Arbëri

Kosova merr masa për t’u mbrojtur nga gripi i shpezëve

Kosova ka marrë masa preventive nga e hëna për t’u mbrojtur nga grupi i shpezëve që së fundmi ka prekur Shqipërinë. Deri më tani situata në terren është nën kontroll, ka njoftuar zëdhënësi i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Lamir Thaçi.

Ai i ka thënë KOHËS se monitorimi i situatës në terren është shtuar pas rastit të ndodhur javën e kaluar në Shqipëri, ku u konfirmua prezenca e gripit të shpezëve.

“Më 21 mars, AUV ka ndaluar importin e shpezëve të gjalla nga shteti i Shqipërisë për regjionin e Durrësit. Jemi në kontakt të vazhdueshëm me autoritetin e veterinarisë së Shqipërisë për shkëmbim informatash lidhur me incidencën e mundësisë së përhapjes së sëmundjes”, ka thënë Thaçi.

Aktualisht është ndaluar importi i shpezëve vetëm nga zona e prekur në Shqipëri. Përveç importit të shpezëve, Thaçi ka thënë se nga ky vend fqinj është ndaluar edhe importi i vezëve. Sipas tij, në Kosovë kjo sëmundje ka qenë prezente nga muaji maj i vitit të kaluar. Rastet e para ishin të konfirmuara në ekonomitë familjare që ndryshe njihen si pula të oborreve.

“Pastaj nga muaji shtator i kemi rastet të shpërthimit të sëmundjes ne fermat komerciale por edhe në këtë vit, rasti i fundit ka qenë në muajin shkurt të këtij viti. Gjatë gjithë kohës shtabi i reagimit i formuar nga AUV-i ka qenë aktiv dhe jemi duke e menaxhuar situatën”, ka shtuar ai.

Autoritetet e Shqipërisë kanë njoftuar më 20 mars se kanë konfirmuar rastin e parë të gripit të shpezëve, kurse deri më 22 mars kanë ngordhur rreth 340,000 shpezë në dy stabilimente të mëdha shpendësh në zonën e Durrësit.