Arbëri

Kosova duhet ta marrë kontrollin mbi procesin e normalizimit (II)

Asociacioni dhe kundërthëniet rreth tij

Për të ndihmuar në tejkalimin e kësaj dileme dhe qasjeje që të çon në ngërç, strategjia e presidentit të mëparshëm të Kosovës ishte të dilej përtej pritjeve të të dyja palëve, Serbisë dhe Kosovës, e mbase edhe bashkësisë ndërkombëtare në tërësi. Ideja ishte arritja e një ujdie të madhe që do ta maskonte disi pranimin e humbjes së Kosovës nga Serbia. Kështu edhe doli opsioni i shkëmbimit territorial, i zhvilluar prej të dy presidentëve.

Ideja e të dy presidentëve ishte që një zgjidhje e tillë do të ishte mjaftueshëm radikale, që për t’i dhënë hapësirë “fillimit të ri”, duke lënë në hije sakrificat e të pranuarit të ekzistencës së Kosovës. Ajo njëkohësisht do t’i ngjasonte mjaftueshëm konceptit të një Serbie të Madhe – ndonëse më të vogël – politikë të cilën Beogradi e ndoqi gjatë procesit të shpërbërjes së ish-Jugosllavisë. Një politikë e tillë pasqyron pretendimin se zonat e banuara me shumicë serbe duhet t’i takojnë Serbisë, po qe se kërkohej balancimi kur të tjerët do të shkëputeshin.

Tani, opsioni i shkëmbimit të territoreve nuk është më në dispozicion. Prandaj edhe Serbia ngulmon që ta arrijë të njëjtën me mjete të tjera.

Beogradi shpreson që bashkësia ndërkombëtare, apo më saktë BE-ja e mbështetur prej SHBA-së, do ta detyrojë Kosovën ta pranojë një sistem të administrimit territorial lokal serb, që do ta ruante kontrollin e Serbisë mbi pjesë të konsiderueshme të Kosovës. Asociacioni i komunave me shumicë serbe, ashtu siç parashihet nga Serbia, krahas dominimit të vazhdueshëm dhe kontrollit mbi qeverisjen, posaçërisht në rajonin e Mitrovicës Veriore, synon përafrimin me nocionin e Serbisë së Madhe, të paktën deri në një shkallë. Një gjë e tillë do të shkonte krahas statusit të propozuar të eksterritorialitetit të tokave dhe pronave të Kishës Ortodokse Serbe.

Refuzimi për t’iu qasur këtyre pikave do ta rrisë presionin ndërkombëtar mbi Kosovën për të bërë koncesione, e jo mbi Serbinë – palën që do të duhej të vihej nën presion ndërkombëtar për sigurimin e “normalizimit”, apo me fjalë të tjera, njohjes së Kosovës me emër tjetër.

Rreziku i humbjes së përparësisë strukturore

Duke qenë pasive dhe duke u dukur penguese, Kosova rrezikon ta humbë përparësinë strukturore që e ka në këtë proces. Ndonëse pozicionimi fillestar në fillet e mandatit të Qeverisë së re është i pranueshëm, tani ka ardhur koha që Kosova ta marrë bajrakun dhe ta fusë në duar procesin.

Marrja e iniciativës nënkupton që Kosova duhet t’i qëmtojë në mënyrë proaktive të gjitha pikat e tensionit, të eksploatuara nga Serbia deri më tani. Këto janë çështja e Asociacionit të Komunave, të drejtat e komuniteteve më në përgjithësi, si dhe çështja e Kishës Ortodokse Serbe dhe e pronave të saj. Kjo nënkupton që Kosova mund ta ruajë kontrollin mbi këto çështje, e jo t’i dorëzojë për negocim ndërkombëtar shkaku i rritjes së presionit nga jashtë.

Çështja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe është tejet kundërthënëse në Kosovë. Adresimi i saj do të jetë i vështirë dhe i kushtueshëm në aspektin e brendshëm politik. Opozita mund ta eksploatojë këtë çështje. Por, nëse Kosova nuk do që të tjerët t’ia imponojnë vizionin e tyre rreth asaj që do të duhej të përmbante ky Asociacion, atëherë Prishtina duhet ta zhvillojë vizionin dhe planin e saj për të, rrjedhimisht duke e hequr këtë çështje prej dialogut të normalizimit.

