Historianit të Ballkanit, Roland Muller, më fort ia ka vrarë sytë arkitektura kaotike e pa plan e Prishtinës. “Kam qenë edhe në vitin 2008 dhe pashë ndryshime drastike në Kosovë. Zhvillim i hovshëm në Kosovë, ndërtime të shumta, ndërtime të larta, por në infrastrukturë mungojnë shumë gjëra”, thekson Mulleri, duke pyetur: “A është e projektuar?” “Dhe është një pikëpyetje për ne prej nga gjithë ky buxhet që po vjen për zhvillimin e Kosovës”, thekson ai
Biblioteka Kombëtare e Kosovës është pika e parë e ndaljes e turistëve zviceranë të profesioneve të ndryshme, si politikanë, profesorë universitarë, inxhinierë, arkitektë, mjekë e të tjerë, në mëngjesin e së martës me shi në Prishtinë.
Ata janë organizuar e shoqëruar nga veprimtari i mërgatës, Gani Demi nga Gjilani, ku edhe kanë qëndruar në ditët e para të vizitës.
Zhvillimi i hovshëm që i habit edhe zviceranët
Këtu, ciceroni Muamer Hasani u tregon se ndërtesa u projektua nga arkitekti kroat, Andrija Mutnjakoviq. Brenda saj, turistët nëpërmjet fotografive dhe ciceronit mësojnë shkurtazi copëza historie prej kohës së rilindësve deri te koha e lirisë, kur studentëve iu kthye biblioteka e tyre.
Biblioteka Kombëtare e Kosovës nuk ka ndryshuar. Ka mbetur si shenjë dalluese e arkitekturës brutaliste të socializmit jugosllav.
Historianit të Ballkanit, Roland Muller, më fort ia ka vrarë sytë arkitektura kaotike e pa plan e Prishtinës.
“Kam qenë edhe në vitin 2008 dhe pashë ndryshime drastike në Kosovë, ndryshime drastike. Zhvillim i hovshëm në Kosovë, ndërtime të shumta, ndërtime të larta, por në infrastrukturë mungojnë shumë gjëra”, thekson Muller, duke pyetur: “A është e projektuar?”
“Dhe është një pikëpyetje për ne prej nga gjithë ky buxhet që po vjen për zhvillimin e Kosovës”, shton ai.
Mendim të ngjashëm kanë edhe turistët arkitektë, si Marianne Wagner.
“Me profesion jam arkitekte dhe me vëmendje shumë të madhe po i shikoj ndërtimet e shumta, ndërtimet e reja në Kosovë dhe po shpresoj se këto ndërtime të larta të reja do të mirëmbahen dhe do të jetojnë gjatë bashkë me Kosovën”, thekson ajo. “Kam frikë se do të ketë probleme më vonë, sepse infrastruktura përcjellëse nuk është ajo që duhet për këto ndërtime të larta, duke filluar nga kanalizimi, ujësjellësi, rryma dhe rruga”.
Prej tempullit të dijes, zviceranët marrin udhë drejt katedrales që mban emrin e shenjtores shqiptare, Nënë Tereza. Përbalten derisa kalojnë përgjatë rrugës ndërmjet Fakultetit Filologjik dhe parkingut që ende nuk ka përfunduar në hapësirën që dikur ishte park dhe ku qëndronte shtatorja e profesorit të vrarë nga forcat serbe, Fehmi Agani, dora e djathtë e presidentit historik, Ibrahim Rugova.
Rrëfimi i (pa)njohur për “Heroinat”
Në katedrale qëndrojnë nja 20 minuta para se të lëshohen shkallëve teposhtë, për të kaluar pranë shtatores së dytë të Rugovës në qendër të Prishtinës. Kujdesin e shtojnë teksa kalojnë pranë stacionit të trafikut urban në hapësirën që jozyrtarisht njihet nga prishtinasit si “Tre sheshirat”. Ciceroni Hasani u tregon se emrat e rrugëve – shumë prej të cilave u ndërrohen emrat varësisht prej ndërrimit të pushteteve – nuk bëjnë punë në Kosovë.
“Këtu orientohemi më shumë me objekte”, thekson ai para Pallatit të Rinisë, por që shumëkush ende i referohet si “Boro Ramizi”.
