“Duhet të jemi shumë të ndërgjegjshëm dhe shumë të kujdesshëm që këtë paqe të brishtë që e kemi në rajon ta forcojmë dhe të gjithë së bashku të ndikojmë që të mos cenohen paqja dhe stabiliteti në rajonin tonë. E them këtë, sepse kemi nevojë për një koordinim më të mirë të të 5 shteteve të rajonit karshi Serbisë dhe kemi nevojë për një bashkëpunim më përmbajtjesor në të gjitha proceset rajonale”, tha ministrja Gërvalla-Schwartz, pas takimit me homologen Olta Xhaçka
Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz, kërkoi të hënën në Tiranë në krah të homologes shqiptare Olta Xhaçka, aleancë dhe koordinim kundër tensionimeve që nxit Serbia jo vetëm me Shqipërinë, por edhe me vendet e tjera të rajonit.
Kryediplomatja Gërvalla- Schwarz ka filluar të hënën një vizitë zyrtare në Shqipëri, ku së pari është pritur nga presidenti i Republikës, Ilir Meta, dhe kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla. Ndërsa pas takimit me ministren për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, dy zyrtaret mbajtën edhe konferencë për media.
“Nuk kemi tema për të cilat nuk mund të bisedojmë së bashku, nuk kemi tema që nuk mund t’i prekim në bisedat tona. Si në çdo familje të madhe duhet të bisedojmë edhe për ato që janë shqetësuese. Gjatë javëve dhe muajve të fundit gjuha e fqinjit tonë verior, Serbisë, është ashpërsuar shumë jo vetëm ndaj Kosovës, por edhe Malit të Zi dhe Bosnjës. Duhet të jemi shumë të ndërgjegjshëm dhe shumë të kujdesshëm që këtë paqe të brishtë që e kemi në rajon ta forcojmë dhe të gjithë së bashku të ndikojmë që të mos cenohen paqja dhe stabiliteti në rajonin tonë. E them këtë, sepse kemi nevojë për një koordinim më të mirë të të 5 shteteve të rajonit karshi Serbisë dhe kemi nevojë për një bashkëpunim më përmbajtjesor në të gjitha proceset rajonale. Jemi në bisedime për nënshkrimin e marrëveshjeve rajonale dhe ne besojmë që edhe Shqipëria, edhe Kosova me qasjen e tyre të hapur ndaj procesit të Berlinit, me qasjen e tyre të vendosur për një bashkëpunim substancial, përmbajtjesor në rajon do të mund të shtyjmë përpara këto marrëveshje, për të cilat jemi dakorduar me kohë”, tha shefja e diplomacisë së Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz.
Kosova, theksoi ajo, e ka shumë të qartë orientimin në BE dhe NATO dhe është skeptike ndaj koncepteve konkurruese ndaj BE-së.
“Këtë e theksojmë në çdo forum. Ndërkohë në çdo forum ndërkombëtar dhe në çdo bisedë më partnerët tanë në BE e theksojmë mendimin
se e shohim si padrejtësi të madhe faktin që Shqipëria ende nuk ka arritur të bëjë një hap përpara drejt negociatave me BE-në. Bashkëpunimi ynë ndodh edhe atëherë kur ne nuk jemi prezent në të njëjtën dhomë. Kosova në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar është e vendosur në bashkëpunim me partnerët tanë strategjikë, ku është dhe Shqipëria, të bëjmë një hap më tej në anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare dhe njohje të reja dhe do të jemi një partner i besueshëm dhe racional me të cilin do të mund të bisedohet objektivisht gjatë muajve dhe viteve në vijim”, potencoi në vijim Gervalla-Schwarz.
Në lidhje me dialogun me Serbinë, ministrja Gërvalla-Schwartz tha se Kosova është e përcaktuar për një dialog, i cili nuk është objekt, por subjekt.
“Dialogu me Serbinë në Bruksel nuk është një dialog rreth statusit të Kosovës, por një dialog rreth statusit të marrëdhënieve që kemi me Serbinë, mbi këtë bazë Kosova është e gatshme të zhvillojë procesin e negociatave i cili duhet të ketë si përfundim logjik njohjen e ndërsjellë të pavarësisë së Kosovës dhe të Serbisë nga ana jonë”, tha ajo.
Duke mbetur te bashkëpunimi mes dy vendeve, Gërvalla-Schwarz tha se ajo çfarë pritet nga dy qeveritë e Kosovë dhe Shqipërisë, jo vetëm si vende fqinje, por edhe shtete të pandashme nga njëra-tjetra, është lehtësimi i jetës së qytetarëve të tyre në të dy anët e kufirit.
Gjatë takimit, ministrja e Jashtme e Shqipërisë, Olta Xhaçka, u shpreh se Shqipëria do të vazhdojë të ngrejë zërin për Kosovën dhe do ta ketë atë pjesë të çdo diskutimi
“Sot Shqipëria është një aktor shumë më i rëndësishëm se një dekadë më parë. Ne jemi sot më pranë se kurrë hapjes së negociatave me BE-në. Ne kemi sot një marrëdhënie më të fortë se kurrë me SHBA-në. Dhe akoma më i rëndësishëm është fakti, që pak muaj nga sot, ne ulemi në tryezën e Këshillit të Sigurimit. Ky është një zhvillim që i jep një dimension krejt të ri e një potencial të paparë si kurrë më parë diplomacisë sonë. Kjo është një mundësi për ne, por kjo është një mundësi edhe për Kosovën, e cila është një nga prioritetet e punës sonë atje. Ne do të punojmë duke ngritur zërin e duke risjellë në diskutimet e Këshillit Sigurimit Kosovën, dhe duke bërë punë konkrete për të zgjeruar njohjet apo përfaqësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare”, tha kryediplomatja e Shqipërisë, Xhaçka.