Mbi të gjitha, zotimet për krijimin e Asociacionit tashmë janë bërë nga Kosova, në marrëveshjen e Brukselit. Ndërkombëtarisht, ai zotim qëndron, pavarësisht prej ndërrimit të qeverisë, dhe me gjithë vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. E nevojshme është që Kosova ta miratojë ligjin e saj për zbatimin e këtij zotimi.

E tepërt është të thuhet se ai ligj duhet të jetë i balancuar dhe t’i respektojë elementet e dakorduara në Bruksel. Ligji duhet të jetë i mirëfillte – sepse në të kundërtën nisma e përpilimit të një ligji të premtuar do të ketë kundërefekt. Ka shumë të ngjarë që projektligji në fund të rishikohet nga Komisioni i Venecies i Këshillit të Evropës, apo ndonjë trup tjetër i pavarur ekspertësh.

Nga ana tjetër, ligji po ashtu do të duhej t’i bënte ballë llupës së Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, si dhe të siguronte mbështetje në Kuvendit të Kosovës. Një ligj i tillë do të ofronte asociacion modest, por të mirëfilltë të komunave, dhe përfundimisht jo rrafshin e tretë të pushtetit të kontrolluar nga Beogradi, të cilën mund ta synojë Serbia.

Kosova, po ashtu, do të duhej t’u qasej të gjitha komuniteteve, përfshirë qytetarëve serbë. Ajo duhet ta ndërmarrë rishikimin vetjak të legjislacionit për komunitetet, për të parë nëse ende ka nevoja që nuk janë adresuar. Nëse po, do të mund ta përmirësonte sistemin për ruajtjen e fuqizimin e identitetit kulturor të komuniteteve të saj, si përgjigje ndaj kërkesave të tilla – kërkesa të artikuluara në Kosovë, e jo në Beograd. Edhe kjo do ta eliminonte shkopin që përdoret ndaj Kosovës në kontekstin e procesit negociator në Bruksel.

E njëjta vlen për çështjen e Kishës Ortodokse Serbe. Aktualisht, parimet e Ahtisaarit, përfshirë Zonat e Veçanta të Mbrojtjes, e ofrojnë mbrojtjen e konsiderueshme fizike të lokacioneve me rëndësi të trashëgimisë kulturore. Megjithatë, ato njëkohësisht i izolojnë këto lokacione prej shoqërisë në përgjithësi dhe e pengojnë zhvillimin e tyre si pjesë e trashëgimisë kulturore të Kosovës, Serbisë dhe asaj botërore. Për më tepër, deri më tani, prijësit e Kishës Ortodokse Serbe nuk kanë qenë të gatshëm të bashkëpunojnë me autoritetet e Kosovës në ruajtjen e asaj trashëgimie. Fondet që janë vënë në dispozicion në buxhetin e Kosovës për atë qëllim kanë mbetur të pashpenzuara.

Sërish, Kosova duhet të jetë shumë e hapur në identifikimin e adresimin se çfarëdo çështjeje që del gjatë administrimit të kësaj trashëgimie kulturore, si dhe të ofrojë përmirësime aty ku njëmend janë të nevojshme, duke ngulmuar megjithatë që kjo është trashëgimi kulturore brenda Kosovës dhe juridiksionit të Kosovës.

Presioni mbi serbët lokalë

Posa të jetë përmbyllur ky proces, Kosova mund t’i bëjë bashkë rezultatet e arritura në çështjet e Asociacionit, të drejtave të komuniteteve si dhe të Kishës Ortodokse Serbë e t’i fusë në dialogun e normalizimit. Në këtë formë, ajo e ruan kontrollin mbi to, teksa i shmanget një raundi të ri negociatash për adresimin e sërishëm të çështjeve të trajtuara vazhdimisht në procesin Ahtisaari, gjë që do t’ia mundësonte Serbisë të kërkonte koncesione të radhës.

Nga ana tjetër, duke u përqendruar tek interesat e mirëfillta të serbëve lokalë dhe komuniteteve të tjera, ajo e rrëzon këmbënguljen e Beogradit se i duhet t’i mbrojë bashkëkombësit e saj në Kosovë.

