Konsullata e nderit e Ganës në Kosovë, e vendosur në kompleksin “Qafa” të kryeqytetit, ka punuar këtë të enjte.
Emblema e Konsullatës është ngjitur me atë të kompanisë “Mabetex Holding”, e ajo çka i bën bashkë këto dyja është Valon Lluka, që është konsull nderi i shtetit afrikan, por edhe drejtor në “Mabetex Holding”, raporton KTV.
Lluka, në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve, figuron si drejtor i “Mabetex Holding-ut”, ku 33 % të aksioneve figurojnë në emër të ministrit Behgjet Pacolli.
Gazetari i Kohës Ditore, Besnik Krasniqi, që mes tjerash raporton edhe për zhvillimet në Ministrinë e Jashtme, në rrethanat aktuale, një situatë të tillë e konsideron paradoksale.
Republika e Ganës, javën e kaluar, tërhoqi njohjen për Kosovën, çka u mohua nga Ministria e Punëve të Jashtme.
Konsulli Valon Lluka, me të cilin që nga java e kaluar televizioni ka tentuar të vendosë kontakte, nuk ka qenë aty, e sipas një punonjëse brenda në objekt, Lluka gjendet jashtë vendit.

Lluka është vetëm një prej biznesmenëve që gëzon status të tillë diplomatik.
Krasniqi thotë se kjo lidhje, potencialisht, sjell përfitime për një konsull.
Ligji për TVSH-në përfshin edhe konsujt e nderit dhe i liron ata nga detyrimet doganore për mallra të caktuara që i importojnë.
Gjatë këtij viti, ministri i Punëve të Jashtme i Shqipërisë, Gent Cakaj, përveçqë kishte shkarkuar disa konsuj, kishte vendosur që ta ndalë keqpërdorimin me targa diplomatike.
KTV raportoi të mërkurën se Ministria e Punëve të Jashtme emëroi edhe një biznesmen për konsull nderi, pronarin e korporatës “Devolli”, Shkëlqim Devolli, në shtetin e Malit të Zi.