Arbëri

Kosova e Luksemburgu nënshkruajnë memorandum për mbështetjen e sektorit privat

Besnik Bislimi dhe Xavier Bettel

Foto: Driton Paçarada

Qeveria e Kosovës dhe ajo e Luksemburgut kanë nënshkruar memorandum mirëkuptimi të hënën, i përbërë nga dy fonde për mbështetjen e sektorit privat.

Zyra e Kryeministrit ka njoftuar se fondet në vlerë prej mbi 35 milionë eurove synojnë të mbështesin sektorin privat vendor për të promovuar inovacionin dhe për të përshpejtuar arritjen e objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm.

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi është shprehur se për katër vjetët e fundit, Kosova e Luksemburgu kanë qenë më pranë njëra-tjetrës, duke shtuar se shkëmbimet janë të rëndësishme.

“Shkëmbimet mes nesh dhe ndërlidhja mes kompanive të dy vendeve tona janë të rëndësishme për avancimin edhe më tej të raporteve mes Kosovës dhe Luksemburgut. Tek Kosova ju do të gjeni përherë një shtet partner, për të lëvizur bashkë drejt një ekonomie në rritje. Të kujdesemi që ta shfrytëzojmë në plotni potencialin që ofrohet nga ky bashkëpunim i yni drejt ndërtimit të një të ardhme të qëndrueshme për qytetarët tanë”, është shprehur Bislimi, thuhet në komunikatë.

Ndërsa, homologu i Bislimit, Xavier Bettel, ka deklaruar se me Kosovën ka një besim reciprok.

Me Bettelin është takuar edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. Presidenca njoftoi se Osmani e ka falënderuar atë për mbështetjen dhënë Kosovës, duke i kërkuar që të vazhdojë me mbështetje për anëtarësim në Këshill të Evropës.

“Në takim, Presidentja Osmani falënderoi ministrin Bettel për mbështetjen e vazhdueshme të Luksemburgut për Kosovën dhe në të njëjtën kohë shtroi nevojën që ajo të vazhdojë me mbështetje për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Sipas Presidentes Osmani, Kosova vazhdon të mbetet e palëkundur në rrugën e saj drejt integrimit evropian, ndaj në këtë drejtim ka bërë përparim të dukshëm në fushën e demokracisë, sundimit të ligjit dhe të drejtave të njeriut. Më tej, Presidentja Osmani potencoi se progresi në Agjendën e Reformave Evropiane,  reflekton një gatishmëri të fortë për anëtarësim në BE”, thuhet në komunikatë.