Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës të mërkurën ka thënë se ende nuk ka marrë asnjë informacion për arrestimin e një ish-pjesëtari të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në pikën kufitare në Horgosh, që lidh Hungarinë me Serbinë. Sipas Ministrisë, ka dyshime se ky arrestim mund të jetë i fabrikuar me qëllim propagandimi nga Qeveria e Serbisë. Pa informacione, autoritetet e Kosovës janë edhe për një arrestim që ka ndodhur në korrik të këtij viti.
Por kur kanë kaluar katër ditë nga ky arrestim i pretenduar, Ministria e Jashtme e Kosovës është ende në pritje të përgjigjes nga autoritetet e Serbisë dhe ato ndërkombëtare.
“Lidhur me deklaratat e zyrtarëve qeveritarë dhe mediave vendore të Serbisë për arrestimin e shtetasit të Republikës së Kosovës me inicialet M.I. nga autoritetet e policisë kufitare të Serbisë më 12 tetor 2024 në vendkalimin kufitar Serbi-Hungari në Horgosh, Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi ende nuk ka pranuar përgjigje nga Zyra ndërlidhëse e Serbisë në Kosovës të kërkesës për sqarime rreth këtij rasti, përfshirë, konfirmimin e arrestimit, rrethanat e arrestimit, si dhe identitetin e plotë të personit të arrestuar dhe vendin ku është duke u mbajtur. Po ashtu, jemi në pritje edhe të përgjigjes për detajet e rastit edhe nga misionet diplomatike të vendeve të Kuint-it të akredituara në Serbi dhe Delegacionit të BE-së në Serbi”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë për KOHËN.
Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Serbi, sipas Ministrisë, nuk ka pranuar konfirmim të rastit as nga EULEXI, përfshirë qartësimin e identitetit (emri dhe mbiemri) të të arrestuarit.
Në raste kur shtetasit e Kosovës ndalohen në Serbi, Ministria ka thënë se u lejohen telefonatat për t’i informuar familjarët. Në rastin e M.I., Ministria thotë se nuk është informuar askush.
“Ajo që mbetet ende për t’u qartësuar është se për dallim nga rastet e mëhershme të kësaj natyre, autoritetet policore serbe çdo herë me rastin e arrestimin të shtetasve të Republikës së Kosovës, menjëherë pas ndalimit, u kanë lejuar atyre një thirrje telefonike familjarëve të tyre, për t’i informuar ata rreth ndalimit të tyre, ku pastaj këta familjarë kanë informuar ose institucionet e Qeverisë së Kosovës ose mediumet informative. Ajo që është indikativë lidhur me këtë rast është se as pas dy ditëve të njoftimit për arrestim, asnjë prej familjarëve të personit të arrestuar, nuk ka njoftuar për rastin as institucionet e Qeverisë së Kosovës apo dikën nga mediumet informative të Republikës së Kosovës”, vijon përgjigja e tyre.
Një zhvillim i tillë, siç thotë Ministria e drejtuar nga Donika Gërvalla, lë vend për dyshime që deklaratat për arrestime të tilla mund të jenë të fabrikuara dhe që kanë qëllime propagandistike të establishmentit qeveritar dhe shtetëror të Serbisë.
“Megjithatë, ditët në vijim mbetet të qartësohet, nëse kemi të bëjmë me një arrestim të ndodhur të shtetasit të Republikës së Kosovës me inicialet M.I., apo është një veprim i sajuar me qëllime politike dhe propagandistike të Serbisë”, thuhet tutje në përgjigje.
Edhe për F.K., që pretendohet se u arrestua në korrik nga Serbia, Ministria nuk ka asnjë konfirmim zyrtar për identitetin apo arrestimin e tij.
Më 15 tetor (dje), pas rreth gjashtë muajsh paraburgim, kosovari Sadik Duraku, i arrestuar nga Serbia nën dyshime për krime lufte, u lirua.
Në burg për gjoja krime lufte janë edhe dy shtetas kosovarë në Serbi. Hasan Dakajt i është shqiptuar dënimi prej një viti. Sipas Ministrisë, ai pritet të lirohet më 4 janar të vitit të ardhshëm.
Ndërsa ndaj Nezir Mehmetajt tash e dy vjet e gjysmë po zhvillohen seancat gjyqësore.