Arbëri

Kosova, e vetmja që s’mund të bashkëpunojë për verifikim të pasurisë së zyrtarëve

Deklarimi i pasurise

“Kosova nuk është anëtare e Traktatit për shkëmbimin e informatave lidhur me verifikimin e pasurisë. Është një traktat i cili është nënshkruar nga të gjitha shtetet rajonale. Nuk e di çka e ndalon Kosovën. Ka qenë pjesë e hartimit të këtij traktati, ky është nënshkruar nga të gjitha vendet e Ballkanit në vitin 2019 dhe është i depozituar në Serbi, sepse vend depozitar është Serbia”, ka thënë drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Yll Buleshkaj

Kosova nuk mund të llogarisë në bashkëpunimin me vendet e rajonit për qëllim të verifikimit të pasurisë së zyrtarëve publikë. Kjo për shkak se shteti nuk e ka nënshkruar “Traktatin ndërkombëtar për shkëmbimin e të dhënave për verifikimin e deklaratës së pasurive”.

Drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Yll Buleshkaj, në forumin “Fol Hapur”, të organizuar nga lëvizja “Fol”, ka thënë se shkaku i kësaj asnjë institucion rajonal nuk obligohet të bashkëpunojë me Agjencinë.

“Kosova nuk është anëtare e Traktatit për shkëmbimin e informatave lidhur me verifikimin e pasurisë. Është një traktat i cili është nënshkruar nga të gjitha shtetet rajonale. Nuk e di çka e ndalon Kosovën. Ka qenë pjesë e hartimit të këtij traktati, ky është nënshkruar nga të gjitha vendet e Ballkanit në vitin 2019 dhe është i depozituar në Serbi, sepse vend depozitar është Serbia”, është shprehur Buleshkaj.

Ai ka shtruar nevojën që sa më parë Kosova të bëhet pjesë e këtij Traktati.

“Kosova po besoj që duhet t’i shohë mundësitë për ta ratifikuar këtë traktat në mënyrë që ne pastaj të kemi mundësi të lehta për t’iu qasur informatave përmes institucioneve simotra në rajon”, ka theksuar Buleshkaj, i cili detyrën e drejtori të AKK-së e ka marrë në fund të vitit të kaluar.

Buleshkaj në një përgjigje për KOHËN ka thënë se traktatet ndërkombëtare bien në domenin e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe asaj të Drejtësisë dhe se sqarimet për mungesën e nënshkrimit të tij duhet të merren tek këto institucione.

E në Ministrinë e Drejtësisë kanë thënë se negociatat për një traktat të tillë i kishte nisur Agjencia, pa autorizim të MPJ-së.

“Në këtë drejtim kemi ardhur në përfundim që negociatat duhet të fillojnë vetëm pasi Ministria përkatëse të japë autorizim lidhur me fillimin dhe zhvillimin e negociatave përkatëse për t’u bërë palë në këtë traktat. Pra, procedura që është ndjekur nuk ka qenë në përputhje me Ligjin për marrëveshjet ndërkombëtare. Tutje, sipas informacioneve që kemi pasur asokohe, në këtë draft-traktat Republika e Kosovës nuk është trajtuar e barabartë si shtetet e tjera”, thuhet në një përgjigje të shkruar që Ministria e Drejtësisë ia ka dhënë KOHËS.

E Ministria e Punëve të Jashtme nuk u ka kthyer përgjigje pyetjeve që KOHA i ka adresuar për këtë çështje.

Në “Fol Hapur” Buleshkaj ka folur edhe për orën “Rolex” që kryeministri i Katarit ia ka dhënë si dhuratë ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla. Kreu i AKK-së ka thënë se ajo është deklaruar si dhuratë protokollare dhe se do të ruhet brenda institucionit.

“Kabineti i ministrit na ka kontaktuar si zyrë menjëherë pas arritjes nga vizita, na ka pyetur për procedurat se si duhet të ndiqen në lidhje me këtë dhuratë dhe na kanë thënë që dhurata pa marrë parasysh edhe nëse ministri mund ta mbajë vetë, nuk dëshiron ta mbajë vetë, por do ta lërë në institucion, qoftë për vlerën, qoftë për punën që i është dhënë në një vizitë zyrtare e nuk i është dhënë në vizitë private”, ka deklaruar Buleshkaj.

Sipas Ligjit për deklarim të pasurisë, dhurata protokollare konsiderohen dhuratat e sjella nga përfaqësuesit e vendeve të huaja dhe të organizatave ndërkombëtare gjatë vizitave dhe rasteve të tjera dhe dhuratat e sjella në kushte të ngjashme.

Në këtë forum Buleshkaj ka folur edhe për çështje të tjera dhe ka thënë se në Agjenci sfidë e kanë mungesën e stafit adekuat për ta zbatuar mandatin.

“Ka sfida të njëpasnjëshme, të cilat deri më tani nuk është se kemi pasur vështirësi që t’i tejkalojmë. Ato që janë pak më të vështira është mungesa e stafit të agjencisë, adekuat për ta zbatuar mandatin. E kemi një numër të caktuar po ai numër besoj që është i vogël në mënyrë që ne më shpejt dhe më mirë t’u shërbejmë qytetarëve dhe zyrtarëve, të cilët janë të obliguar të na raportojnë”, ka theksuar Buleshkaj.