Arbëri

Kosova e uron Trumpin, liderët “me padurim” presin bashkëpunimin

Menjëherë pasi u konfirmua triumfi i Donald Trumpit në garën presidenciale në Shtetet e Bashkuara, atij i janë përcjellë urime nga udhëheqësit shtetërorë të Kosovës dhe liderët e subjekteve opozitare. Që të gjithë kanë shprehur pritje për bashkëpunim e edhe për avancim të raporteve strategjike me SHBA-në.

Entuziastë për të bashkëpunuar me presidentin e ri të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, janë shprehur liderët shtetërorë të Kosovës.

Pak orë nga fitorja e tij, presidentja Osmani ka shkruar se SHBA-ja mbetet partner i palëkundur dhe aleat i domosdoshëm i Kosovës.

“Mezi pres të punoj me administratën e re për t’i thelluar më tej lidhjen tonë unike dhe aleancën strategjike. Zoti e bekoftë Amerikën, lideren e botës së lirë”, ka thënë presidentja Osmani.

E, kryeministri Albin Kurti shkroi se me padurim pret bashkëpunimin me Trumpin.

“Urime president Donald Trump në fitoren tuaj elektorale. SHBA-ja është aleat kyç, mike dhe partner i Kosovës dhe presim me padurim të punojmë së bashku për përparim dhe paqe”, u shpreh kryeministri Kurti.

Trumpi është uruar edhe nga kryeparlamentari Glauk Konjufca.

“Mezi pres që të fillojmë punën me administratën e re amerikane, për të thelluar edhe më tutje raportet tona të shkëlqyera. SHBA-ja është kryealeati ynë, me të cilin ndajmë vlerat, synimet dhe interesat, të cilat jam i bindur se do t’i shtyjmë përpara edhe më tutje gjatë mandatit të presidentit Trump”, ka deklaruar Konjufca.

Nga Kosova, presidentit të ri të SHBA-së, urime i kanë bërë edhe liderët opozitarë.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, shkroi për mundësi të reja bashkëpunimi.

“Ndërsa Kosova vazhdon përpjekjet që të ndërtojë një të ardhme më të mirë, ne ritheksojmë përkushtimin e plotë për forcimin e aleancës sonë më të rëndësishme, duke rifuqizuar raportet Kosovë – SHBA përmes mundësive të reja për bashkëpunim, zhvillim, paqe e stabilitet në rajonin tonë”, ka thënë Krasniqi.

E, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, vuri në pah synimin për “rikthim të Kosovës në agjendën e Uashingtonit”.

“Rikthimi i Kosovës në agjendën e Uashingtonit është interes nacional i popullit të Kosovës. Pa SHBA-në ecja e Kosovës si shtet i ri e në konsolidim ndërkombëtar është e pamundur! Në Qeverinë e ardhshme, këto lidhje do të rikuperohen e mirëmbahen si orientime të pandryshueshme, të pathyeshme, të pazëvendësueshme!”, ka thënë Abdixhiku.

Ndërkaq, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, shprehu pritjet nga administrata e re amerikane.

“Nën udhëheqjen e presidentit Trump kemi krijuar Ushtrinë e Kosovës, jam i bindur se, nën drejtimin e tij, Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë të qëndrojnë si aleati ynë më i fortë dhe i palëkundur. Në këtë rrugëtim për konsolidimin e shtetit dhe synimin tonë afatshkurtër drejt anëtarësimit direkt në NATO, mbështetja e SHBA-së mbetet kyç”, ka deklaruar Haradinaj.

Gjatë mandatit presidencial, Trump u bëri presion lidershipit të Kosovës dhe Serbisë për marrëveshje. Në fund të mandatit, një e tillë u firmos në Shtëpinë e Bardhë, e krahas saj u sigurua edhe njohja e pavarësisë nga Izraeli.