Kosova duhet ta marrë bajrakun në raport me disa nisma me peshë ndërkombëtare, të cilat do të përzgjidheshin me kujdes. Do të mund të zgjidhte që ta fuqizonte profilin e saj ndërkombëtar, duke iu bashkuar shteteve që bëjnë fushatë për çështjet e lidhura me historinë e përvojat e saj, si për shembull, luftimi i dhunës seksuale në konflikte të armatosura, apo mbrojtja e ruajtja e trashëgimisë kulturore. Do të duhej të bëhej nikoqire e takimeve ndërkombëtare për këto tema, duke kontribuuar edhe në hartimin e dokumenteve juridike, si dhe duke i mbështetur publikisht nismat e këtij lloji. Pra, ajo duhet të jetë aktive dhe të shikojë përtej, e jo vetëm përbrenda
Fillimi i një viti të ri kërkon reflektim. Dhe, Kosova duhet ta shqyrtojë pozitën e rolin e saj në rrafshin ndërkombëtar, krahas kontributit që e jep në avancimin e paqes ndërkombëtare, si dhe të sigurisë në Evropë.
Në shikim të parë, duket se pozita e Kosovës në botë ka nisur të dobësohet gjatë viteve të kaluara. Në vitin 2015, Kosova nuk u pranua në Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë e Kulturë (UNESCO). Që nga ajo disfatë me një rezultat tejet të ngushtë, pjesërisht e vetëshkaktuar falë rrethanave të papërshtatshme kohore, numri i njohjeve të Kosovës ka pësuar rënie, prej gati dy të tretave të shteteve anëtare të OKB-së, në një shifër të hollë të vetëm gjysmës së anëtarësisë së Kombeve të Bashkuara. Serbia pohon me krenari e ndjenjë arritjeje se fushata e saj aktive e çnjohjeve i ka bindur rreth 18 shtete që t’i tërheqin njohjet e Kosovës.
Në kuptimin e ngushtë, një gjë e tillë natyrisht se nuk bën pjesë në çështje të së drejtës ndërkombëtare. Posa që një shtet ta konfirmojë se Kosova i përmbush kriteret e shtetësisë, tërheqja e njohjes në mungesë ndërrimi të konsiderueshëm të pozitës së saj, nuk e zhbën faktin se kualifikohet si shtet. Tërheqja e njohjes nuk nënkupton se Kosova nuk është më shtet, por vetëm se shteti që e tërheq njohjen, nuk do të ketë raporte formale diplomatike me Prishtinën.
Ndonëse një gjë e tillë vlen në kuptimin e ngushtë juridik, dëmet në aspektin politik sidoqoftë janë të konsiderueshme, teksa aludojnë në një trend rënieje të përshpejtuar në pozitën ndërkombëtare të Kosovës.
Në marrëveshjen e pamenduar mirë, të përgatitur nga ambasadori i presidentit Trump në Berlin, Richard Grenell, si dhe të nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë shtatorin e 2020-s, Serbia premtoi se do ta pezullonte fushatën e saj të çnjohjeve. Megjithëkëtë, synohej që zotimi të zgjaste për vetëm një vit. Në të vërtetë, marrëveshja e legjitimonte vazhdimin e përpjekjeve të Beogradit për çnjohje edhe pas skadimit të atij afati. Për më tepër, përkushtimi i Serbisë për ndërprerjen e përpjekjeve diskrete diplomatike për minimin e pozitës së Kosovës ishte i pamundur të verifikohej gjatë asaj periudhe kohore.
Derisa fushata e Beogradit ishte armiqësore dhe, si do të mund të argumentohej, përbente akt të ndërhyrjes së pajustifikueshme në drejtim të Prishtinës, Qeveria e Kosovës u pajtua që në shkëmbim të saj t’i pezullojë përpjekjet për anëtarësim në institucionet ndërkombëtare – që në vete përbën një veprim krejtësisht të ligjshëm dhe të lavdërueshëm në shërbim të bashkëpunimit ndërkombëtar. Duke i barazuar këto dy veprime, Marrëveshja e Washingtonit e vazhdoi tendencën e trajtimit të çështjes së Kosovës, ndërkombëtarisht, në një mënyrë të pabalancuar. Kosova duhej të hiqte dorë prej një fushate krejtësisht legjitime për anëtarësim në institucione ndërkombëtare, në shkëmbim të ndërprerjes së veprimit armiqësor e të pajustifikueshëm nga Beogradi.
