësi, është duke punuar në hartimin e programit nacional të kujdesit paliativ 2020-2022.
“Aktualisht në Kosovë institucionet e kujdesit parësor shëndetësor ofrojnë shërbime të kujdesit paliativ përmes vizitave shtëpiake në rreth 20 komuna të Kosovës, ku numri i vizitave të ofruara për vitin 2018 deri në qershor 2019 është 47,513 vizita. MSh-ja është në proces të grumbullimit të të dhënave edhe për pjesën e dytë të vitit 2019 dhe vitin 2020. Pjesërisht si shërbim aplikohet edhe në institucione të nivelit dytësor dhe terciar. Meqë këto shërbime janë paraparë edhe me Projektligjin e ri për Shëndetësi, MSh-ja ka paraparë aktivitete në hartimin e Programit nacional të kujdesit paliativ, përmirësimin e kornizës ligjore dhe përmirësimin e shërbimeve në nivelin parësor, dytësor dhe terciar të sistemit shëndetësor, në vitet 2020-2022. Qëllimi është që të integrojë dhe të zhvillojë sistemin e kujdesit paliativ në përputhje me nevojat e identifikuara, në bashkëpunim me ofruesit e kujdesit paliativ, vazhdimin e edukimit në këtë fushë, zhvillimin e udhëzimeve kombëtare dhe rekomandimeve me qëllim të mbështetjes së pacientëve me sëmundje terminale në stadin e fundit jetësor, si dhe familjeve të tyre. Në vitin 2019 është paraparë një grant në vlerë prej 1.1 milionë eurosh nga Korniza Investuese e Ballkanit Perëndimor (ËBIF) për realizimin e studimit të fizibilitetit për një projekt të kujdesit paliativ në Kosovë”, thuhet nga MSH-ja.
Trajtimi paliativ përfshin kujdes gjithëpërfshirës, mjekësor, psikologjik, social dhe shpirtëror, për pacientët me sëmundje të pashërueshme, qëllimi i së cilit është lehtësimi i dhembjeve dhe simptomave tjera të pakëndshme të sëmundjes së pacientit, i cili është në fazën e fundit të sëmundjes së pashërueshme.