Me ftesë të kryeministrit, Albin Kurti, të dielën në mbrëmjes ka mbajtur mbledhje Këshilli i Sigurisë i Kosovës.
Sipas një komunikatë për media të lëshuar nga Qeveria, temë qendrore e këtij takimi ishte sulmi i Iranit ndaj shtetit të Izraelit, dhe implikimet e mundshme për paqen dhe sigurinë globale dhe rajonale.
“Qeveria e Republikës së Kosovës e kishte dënuar menjëherë sulmin e Iranit ndaj Izraelit, duke e cilësuar atë si akt të paprecedent që paraqet rrezik për destabilizimin e Lindjes së Mesme dhe të eskalimit të mëtutjeshëm të situatës së sigurisë”, thuhet në komunikatë.
Tutje thuhet se sulmi është kryer me dronë Shaheed, që janë prodhim iranian. “Mijëra dronë të tillë i ka në posedim edhe Serbia, e cila në vazhdimësi shfaqë sjellje agresive ndaj Republikës sonë, veçanërisht përgjatë kufirit që ndajmë”, thuhet në komunikatë.
Institucionet e Sigurisë së Republikës së Kosovës thuhet se janë duke i përcjellë zhvillimet e fundit me vëmendje të shtuar, dhe janë duke e monitoruar gjendjen e sigurisë në baza të vazhdueshme dhe në bashkërendim e bashkëpunim të ngushtë me KFOR-in dhe me partnerët strategjikë.