Duke folur për bashkëpunimin mes Shqipërisë e Kosovës, ajo tha se detyrim i politikanëve të të dyja shteteve është që të jetësohet ajo për të cilën qytetarët kanë nevojë të domosdoshme.
“Viti 1999 për shqiptarët në Kosovë është viti vendimtar ku i është vënë vula përfundimisht asaj që ne jemi një komb. Detyrim i politikanëve të të dyja shteteve është që të jetësohet ajo për të cilën qytetarët kanë nevojë të domosdoshme. Pyetja është: A është gjenerata jonë e politikanëve ajo e cila do të arrijë të përmirësojë dhe fuqizojë këtë bashkëpunim sa të plotësojë nevojat e qytetarëve tanë në të dyja anët apo jo? Sepse qytetarët e dinë mjaft mirë se çfarë nevojitet. Ne jemi të detyruar dhe me shumë përkushtim do të shtyjmë përpara marrëveshjet që kemi lidhur deri tani, por do të lidhim dhe marrëveshje të tjera të cilat do t’i implementojmë me kujdes dhe përpikëri me qëllim që në të gjitha sferat e jetës bashkëpunimi ynë të jetë më i mirë”, tha Xhaçka.
Ministrja e Jashtme e Shqipërisë nuk foli për asnjë nga nismat rajonale, por tha se Serbia do të shkojë drejt njohjes dhe ndjesës për krimet, pa iu përgjigjur drejt përkundrejt thirrjes së ministres Gërvalla.
“Patjetër që rezultati i dialogut duhet të jetë një marrëveshje e detyrueshme ligjore, që mundëson njohjen e ndërsjellë mes dy vendeve, anëtarësimin e Kosovës në BE dhe OKB, por edhe trajtimin e drejtë të minoriteteve konform Kushtetutës së Kosovës. Rezultati i kësaj marrëveshjeje duhet të jetë patjetër dhe një kërkesë-falje dhe njohje e krimeve nga ana e Serbisë, por për të arritur deri atje pa diskutim që kemi shumë punë për të bërë, por na duhet edhe më shumë koordinim dhe ide të reja. Në këtë kontekst është inkurajuese mbështetja e administratës së re të SHBA-së, presidentit Biden, për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën e fokusuar në njohjen e ndërsjellë”, tha Olta Xhaçka.
Serbia ka acaruar retorikën e saj kundër Kosovës, por edhe vendeve të tjera në rajon, sidomos me incidentet e fundit në veri të Kosovës. Ndërkohë Prishtina zyrtare e ka thënë qartazi se nuk do të bëhet pjesë e asnjë nisme tjetër, përveçse e procesit të Berlinit. Ndërkohë që Qeveria e Shqipërisë ka finalizuar me një dokument të nënshkruar nismën “Open Balkan”, e kritikuar nga opozita shqiptare dhe politika e Kosovës. Është publikuar në Fletoren Zyrtare memorandumi i mirëkuptimit për bashkëpunimin, lehtësimin e importeve, eksporteve dhe lëvizjes së mallrave në Ballkanin Perëndimor, i cili u miratua në mbledhjen e Qeverisë të mërkurën, më 13 tetor, në kuadër të nismës “Ballkani i hapur”. Kjo iniciativë e përbashkët mes tri vendeve: Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, synon që këtë memorandum ta përhapë në të gjitha vendet e CEFTA-s. Thelbi i saj ka të bëjë me lehtësimin e tregtisë. Ndërsa synon që ky memorandum të ndiqet nga një plan masash që do të garantojë lëvizje të lirë të mallrave, tregtisë për të gjithë tregtarët. Memorandumi do të shërbejë si mbështetje e subjekteve që operojnë në Shqipëri dhe subjekteve që tregtojnë me këto dy vende. Marrëveshja thekson se “palët janë gati të ftojnë pjesëmarrësit e tjerë të Ballkanit Perëndimor për t’iu bashkuar Memorandumit të Mirëkuptimit nën frymën e përfshirjes, bashkëpunimit rajonal dhe me qëllim përmirësimin e jetës brenda të gjithë rajonit, dhe do të kontaktojmë secilin për t’i inkurajuar ata dhe për t’i përgatitur për zbatimin e Memorandumit të Mirëkuptimit; duke pasur parasysh që përmirësimi i bashkëpunimit të ndërsjellë ndërmjet autoriteteve kompetente, përgjegjëse për doganat dhe kontrollet dhe procedurat e tjera, do të kontribuojë në interesat ekonomike, tregtare, financiare, sociale dhe kulturore të palëve; duke risjellë në vëmendje një numër të madh marrëveshjesh që vendet e Ballkanit Perëndimor kanë firmosur mes njeri-tjetrit ndër vite.