Në Programin e Qeverisë 2021-2025, është dhënë zotimi për krijimin e Bankës Zhvillimore, me qëllim të mbështetjes së sektorit privat. Por, ajo ende nuk është ngritur. Sipas opozitës, Qeveria nuk ka plan ideor për realizimin e kësaj banke
Krijimi i bankës zhvillimore e cila do të mbështeste sektorin privat dhe promovimin e investimeve, e pati dhënë kryeministri Albin Kurti, në kuadër të Programit të Qeverisë 2021-2025.
Mirëpo, 3 vjet pas, Qeveria nuk ndërmori asnjë hap lidhur me krijimin e kësaj.
Kritika për moskrijimin e Bankës Zhvillimore pati PDK dhe LDK.
Deputeti i PDK-së, Ferat Shala, tha se nuk ka plan ideor për realizimin e kësaj banke.
“Banka zhvillimore e planifikuar tashmë ka mbetur si projekt i vdekur. Ne nuk kemi platformë të qartë të kësaj qeverie, nuk kemi asnjë hap preventiv për një bazë më të mirë zhvillimore të vendit. Ajo çka është jashtëzakonisht shqetësuese, jo vetëm që nuk është realizuar banka, por nuk kemi parë asnjë plan ideor për një koncept tjetër zhvillimor të vendit tash e 4 vjet”, ka thënë Shala.
Derisa dha kritika për moskrijimin e kësaj banke, deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, tha se banka zhvillimore cenon sektorin dhe konkurrencën e lirë në këtë treg.
“Banka Zhvillimore sigurt u ka mbetë si premtim për fushatën tjetër elektorale. Ne si parti e qendrës së djathtë nuk e kemi përkrahë Bankën Zhvillimore, sepse ne jemi ekonomi e tregut të lirë me një sektor financiar mjaft të zhvilluar dhe një bankë e tillë e kish cenuar sektorin dhe konkurrencën e lirë në këtë treg. Qeveria ka në duart e saj plot instrumente të tjera përmes të cilave mund ta fasilitojë zhvillimin e sektorit privat, përmes reformave fiskale, përmes reformave strukturore, përmes integrimeve në tregjet ndërkombëtare, reforma këto të cilat ka vite që kanë ngecur”, ka thënë Bajrami.
E, sipas njohësit të çështjeve ekonomike, Fidan Qerimi, krijimi i Bankës Zhvillimore do të ndikonte për të mirë në ekonominë e vendit.
“Krijimi i Bankës Zhvillimore ndikon pozitivisht në rritjen ekonomike, në financimin e ideve dhe zhvillimit ekonomik. Fatkeqësisht, nuk është marrë me këtë gjë Qeveria. Nuk janë orientuar në krijimin e mundësive të të bërit biznes”, ka thënë ai.
Bazuar në programin qeveritar, Banka Zhvillimore do të jetë mekanizëm për mbështetjen e sektorit privat dhe promovimin e investimeve. Ajo parashihej të ishte komponenti kreditues, që do të financohej nga paratë publike dhe shitja e letrave të borxhit, duke investuar në degë të caktuara të industrisë, që krijojnë vende pune dhe përmirësojnë bilancin tregtar.
Përveç krijimit të Bankës Zhvillimore, në Programin Qeverisës 2021-25, është edhe krijimi i Agjencisë Zhvillimore, si mekanizëm për udhëheqjen e politikave zhvillimore ndërmjet ministrive dhe agjencive të pavarura.