Arbëri

Kosova ka 4 marrëveshje të tregtisë së lirë – negociatat me SHBA-në ende nuk kanë nisur

Kosova ende nuk i ka filluar negociatat për arritjen e një marrëveshjeje bilaterale për tregti të lirë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Aktualisht Kosova ka gjithsej 4 marrëveshje të tilla.

Kosova ende nuk ka një marrëveshje bilaterale të tregtisë së lirë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

E vetmja marrëveshje me shtetin që e konsideron aleatin më strategjik, është Programi i Sistemit të Gjeneralizuar të Preferencave, i aplikueshëm edhe për Japoninë dhe Norvegjinë. Bazuar në të, deri më tash mallrat me origjinë nga Kosova nuk i janë nënshtruar asnjë detyrimi doganor në SHBA.

Por, lehtësirat e njëjta nuk ka vlejtur për importet amerikane, të cilat janë të detyruara që të paguajnë doganë prej 10 për qind.

Pas masave të reciprocitetit të vendosura nga presidenti amerikan, Donald Trump, të cilat e prekin edhe Kosovën, është shtruar nevoja për një marrëveshje bilaterale të tregtisë së lirë. Për të Kosova ende nuk i ka filluar as negociatat, të cilat mund të zgjasin me vite.

Sipas ministrit të Financave, Hekuran Murati në prill të vitit 2023, gjatë vizitës në Washington DC, me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi kanë takuar përfaqësues të Departamentit të Tregtisë, me të cilët kanë diskutuar ndër të tjera edhe temën e një marrëveshjeje për tregti të lirë me ShBA-të.

Por, në Qeveria nuk kanë treguar për ecuritë e mëtejshme të kësaj kërkese.

Ekonomisti Kujtim Dobruna ka thënë se Kosova duhet t’i ndërmarrë tri veprime, pas tarifës së vendosur nga Trumpi.

“Së pari, të nisë menjëherë negociatat me administratën amerikane për një marrëveshje tregtie të lirë. Pezullimi të vlejë deri në arritjen e kësaj marrëveshjeje. Së dyti, të zhvillojë një strategji konkrete se si të përfitojë maksimalisht nga ky momentum i ri, pra një tregti pa barriera me SHBA-në. Kjo në kuptimin e tërheqjes së investimeve të huaja dhe rritjes së bashkëpunimit biznesor dhe tregtar. Së treti, një strategji e tillë nuk vlen më shumë se letra dhe ngjyra e harxhuar për të, nëse nuk fillon menjëherë zbatimi i saj”, ka thënë ai.

Vitin e shkuar Kosova eksportoi mallra në vlerë 39 milionë euro drejt Shteteve të Bashkuara, ndërsa importet arritën pikën më të lartë deri tash, 106.5 milionë euro.

Sipas procedurës, marrëveshjet për tregti të lirë duhet të nisin përmes negociatave të cilat varësisht nga marrëveshjet zgjasin me vite dhe në fund pas nënshkrimit duhet të ratifikohen edhe në Kuvend.

E fundit është ajo që Kosova ka nënshkruar me Asociacionin Evropian për Tregti të Lirë (EFTA), ku bëjnë pjesë Islanda, Lihtenshtajni, Norvegjia dhe Zvicra. Negociatat për të kanë zgjatur rreth 3 vjet, ndërsa dokumenti ende nuk është ratifikuar në Kuvend.

Kosova e ka në fuqi Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit (MSA) me Bashkimin Evropian që ka hyrë në fuqi nga prilli i 2016-s, Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë me Evropën Qendrore (CEFTA), përfshin 7 vendet joanëtare të BE-së: Shqipërinë, Bosnjë-Hercegovinën, Maqedoninë e Veriut, Moldavinë, Malin i Zi dhe Serbinë, si dhe ka Marrëveshje të tregtisë së lirë me Turqinë.