Krahas zotimeve të tjera të bëra në SHBA, që dukej se dilnin jashtë fushëveprimit të raporteve Kosovë-Serbi, të adresuara nga Marrëveshja e Washingtonit (si premtimi për t’ia privuar qasjen Kinës në tregjet e tyre të telekomunikacionit), Kosova po ashtu premtoi se do ta njihte Izraelin. Më kundërthënëse ishte se u zotua t’i bashkohej SHBA-së dhe Serbisë në pajtimin për hapjen e ambasadës së saj në Jerusalem. Ky veprim i fundit, që në të vërtetë nuk i kërkohej Prishtinës në këtë marrëveshje, ndërkombëtarisht është tejet kundërthënës e mbase edhe i paligjshëm, teksa potencialisht cenon parimet kundër okupimit dhe aneksimit me forcë të territorit, parime këto të mbrojtura nga OKB-ja. Marrë parasysh se vetëm pak më shumë se gjysma e anëtarësisë së Organizatës për Bashkëpunim Islamik, anëtarë të së cilës kanë qëndrime të prera rreth kësaj çështjeje, e kanë njohur Kosovën, ky veprim shtesë ishte bukur befasues. Një gjë e tillë mund të parandalojë shtimin e njohjeve kur janë në pyetje shtetet islamike, teksa mund të rrezikojë edhe njohjet ekzistuese të këtyre shteteve.
Qasja e gabuar e Kosovës karshi OKB-së
Qeveria e re e kryeministrit Albin Kurti nuk ia ka dalë deri më tani që ta zmbrapsë trendin negativ të Kosovës në marrëdhëniet ndërkombëtare. Suksesi i fushatës se çnjohjeve sigurisht se e paralajmëron Qeverinë në Prishtinë se thjesht nuk mjafton nxitja e shteteve për njohjen e Kosovës, që më pas të kalohet në një politikë heshtjeje. Në vend të kësaj, duhet ndërmarrë hapa, ashtu që ato shtete të jenë të lidhura me Kosovën dhe të interesuara për të ardhmen e saj. Një gjë e tillë kërkon një politikë formësimi dhe përmbushjeje të interesave të përbashkëta me një numër të madh shtetesh anekënd globit. Është kjo detyrë e zorshme për një shtet të vogël – dhe një Ministri të vogël të Jashtme – siç është rasti me Kosovën, por atë duhet ndërmarrë me vrull, kreativitet dhe entuziazëm.
E njëjta vlen edhe për fushatën për anëtarësimin në organizatat e tjera ndërkombëtare. Është e qartë se anëtarësimi në OKB nuk do të mund të arrihet derisa Serbia (e mbrojtur me veton ruse në Këshillin e Sigurimit të OKB-së) të mos e ndryshojë qëndrimin e saj karshi Kosovës. Në vend të kësaj, Këshilli i Sigurimit i OKB-së vazhdon ta trajtojë këtë çështje rregullisht, shkaku i i mandatit të zgjatur të UNMIK-ut. Sërish, ai mandat nuk do të hiqet derisa nuk të pajtohet Moska (e rrjedhimisht edhe Beogradi)
Deri më tani, Prishtina i ka shikuar këto adresime në New York si veprime të dhimbshme. Ajo ka marrë qëndrim pasiv e mbrojtës, duke u munduar t’i zmbrapsë akuzat e Beogradit për pengimin e progresit në dialogun e normalizimit me Serbinë, ashtu si edhe për trajtimin e pabarabartë të serbëve në Kosovë, krahas pretendimeve për sulme mbi Kishën Ortodokse Serbe. Në këtë rrjedhë, ajo ka zgjedhur që të ketë përfaqësim të nivelit më të ulët në Këshill, duke u munduar ta shpërqendrojë vëmendjen prej kësaj ngjarjeje të rregullt.
