Arbëri

Kosova e Serbia, fitore të vogla apo marrëveshje për zgjidhje të plotë?

Në shkurt 2008, Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia. Ajo u njoh nga Shtetet e Bashkuara dhe shumica e Bashkimit Europian, por pavarësia e saj u kundërshtua nga Rusia dhe Kina.

Në vitet që pasuan, një fushatë e fortë diplomatike pa mbi 100 anëtarë të Kombeve të Bashkuara të njihnin Kosovën.

Por në vitin 2015, gjërat filluan të ndryshonin kur Serbia me sukses parandaloi anëtarësimin e Kosovës në UNESCO. I inkurajuar nga kjo fitore, Beogradi filloi të lobonte që vende të ndryshme të tërhiqnin pas njohjen e tyre për Kosovën.

Në tetor 2017, kjo fushatë dha frytet e saj të para kur Suriname “e çnjohu” Kosovën. Në shkurt 2018, Burundi bëri të njëjtën gjë.

Në fillim, disa argumentonin se lëvizje të tilla nuk ishin të mundshme ligjërisht.

“Megjithatë, ndërsa numri shtohej – raporti aktual i çnjohjeve të pretenduara nga Beogradi thotë se tashmë janë 15 vende që e kanë bërë këtë, i fundit është Togo, në fund të gushtit, gjendja shpirtërore në Prishtinë ka ndryshuar. Tani ka një ndjenjë në rritje zhgënjimi në lidhje me situatën, sidomos pasi ka pasur vetëm një njohje të re – nga Barbadosi, në shkurt 2018 – për të luftuar humbjet, shkruan James Ker-Lindsay, profesor në LSEE – Kërkime mbi Europën Juglindore (Instituti Europian, Shkolla e Londrës për Shkenca Politike dhe Ekonomike), përcjell Dita.

Është pretenduar se Serbia ka përdorur mënyra të pista për të siguruar disa nga këto tërheqje, sidomos atë të Republikës së Afrikës Qendrore. Shumë gjithashtu dyshojnë se Beogradi është ndihmuar nga Moska.

Të dy pretendimet janë ndoshta të vërteta. Patjetër që nuk janë të habitshme.

Në fund të vitit të kaluar, Kosova vendosi një tarifë prej 100 për qind për mallrat serbe në shenjë hakmarrjeje ndaj fushatës kundër njohjes nga ana e Beogradit.

Tashmë situata është bllokuar pa shpresë.

Të dy palët kanë aleatët e tyre kryesorë në Këshillin e Sigurimit të cilët nuk do të ndryshojnë qëndrimet e tyre. Kosova ka Shtetet e Bashkuara, Britaninë dhe Francën. Serbia ka Rusinë dhe Kinën.

Këto aleanca nënkuptojnë dy gjëra. Së pari, Kosova është këtu për të qëndruar si një shtet i pavarur. Së dyti, ajo nuk mund të sigurojë dot anëtarësimin në Kombet e Bashkuara.

Në këtë kontekst, loja e shifrave nuk është aq e rëndësishme sa mund të duan të mendojnë disa. Çështja kryesore e anëtarësimit në Kombet e Bashkuara nuk do të ndryshojë nëse disa vende afrikane ose aziatike ndryshojnë qëndrimin e tyre për njohjen e Kosovës.

Nisur nga kjo, duhet të pyetet nëse ia vlen që Beogradi dhe Prishtina të shpenzojnë kapitalin diplomatik dhe burimet financiare, duke luftuar kundër shteteve të vogla që nuk mund të ndryshojnë ekuacionin themelor? – pyet James Ker-Lindsay dhe përgjigjet:

“Qasja më konstruktive do të ishte që të dyja palët të ktheheshin në status quo ante dhe t’i mbajnë betejat e hidhura mbi njohjen larg procesit të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja. Për Kosovën, kjo mund të ngjajë si një zmbrapsje e madhe. Nuk duhet parë në këtë mënyrë. Edhe një herë, beteja mbi njohjet e vogla nuk është ndonjë gjë e rëndësishme. Rëndësi ka anëtarësimi në Kombet e Bashkuara dhe njohja e plotë ndërkombëtare e pa kontestuar. Dhe rruga për këtë kontrollohet nga SHBA-ja dhe vendet kryesore të BE-së që e njohin Kosovën. Prishtina duhet të punojë me ta, sidomos duke pasur parasysh zhvillimet e fundit”.

Emërimi i fundit i Matthew Palmer si Përfaqësuesi i ri Special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor tregon se Uashingtoni po planifikon të forcojë përpjekjet e tij për të arritur një marrëveshje përfundimtare historike midis Beogradit dhe Prishtinës.

Kjo në mënyrë të pashmangshme do të bazohet në njohjen e plotë ndërkombëtare të Kosovës. Krijimi i një Komisioni të ri Europian brenda dy muajve të ardhshëm gjithashtu do të forcojë përpjekje të tilla.

Për më tepër, ekziston një mënyrë për të shpëtuar për Prishtinën, nëse ajo dëshiron ta pranojë atë. Zgjedhjet e ardhshme në Kosovë nënkuptojnë se do të ketë një qeveri të re. Çdo administratë e re mund të heqë dorë nga tarifat në gjest mirësie për BE-në dhe SHBA-në – sesa për Serbinë.

As Serbia, as Kosova nuk munden ose nuk do të dalin fitimtare kundër tjetrës, nëse ato vazhdojnë betejën e tyre aktuale kundër njohjes, sidomos nëse ajo vazhdon të prishë punë në fusha të tjera.

Realiteti i thjeshtë është ato të dyja do të fitonin me një marrëveshje gjithëpërfshirëse që çon në një zgjidhje të plotë dhe përfundimtare, bazuar në njohjen e plotë të ndërsjellë. Në të kundërt, nëse ato vazhdojnë të fiksuara pas lojës së shifrave, mund të kenë fitore të vogla kundër njëra-tjetrës. Megjithatë, ato do të përballen me një ngërç të kushtueshëm që në mënyrë të pashmangshme do të ketë pasoja të dëmshme për qëndrimin e tyre të përgjithshëm ndërkombëtar – shkruan profesor Lindsay.