Përballë, zviceranët ndalen para monumentit “Heroinat”, kushtuar grave që sakrifikuan në luftën e fundit.
“Më la përshtypje të mëdha ky memorial, sepse gratë anembanë botës, janë caqe, andaj më la shumë përshtypje se është një memorial për të gjitha gratë që janë përdhunuar në luftë. Unë mendoj se e njohim vuajtjen dhe sakrificën e tyre, sepse ato u përdorën si instrument në luftë, andaj kjo flet për to”, thekson Ursulla Marti, deputete e Parlamentit të Kantonit të Bernës. Ajo nuk kishte shumë informacione për përdhunimet. “Memoriali është shumë i rëndësishëm që të dihet më shumë për to dhe që ato të ndihmohen, të ndihmohen fëmijët e këtyre grave, andaj është shumë e rëndësishme”.
Matanë rrugës, një zvicerane tjetër, hap krahët para W-së së monumentit, NEWBORN, që simbolizon shpalljen e shtetit të pavarur të Kosovës. Nja tridhjetë metra më larg, ciceroni u rrëfen të tjerëve për bustin kushtuar sekretares së ndjerë amerikane të Shtetit, Madeleine Albright, për mbështetjen vendimtare të çlirimit të Kosovës.
Për të vazhduar drejt cakut të radhës, turistët përshkojnë qendrën. Ndërtesat e vjetra do të zhbëheshin pas Luftës së Dytë Botërore. Maksima e pushtetit socialist – “Rrëno të vjetrën, ndërto të renë!” – e la Prishtinën pa pjesën qendrore. Zona e parë e qytetit deri në Luftën e Dytë Botërore kishte stil oriental.
Çarshia e Vjetër është zëvendësuar me ndërtesat ku sot zënë vend institucionet më të larta të vendit. Por, në Çarshi nuk pësoi vetëm arkitektura.
Tash zona e vjetër e qytetit, me krejt problemet që ka, paraqet një stil tipik mesjetar, otoman, me Hamamin, Kullën e Sahatit dhe xhamitë. Ora digjitale në xhaminë e madhe u lë përshtypje turistëve nga shteti helvetik.
Shenjat e jetës qytetare që bëhej nën Perandorinë Osmane identifikohen me rrugicat e ngushta, dyqanet në të dyja anët, e kalldrëmi që sot është i pakët. Kjo zonë përditë humb edhe ato pak gjurmë të së kaluarës. Edhe kur u tentua, restaurimi rezultoi me shkatërrim.
Përreth asaj që njihet si “Prishtina e Vjetër” socializmi la gjurmët e veta. Modernizimi, si rrymë e re e arkitekturës, në ish-Jugosllavi erdhi më vonë. E në Kosovë tek pas viteve ’60. Brutalizmi i shquar me masivë betoni u bë shenja dalluese edhe për objektet e reja të asaj kohe.
Gani Demit i vjen mirë që zviceranëve po u lë përshtypje të mira Kosova, duke respektuar edhe traditat e vendasve. Zviceranët e pranojnë se e kanë pak të sikletshme të zbathen e mbathen në hyrje të xhamisë.
Arkitektja Wagner shikon detajet e arkitekturës së tempujve të islamit. Ajo u ka ligjëruar studentëve shqiptarë në Zvicër, të cilët i kishin folur për traditat e vendlindjes së prindërve.
“Përshtypja ime është se njerëzit janë shumë miqësorë nëpër rrugët e Prishtinës kur po na shohin, apo në vendet e tjera që i kemi vizituar. Ata kanë qejf të na shohin dhe më duket se janë shumë të lumtur kur po na shohin se po e vizitojmë Kosovën”, thekson ajo. “Në Kosovë po vërehet miqësia ndërmjet popullit shqiptar dhe zviceran. Kjo po vërehet nga mënyra se si na shohin”.

“Edhe Zvicra ka përfituar nga shqiptarët...”
Të mërkurën, Wagner dhe bashkatdhetarët e saj kanë vizituar Graçanicën, ku gjithkah syri u ka rrokur flamuj të Serbisë. Zviceranët kanë dëgjuar versionin serb për Manastirin që mbrohet nga UNESCO-ja. Prej qytezës me shumicë serbe, turistët nisen drejt Gazimestanit, për të cilin ka lexuar shumë historiani Roland Muller.
