Arbëri

Kosova e humbi mundësinë për ta kthyer Fondin Pensional nga Serbia

Pensionistet

Në mungesë të qasjes në Fondin pensional të marrë nga Serbia, Kosova do të detyrohet që të paguajë edhe 60 milionë euro shtesë në vit për pensionistët, të cilët janë larguar dhunshëm nga puna gjatë viteve ’90. Shteti ka humbur mundësinë për kthimin e fondeve, pasi nuk ka dërguar asnjë opinion në Komitetin e Ministrave në Këshill të Evropës, që është përgjegjës për mbikëqyrjen e zbatimit të vendimit të Gjykatës Evropiane për të drejtat e Njeriut, e cila përmes rastit Grudiq e obligonte Serbinë që të paguante pensionet e ndalura në vitin 1999

Vetëm 2 mijë nga mbi 60 mijë punëtorët nga Kosova, të cilët kanë kontribuuar në Fondin Pensional që kontrollohet nga Serbia, kanë mundur ta realizojnë të drejtën për pension, që u garantohet me vendimin e Gjykatës Evropiane të Strasburgut.

Shteti e ka humbur mundësinë për ta kthyer këtë fond, pasi nuk ka dërguar asnjë opinion në Komitetin e Ministrave në Këshill të Evropës, përgjegjës për mbikëqyrjen e zbatimit të vendimit të Gjykatës Evropiane për të drejtat e Njeriut, e cila nëpërmjet rastit Grudiq e pati obliguar Serbinë që t’i paguante pensionet e ndalura në vitin 1999.

Në mungesë të qasjes në fond, Kosova do të paguajë rreth 60 milionë euro në vit për punëtorët e larguar dhunshëm nga puna gjatë viteve ’90, krahas pensioneve të tjera.

Opinioni i vetëm që i ishte dërguar këtij komiteti ishte ai i Avokatit të Popullit. Sipas Avokatit të mëhershëm të Popullit, Hilmi Jashari, ky opinion ani se e pati sqaruar shumë mirë problemin, nuk është marrë parasysh.

“Në mungesë të reagimit të institucioneve të Kosovës, Komuniteti i Ministrave të Këshillit të Evropës në vitin 2017 e ka shpallur si rast të mbyllur dhe si çështje të përfunduar. Gjatë gjithë kohës ka pasur opinione nga Serbia që të përbishtënojë, që kjo çështje të diskutohet në kuadër të bisedimeve në Bruksel dhe ka ndodhur që edhe në atë kohë është diskutuar si mundësi që kanë konfirmuar të njëjtin qëndrim, edhe pse ka qenë propozim i palës serbe”, ka thënë Jashari.

Përfshirjen e çështjes në kuadrin e dialogut Kosovë-Serbi e ka kërkuar edhe pala kosovare.

Muhamet Mustafa, i cili ishte pjesë e ekipit negociator, ka thënë se janë parashtruar disa kërkesa në dialog lidhur me pensionet e që llogariten se janë rreth 950 milionë euro.

“Kemi pasur një mirëkuptim nga Komisioni Evropian që kjo çështje të marrë prioritet dhe të zgjidhet, pasi është konsideruar si çështje më e lehtë krahas të tjerave, siç janë dëmet e luftës, dhe ka qenë një orientim me këtë çështje. Kemi qenë afër një mirëkuptimi dhe kjo çështje është ndërprerë në dhjetor të 2020-s, pasi delegacioni serb bëri obstruksione dhe erdhi Qeveria tjetër me një agjendë të temave dhe kjo çështje nuk erdhi parasysh”, ka thënë Mustafa.

Por për Jasharin, diskutimi i çështjes në kuadrin e dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian është gabim.

“Komiteti i Ministrave në atë kohë e ka shpallur si çështje të mbyllur dhe tanimë edhe nëse tentohet mundësia e dialogut, pala serbe nuk do të pranojë të futet në proces, pasi nuk është në interes të saj dhe do ta minimizojë tendencën për ta futur në dialog, pasi që Komiteti i Këshillit i Ministrave e ka shpallur të mbyllur”, ka thënë ai.

Me vendimin e 17 prillit të 2012-tës të Gjykatës së Strasburgut, e drejta për kthimin e pensioneve të ndërprera më 1999 u ishte dhënë dy pensionistëve nga Mitrovica, me mbiemrin Grudiç. Ata, për të paraqitur ankesë në Strasburg, janë shpërngulur në Novi-Pazar, pasi që kjo gjykatë nuk i shqyrton ankesat e banorëve të shteteve të cilat nuk janë anëtare të Këshillit të Evropës.

Me këtë aktgjykim, sipas opinionit të Avokatit të Popullit, u është njohur e drejta edhe të gjithë paditësve potencialë, për marrjen e mjeteve nga Fondi për Sigurim Pensional dhe Invalidor (SPDIF).

Sipas të dhënave të prezantuara në këtë opinion, shuma e borxhit që Serbia ua ka pensionistëve të Kosovës ka qenë 1 miliard e 8 milionë euro e sipas Ministrisë së Financave shuma ishte 1 miliard e 50 milionë euro.

Në një përmbledhje të rasteve të gjykuara nga Gjykata e Strasburgut, në prillin e 2012-s, që është e publikuar në ueb-faqen e kësaj gjykate thuhet se pezullimi i pagesës së pensioneve nuk ka qenë në përputhje me ligjin përkatës të brendshëm (të Serbisë v.j.). Përfundimi ka qenë se në rastin e pezullimit të pensioneve ka pasur shkelje.

“Duke e pasur parasysh numrin e madh të aplikuesve potencialë, nga Qeveria e paditur (Qeveria e Serbisë v.j.) kërkohet që të marrë të gjitha masat e domosdoshme për të garantuar që autoritetet kompetente serbe të zbatojnë ligjet relevante me qëllim të sigurimit të pagesës së pensioneve dhe të borxhit në fjalë, andaj bëhet e qartë se disa procedura të arsyeshme dhe të shpejta faktike dhe/ose administrative të verifikimit mund të jenë të nevojshme”, thuhet në shënimin për këtë rast.

GLPS-ja e quan shkelje të të drejtave të njeriut paraqitjen e pensionistëve çdo 6 muaj

Grupi për Studime Juridike dhe Politike e ka quajtur shkelje të të drejtave themelore të njeriut kushtëzimin që iu bëhet pensionistëve për të dëshmuar që janë gjallë çdo gjashtë muaj, në mënyrë që t'i marrin pensionet. Në një letër drejtuar deputetëve, të enjten, thuhet se këtë shkelje e ka argumentuar edhe Institucioni i Avokatit të Popullit. Kjo organizatë ka reaguar edhe ndaj Projektligjit për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Skemat Pensionale të financuara nga shteti, duke thënë se nuk ka kaluar nëpër procedurën e konsultimit publik, me ç’rast është i kundërligjshëm dhe i dëmshëm.