Autoritetet kosovare kanë humbur arbitrazhin me kompaninë “Contour Global”, me ç'rast do të detyrohen t'i paguajnë dëmshpërblim 20 milionë euro.
Këtë e ka konfirmuar për KOHËN Ministria e Drejtësisë, duke bërë me dije se vendimi final është analizuar dhe i njëjti do të sfidohet në gjykatën civile në Mbretërinë e Bashkuar.
“Avokatura Shtetërore e ka pranuar vendimin final të Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit, (ICC). Vendimi i Arbitrazhit e obligon Republikën e Kosovës që t`ia paguajë Countur Global-it shumën prej 20,053,125.63 euro. Avokatura Shtetërore dhe përfaqësuesi ligjor i kontraktuar e kanë analizuar vendimin final të arbitrazhit dhe i njëjti do të sfidohet në gjykatën civile në Mbretërinë e Bashkuar”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.
Kompania amerikane e kishte çuar në arbitrazh Kosovën në dhjetorin e 2020-s lidhur me termocentralin “Kosova e Re”.
Sipas njoftimit, më 24 maj 2020 ishte paraparë të bëhej mbyllja e këtij projekti, por dështimi i arritjes në kohë dhe dështimi i disa tentativa për zgjidhje të kontestit ka bërë që investitori të çojë Kosovën në Arbitrazh.
“Qeveria e Kosovës, përkatësisht Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit, në bashkëpunim me Avokaturën e Shtetit ka marrë masa që ky proces të ndiqet dhe çështja të mbrohet në mënyrën më të mirë të mundshme”, thuhet në njoftim të MEA-së.