Arbëri

Kosova me fusnotë në marrëveshjen rajonale për lëvizje të lirë

Gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor kanë finalizuar një draft-marrëveshje që përshkruan kushtet reciproke të hyrjes, kalimit transit dhe qëndrimit të shkurtër të shtetasve të tyre që posedojnë letërnjoftime biometrike. Dokumenti, një kopje të të cilit e ka siguruar KOHA, Kosovën e prezanton si palë të barabartë me shtetet nënshkruese, e banorët e palëve i definon si shtetas. Megjithëkëtë, denominimit Kosovë i është shoqëruar fusnota

Është finalizuar drafti i marrëveshjes rajonale mbi lirinë e lëvizjes, nismën për lidhjen e së cilës e ka miratuar Qeveria e Kosovës fundjavën e shkuar.

Dokumenti, një kopje të të cilit e ka siguruar KOHA, Kosovën e prezanton si palë të barabartë me shtetet nënshkruese: Shqipërinë, Bosnjë-Hercegovinën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë. E banorët e palëve i definon si shtetas.

Megjithëkëtë, denominimit Kosovë i është shoqëruar fusnota me këtë përmbajtje: “Ky shënim është pa paragjykim të qëndrimeve mbi statusin dhe është në përputhje me Rezolutën 1244 të KS të OKB-së dhe opinionin e GJND-së për Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës”.

Preambula përmban pesë pika.

Në të parën shprehet vullneti për forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe mirëkuptimit të ndërsjellë, me qëllim të dhënies së kontributit në zhvillimin ekonomik dhe në ngritjen e rritjes ekonomike, të investimeve dhe punësimit në Ballkanin Perëndimor.

Në të dytën merret parasysh rëndësia e lëvizjes së lirë të njerëzve, me qëllim të sigurimit të përparimit dhe prosperitetit ekonomik.

Nëpërmjet të tretës mbahen në mend përfundimet e Samitit të ministrave të brendshëm dhe të sigurisë së gjashtë ekonomive të Ballkanit Perëndimor, të mbajtur në kuadër të Procesit të Berlinit më 16 tetor 2020, në format të video-konferencës.

Nëpërmjet pikës së katërt merret në konsideratë deklarata e liderëve nga Ballkani Perëndimor për treg të përbashkët rajonal, si katalizator për integrim më të thellë ekonomik rajonal dhe një hap më afër tregut unik të BE-së, të miratuar në Samitin e liderëve të Ballkanit Perëndimor në kuadër të Procesit të Berlinit, të mbajtur më 10 nëntor 2020 në Sofje.

E me pikën e pestë vihet në dukje se asnjë dispozitë e marrëveshjes nuk mund të interpretohet se përjashton palët nga të drejtat dhe detyrimet e tyre përkatëse sipas traktateve ekzistuese, duke përfshirë marrëveshjet e tyre ekzistuese rajonale dhe bilaterale.

Neni i dytë përmban disa përkufizime. Mes të tjerash, në të me “shtetas” përkufizohet personi që ka shtetësinë e njërës prej palëve dhe i cili konfirmon shtetësinë e tij/saj me një letërnjoftim të vlefshëm biometrik.

Drafti i marrëveshjes përshkruan kushtet reciproke të hyrjes, kalimit transit dhe qëndrimit të shkurtër të shtetasve të palëve me letërnjoftime biometrike, e që nënkupton qëndrim jo më shumë se 90 ditë gjatë çdo periudhe 180-ditore.

“Shtetasi i njërës prej palëve mund të hyjë në territorin e palës tjetër, në përputhje me këtë marrëveshje, me kusht që: ai/ajo posedon letërnjoftim të vlefshëm biometrik me vlefshmëri prej së paku 3 muaj; ai/ajo nuk ka ndonjë ndalesë të hyrjes dhe qëndrimit në territorin e palës tjetër; ai/ajo nuk përbën kërcënim për sigurinë ose shëndetin publik të palës tjetër, të vërtetuar me informacione dhe të dhëna objektive, konkrete dhe përkatëse, si dhe me të dhëna nga autoritetet kompetente”, precizohet në nenin e katërt.

Aty theksohet se dispozitat bilaterale të dakorduara tashmë midis palëve, për t’ua mundësuar shtetasve të tyre që të hyjnë me lloje të tjera të dokumenteve, do të merren parasysh dhe do të trajtohen në përputhje me rrethanat.

E me nenin e pestë theksohet se secila palë, në përputhje me legjislacionin e saj të brendshëm, rezervon të drejtën për t'i revokuar lejen e qëndrimit të një shtetasi të palës tjetër në territorin e saj.

Pasi fundjavën e shkuar Qeveria miratoi nismën për lidhjen e marrëveshjes, PDK-ja, partia kryesore në opozitë, reagoi dhe ia rikujtoi kryeministrit Albin Kurti se ishte kundër nismës për mini-Shengenin ballkanik.

“Kryeministri Albin Kurti, ende pa e nisur zyrtarisht dialogun me Serbinë, sot paska marrë vendim për nisjen e zbatimit të mini-Shengenit, ku Kosova nuk trajtohet e barabartë me vendet e rajonit”, ka shkruar Enver Hoxhaj, kryetar në detyrë i PDK-së. “Kohë më parë, kur ishte në opozitë, këtë nismë rajonale Albini e quante Jugosllavi e Re. E, pra, tani me dorën e tij e nisi Jugosllavinë e Re, andaj urime Albin!”.

Krahas lirisë së lëvizjes, me “mini-Shengen” synohej të hapeshin kufij për qarkullimin e mallrave, shërbimeve dhe kapitalit.

Qeveria nuk do të mund ta miratojë vetë marrëveshjen, pa mbështetjen e opozitës. Kjo për shkakun se në proces ratifikimi kërkohet vota e së paku 80 deputetëve.

Procedura e ratifikimit është përshkruar edhe në draftin e marrëveshjes.

“Kjo marrëveshje i nënshtrohet ratifikimit nga palët, në përputhje me procedurat e tyre. Njoftimi i miratimit depozitohet te depozitari i marrëveshjes, i cili është i detyruar t’i njoftojë palët për këtë dhe që do t’i kryejë të gjitha funksionet e tjera të depozitarit”, thuhet në nenin 15.

Procedura e lidhjes së marrëveshjes, sipas burimeve të KOHËS, synohet të finalizohet para samitit të ardhshëm, i cili mbahet në kuadër të Procesit të Berlinit, e që gjatë verës organizohet po në Berlin.

Nisma e ndërmarrë nga kancelarja Angela Merkel ka prodhuar deri tash disa nisma të përbashkëta, kryesisht që lidhen me investime në infrastrukturë, e firmosja e marrëveshjes për lëvizje të lirë – që besohet se do të ndodh- gjatë punimeve të samitit – do të përbënte ngjarjen më të madhe të Procesit të Berlinit, që prej kohës kur ai është lansuar.

Edhe ratifikimi i marrëveshjes synohet të përmbyllet sivjet, në mënyrë që ajo të hyjë në fuqi nga 1 janari i vitit 2022.