Një qasje e tillë natyrisht se është kryekëput e gabuar. Duke qenë e përjashtuar nga anëtarësia në OKB, Kosova duhet ta shfrytëzojë mundësinë për t’iu adresuar organit më të lartë të Kombeve të Bashkuara në intervale të rregullta kohore, duke marrë vëmendjen e plotë të diplomacisë ndërkombëtare. Këshilli e ofron një platformë ideale për ndërmarrjen e nismave pro-aktive dhe paraqitjen e Kosovës si vend që ecën përpara, derisa Serbia mbetet e ngujuar në të kaluarën. Thënë troç, Kosova duhet të veprojë si shtet i pjekur që ka diçka për të ofruar ndërkombëtarisht, e jo si vend i shkallmuar që mundohet t’u shmanget llupës e kritikave ndërkombëtare.
Kjo qasje duhet të zbatohet në përgjithësi. Kosova duhet ta marrë bajrakun në raport me disa nisma me peshë ndërkombëtare, të cilat do të përzgjidheshin me kujdes. Do të mund të zgjidhte që ta fuqizonte profilin e saj ndërkombëtar, duke iu bashkuar shteteve që bëjnë fushatë për çështjet e lidhura me historinë e përvojat e saj, si për shembull, luftimi i dhunës seksuale në konflikte të armatosura, apo mbrojtja e ruajtja e trashëgimisë kulturore. Do të duhej të bëhej nikoqire e takimeve ndërkombëtare për këto tema, duke kontribuuar edhe në hartimin e dokumenteve juridike, si dhe duke i mbështetur publikisht nismat e këtij lloji. Pra, ajo duhet të jetë aktive dhe të shikojë përtej, e jo vetëm përbrenda.
Ndryshimet në BE
Kosova po ashtu duhet ta gjejë mënyrën për t’iu shmangur izolimit kundruall konsolidimit të dhjetorit të nismës së Berlinit dhe skemës së Ballkanit të Hapur, që shfaqet në formën e një zone mini-schengen. Deri më tani, projekti përfshin Serbinë, Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Sponsorizimi që ia bën Tirana kësaj nisme, si dhe kundërshtimi që ia bën Prishtina, kanë vënë hije dyshimi mbi raportet me aleaten më të ngushtë e përkrahësen tradicionale të Kosovës.
Përçarjet e përfolura ndërmjet Zyrës së Kryeministrit dhe Ministres së Jashtme të Kosovës, po ashtu nuk janë ogur i mirë në kuptimin e përmirësimit të raporteve me shtetet kyçe, që deri më tani kanë ngurruar të krijojnë marrëdhënie diplomatike me Kosovën, përfshirë shtetet e BE-së që nuk po lëshojnë pe, si Spanja dhe Greqia. Nuk është për t’u befasuar, marrë parasysh këtë përçarje të brendshme, se procesi delikat i përmirësimit të raporteve me Federatën Ruse dhe Kinën, duke mos e trazuar lidhjen e fortë me SHBA-në, duket se po ngec.
E njëjta vlen edhe për procesin e stabilizimit dhe të anëtarësimit në BE. Kosova me kryeministrin e saj të ri me të drejtë e kanë vënë theksin te fusha e zhvillimit ekonomik e lufta kundër korrupsionit. Një gjë e tillë është pranuar nga BE-ja. Megjithëkëtë, mungesa e progresit dhe madje edhe të perspektives së arsyeshme për përparim në dialogun e normalizimit është duke u përcjellë me humbje durimi, dhe pa dyshim, me alarm nga shtetet anëtare të BE-së.
Kosova me të drejtë e theksoi se mund të jetojë pa njohjen e Serbisë. Shtetësia e saj nuk varet nga marrëveshja e normalizimit. Megjithatë, raportet e saj me shtetet e tjera varen nga kjo. Dhe, një shtet i vogël si Kosova mund të sigurojë e avancojë interesat e saj vetëm në koalicion me, si dhe me përkrahje të, raporteve të forta dhe të bazuara në besim me miq e aleatë.