Liderët lokalë serbë, përfshirë udhëheqjen e Kishës Ortodokse Serbe, padyshim se do t’i ekspozohen presionit nga Beogradi për t’i penguar përpjekjet e Kosovës, sado të mirëfillta, të adresimit të shqetësimeve dhe çështjeve legjitime të tyre. Megjithatë, ky fakt në vete do të jetë i indikator që bashkësia ndërkombëtare ta marrë parasysh.

Në të vërtetë, Serbia nuk është njëmend e interesuar në përmirësimin e gjendjes së serbëve që jetojnë në Kosovë. Ajo është e interesuar në ruajtjen apo sigurimin e kontrollit territorial, por këtë nuk mund ta thotë haptazi. Në vend të kësaj, mësymja për kontroll të tillë është e maskuar si pretendim për avancim interesash të bashkëkombësve të saj dhe Kishës Ortodokse Serbe.

Mënyra e përballjes me atë sfidë është që Kosova ta trajtojë cilindo shqetësim të mirëfilltë të komuniteteve etnike në Kosovë, në bashkëpunim të plotë me serbët lokalë, duke iu kundërvënë njëkohësisht përpjekjes për instrumentalizimin e fatit të tyre për hir të ruajtjes së kontrollit të Beogradit nëpërmjet satelitëve nëpër pjesë të Kosovës.

Duke i shtyrë që të tri çështjet dhe duke i futur në procesin e Brukselit me kushtet e veta, Kosova mund të bashkëpunojë me lehtësuesit e BE-së në rishikimin e zbatimit të të gjitha marrëveshjeve për normalizim të arritura me Beogradin deri më tani. Kësisoj, ajo mund ta rrisë presionin mbi Beogradin që t’i përmbushë obligimet që i ka. Njëkohësisht, diskutimet teknike rreth çështjeve me interes të përbashkët, përfshirë përdorimin e ujërave të Liqenit të Ujmanit dhe zhvillimin e lidhjeve të transportit e komunikacionit, mund të vazhdojnë.

Ngjashëm, nëse Prishtina shihet si palë konstruktive në proces, e jo si penguese e vazhdueshme, Kosova mund ta përshkallëzojë fushatën për ndriçimin e fatit të të zhdukurve dhe ta lehtësojë kthimin e artefakteve kulturore e të tjera, të marra nga Kosova. Shikuar nga ky rrafsh, ajo mund ta avancojë zgjidhjen e pretendimeve financiare, si dhe ta shtyjë përpara atribuimin e përgjegjësisë për të këqijat e së shkuarës.

Mbase më e rëndësishmja është që Kosova duhet ta kujtojë se negociata është arti i lejimit të palës tjetër që ta bëjë atë që e do vetë. Me fjalë të tjera, Prishtinës në një pikë do t’i duhet një qasje e pjekur dhe e gjakftohtë se si t’ia lehtësojë Beogradit shtegun drejt një pranimi ligjërisht të detyrueshëm të Kosovës si shtet, me gjithë pengesat e brendshme në Serbi.

Asnjë qeveri në Beograd nuk do të jetë e gatshme ndonjëherë që të bëjë harakiri në atë drejtim. Pos përshtatjes me status-quonë në aspektin afatgjatë (që po ashtu është opsion) të dyja palët do të duhej të bashkoheshin në gjetjen e një zgjidhjeje që e konfirmon statusin e Kosovës asisoj që të mund të ratifikohet prej Beogradit. Një gjë e tillë kërkon zgjidhje dhe koncepte novatore, brenda një mjedisi dhe nën paravanin e integrimeve të mëtejme rajonale e hapave të rinj bashkëpunimi. I domosdoshëm, po ashtu, do të jetë një element besimi dhe aftësie udhëheqëse prej të gjitha palëve. Është gjë e vështirë. Por, çfarë sjell Viti i Ri, nëse jo shpresë për një të ardhme më të mirë?

(Autori është profesor në Universitetin e Cambridgeit, Mbretëri e Bashkuar).

Kliko këtu për të lexuar pjesën e parë