“Pak gjëra më kanë shpëtuar pa i parë e lexuar për Ballkanin. Kosovën e kam vizituar më 2007 dhe 2008, qëllimi im më i madh dhe i parë ka qenë me vizitu Gazimestanin që ta shihja se pse është ai vend aty dhe pse është politizuar deri në atë shkallë derisa unë kam lexuar diçka ndryshe”, thekson Muller në gjermanisht, derisa Demi na përkthen. “Kam pasur simpati për krejt Jugosllavinë, por simpatinë më të madhe e kam për Kosovën. Sfida më e madhe ka qenë se si keni mundur ta përballonit regjimin serb”.
Muller është mahnitur me zhvillimin e Kosovës pas luftës pavarësisht mungesës së një planifikimi të mirëfilltë. Më shumë preferon të flasë për edhe rolin e diasporës.
“Nga diaspora nuk përfiton vetëm Kosova, sepse përfiton edhe Zvicra dhe sipas mendimit tim, diaspora e luan një rol shumë të madh të përfitimit të dyanshëm. Ne kemi marrë fuqi punëtore viteve shtatëdhjetë prej këtu dhe nuk mund të harroj assesi kontributin e tyre për zhvillimin e shtetit tonë”, thekson Muller.
Demi tregon lidhjet e shqiptarëve me Zvicrën, sidomos pas fluksit të azilkërkuesve shqiptarë që po largoheshin nga represioni sistematik i Jugosllavisë së Serbisë. Ai thotë se shqiptarët janë ndihmuar shumë nga vendasit. Zviceranët i kërkuan që t’u printe në vizitën e tyre.
“Iniciativa ka nisur prej tyre jo prej nesh edhe më 2019. E në këtë grup sot është vetëm Hans Peter Berger”, thekson Demi, teksa i referohet mjekut zviceran, i cili ka ndihmuar edhe financiarisht aktivitetin e diasporës në Zvicër për ndihmë Kosovës në kohën e pushtimit.
Gërshetim kulturash
Mjeku e politikani, Hans Peter Berger, mbështetës i madh i luftës së shqiptarëve për pavarësinë e Kosovës, është kthyer sivjet.
“Në vitet tetëdhjetë kishte shumë jugosllavë që po punonin në Zvicër, kështu që prej përvojës tonë fillestare të praktikës si mjek, kishte shumë pacientë shqiptarë, boshnjakë dhe të tjerë që vinin për kontrolle dhe kishim përvoja të mira dhe të këqija”, thekson Berger, kryetar i Partisë Socialdemokrate në Berneroberland. “Por shqiptarët ishte e lehtë të trajtoheshin, sepse kishin më shumë njohuri në gjuhën gjermane se etnitë tjera. Dhe ne kishim shumë pacientë shqiptarë”.
Demi thotë se duhen ruajtur e fuqizuar lidhjet me Zvicrën.
Gërshetimi i kulturave të ndryshme në një qytet si Prishtina e bën më atraktiv kryeqytetin e republikës më të re evropiane.
Berger i përcjellë zhvillimet kryesore politike e kulturore të lidhura me Ballkanin.
“Andaj, këtu shihet një pikëtakim i kulturës jug-veri dhe lindje-perëndim. Ka shumë gjëra që kanë ndodhur në Kosovë, dhe jo vetëm në Kosovë, pra ka shumë zhvillime që kanë ndikuar në mbarë jetën shoqërore dhe politike”, thekson ai.
Dhe për ndikimin e pushtuesve dhe zhvillimeve politike kanë mësuar edhe në tyrben e Sulltan Muratit.
Wagner është mahnitur me energjinë e qytetarëve të Kosovës.
“Ju falënderojmë për gjithçka. Popullit të Kosovës dhe Kosovës ua dëshiroj të gjitha të mirat me shpresën më të madhe dhe me dëshirën më të madhe që Kosova të ecë përpara me këtë hov të madh që e ka”, thekson ajo.
Dhe derisa zviceranët do të kthehen në shtetin helvetik, qytetarët e Kosovës po numërojnë ditët deri më 13 tetor – në pritje të lajmeve nga Brukseli, ku shpresohet se më në fund do të merret vendimi që kosovarëve t’u hiqen vizat që të vizitojnë jo vetëm familjarët e tyre anembanë shteteve të zonës së Schengenit. Por edhe më shumë.