Masa ndëshkuese ndaj Kosovës ka paralajmëruar emisari i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, nëse autoritetet e Kosovës nuk heqin ndalesën ndaj produkteve serbe. Por, shefja e grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, të hënën ka përmendur ardhjen e disa pajisjeve skanuese para vendimit për heqjen e masës së sigurisë ndaj mallrave që prodhohen në Serbi. Për rrezikun e ndëshkimit që i kanoset Kosovës, Qeverinë e ka kritikuar opozita
Heqja e bllokadës ndaj mallrave serbe është ndërlidhur nga partia në pushtet me vendosjen e skanerëve për forcimin e kontrolleve kufitare.
Shefja e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, tha se Kosova është në pritje të këtyre skanerëve, por që nuk ka dhënë ndonjë datë për heqjen e masës së sigurisë, e vendosur qershorin e vitit të shkuar.
“Kosova është në pritje të skanerëve të rinj, të cilët do të bënin skenimin e kamionëve apo maunave që hyjnë në gjitha pikat kufitare në veçanti për shkak të problemeve të sigurisë në pjesën veriore dhe unë besoj që në afatet kohore do të gjendet modaliteti më i mirë që në momentin kur të kemi siguri të plotë që mund të parandalohet çfarëdo kontrabandimi ilegal nga ana e Serbisë përbrenda territorit të Kosovës mund të hiqet masa e sigurisë”, tha Kusari-Lila.
Sipas saj, bëhet fjalë për tre të tillë, nga një prej Gjermanisë dhe SHBA-së dhe një tjetër që do të blihet nga Dogana e Kosovës.
Diskutimet për sigurimin e pajisjeve të tilla për skanim të produkteve serbe i ka konfirmuar javë më parë emisari i Gjermanisë, Manuel Sarrazin, por që sipas tij nuk është arritur dakordim me Kosovën.
Të hënën, Sarrazin në një intervistë për “Balkan Insight” ka paralajmëruar masa ndëshkuese për Kosovën në rast se vazhdon të mbajë në fuqi ndalesën ndaj produkteve serbe. Ai do të vizitojë Kosovën sërish javën e ardhshme.
E fajin për sanksionet në fuqi dhe rrezikun për masa të tjera ndëshkuese, partitë opozitare ia kanë hedhur Qeverisë.
“Në këtë periudhën e fundit ne lutemi që këto sanksione të mos rriten nga aleatët tanë perëndimorë, nga BE-ja nga SHBA-ja. Dhe ne jemi të bindur që Kosova pas 9 shkurtit do ta ketë një qeveri të re, do ta ketë një kryeministër të përgjegjshëm dhe do të arrijë që Kosovën ta vendosë në një agjendë zhvillimore”, tha shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri.
“Janë vetëpërjashtu me logjikën e vet përjashtuese dhe duke u vetëpërjashtu kanë leju që në tavolina të diskutimit rajonal, të diskutimit ndërkombëtar, tregimi për Kosovën ta bëjnë armiqtë të Kosovës. Kur nuk je prezent në një tavolinë atëherë tregimin do ta bëjë armiku, në këtë rast Qeveria e Serbisë”, tha shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri.
Në lidhje me pajisjet skanuese por edhe nëse ka marrë ftesë për takimin e radhës të Procesit të Berlinit, KOHA nuk ka marrë përgjigje nga Qeveria që nga java e shkuar.
Qeveria e Kosovës ndaloi importet nga Serbia, pas arrestimit të tre policëve kosovarë nga forcat serbe në qershor të vitit të shkuar, si masë sigurie. Ndalesa më pas u zbut, duke u lejuar importimi i lëndës së parë dhe gjysmë produkteve të nevojshme për prodhim final.