Arbëri

Kosova miraton Aktin Global për të Drejtat e Njeriut Magnitsky

Kosova është rreshtuar pranë pak shteteve në botë që do t’i vërë sanksione Rusisë, dhe individëve të saj që përfshihen në shkeljen e të drejtave të njeriut.

Qeveria e Kosovës në detyrë, me propozimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme, ka miratuar “Aktin Global për të Drejtat e Njeriut Magnitsky”, i cili sanksionon të gjithë shkelësit e të drejtave të njeriut kudo në botë, raporton KTV.

I njohur si “Ligji Magnitsky”, ai u miratua në Kongresin amerikan në vitin 2012, në administratën e presidentit Obama.

Që nga viti 2016, ligji autorizon Qeverinë amerikane t’u vërë sanksione të gjithë atyre që i sheh si shkelës të të drejtave të njeriut, t’ua ngrijë asetet dhe t’ua ndalojë hyrjen në territorin e SHBA-së.

Kosova është vetëm shteti i 7-të në botë që e miraton këtë ligj, pas SHBA-së, Estonisë, Britanisë së Madhe, Lituanisë, Letonisë dhe Australisë.

Sergei Magnitsky ishte një këshilltar taksash në Rusi, i cili pasi zbuloi skandalin me abuzime në administratën shtetërore ruse, u burgos dhe u rrah për vdekje në burg.

Kosova do ta bëjë së shpejti publike listën e individëve ndaj të cilëve do të vërë sanksione.

Ndërkohë, në mbledhjen e Qeverisë, u diskutua edhe kërkesa e Telekomit të Kosovës që t’i ndahen 5 milionë euro, pasi kjo ndërmarrje thotë se ndodhet afër falimentimit.

Por, kabineti qeveritar nuk miratoi këtë kërkesë të Telekomit, pasi ministri në detyrë i Financave, Lulzim Rafuna, kërkoi që të shtyhet për mbledhjen e radhës.

Por të tjera mjete financiare ka vazhduar të ndajë Qeveria në detyrë.

U ndanë 36 mijë e 600 euro për Shoqatën e të Burgosurve Politikë, si dhe 50 mijë euro për Komunën e Bujanovcit.

Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, i ka quajtur pozitive për vendin marrëveshjet fillestare mes Kosovës dhe Serbisë për linjën e fluturimeve ajrore, si dhe atë për hekurudhat.