BE-ja po kërkon përparim në procesin e normalizimit shkaku i kushtit që e ka vënë vetë, sipas të cilit Serbia nuk mund të anëtarësohet në BE pa e arritur normalizimin. Në vend se ta lusë Brukselin për anëtarësim, Beogradi disi ka arritur që ta kthejë mbrapsht atë dinamikë. Marrë parasysh rrezikun e një lidhjeje edhe më të ngushtë ndërmjet Serbisë dhe Federatës Ruse, BE-ja duket se me çdo kusht do që ta mbajë Beogradin të lidhur me procesin e anëtarësimit dhe aspiratën e bërjes shtet anëtar i Bashkimit Evropian.
Çështja është se edhe sa do të zgjasë kjo fuqi bllokuese e Kosovës për anëtarësimin potencial të Serbisë në BE. Bashkimi Evropian ka pësuar ndryshime gjatë viteve të kaluara. Kancelarja Merkel e Gjermanisë, autore e kushtit të normalizimit dhe zotimit bërë Kosovës që Serbia nuk mund të anëtarësohet pa e përmbushur atë, është larguar nga skena. Mbretëria e Bashkuar, një përkrahëse tjetër e fortë e Kosovës, është larguar krejtësisht nga BE-ja. Roli i saj i ri jashtë bllokut pasqyrohet nëpërmjet një bashkëpunimi të pazakontë midis Beogradit e Londrës para disa muajsh, duke evokuar aleancën e dikurshme të kohës së luftës ndërmjet këtyre dyjave.
Vetë BE-ja ka qenë palë bredharake. Nën ish-drejtuesen e Politikës së Jashtme, Frederica Mogherini, Brukseli dukej se e mbështeste propozimin e ujdisë sekrete për shkëmbim territoresh ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, si kusht për normalizim dhe njohje reciproke – hap që do të kishte qenë po aq kundërthënës mes kryeqyteteve evropiane, sa brenda edhe vetë Kosovës. BE-ja sakaq nxiti Kosovën që ta pranonte ujdinë e kontestuar të kufirit me Malin e Zi, duke premtuar në shkëmbim liberalizim vizash si dhe përfitime të tjera. Asnjë prej tyre nuk është realizuar.
Fenomeni i trajtimit të pabarabartë
Ka edhe padrejtësi të tjera. Serbia nuk është marrë kurrë në mënyrë të sinqertë me të kaluarën e saj, posaçërisht krimet e kryera në Kroaci, Bosnjë dhe Kosovë. Në vend të saj, rrënjë ka zënë një kulturë mohimi dhe fshehjeje. Pak presion ndërkombëtar është ushtruar, në mënyrë që të ketë hetime objektive të vdekjeve të shumta dhe krimeve të tjera tmerrshme të shkaktuara nga ushtria dhe forcat paramilitare serbe, gjatë periudhës së represionit dhe luftës në Kosovë.
Nga ana tjetër, Kosova ndihet se është detyruar t’i futet sistemit të Dhomave të Specializuara, që duket se fokusin e ka te krimet e pretenduara të shqiptarëve kah fundi i luftës, posaçërisht ato që pretendohet të jenë të lidhura me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Ndonëse padyshim se mund të ketë pasur disa shfrenime, ky fokus mbi viktimat parësore të luftës, e jo kryerësit parësorë, në Kosovë shihet si qasje tejet e pabarabartë. Për më tepër, konstruksioni i pazakontë i Dhomave të Specializuara po ashtu krijon hapësirë për shqetësim. Ndonëse formalisht vepron brenda sistemit juridik të Kosovës, gjykimet po mbahen jashtë, dhe po kryhen pa përfshirjen ose kontrollin kushtetues nga ana e gjyqësorit kosovar.
Një pabarazi tjetër duket të jetë e lidhur me faktin se Kosova tashmë ka pranuar një gamë koncesionesh që kanë të bëjnë me të drejtat e serbëve e komuniteteve të tjera, përfshirë Kishën Ortodokse Serbe. Këtë e bëri nëpërmjet pranimit të pakusht të Propozimit Gjithëpërfshirës të Ahtisaarit mbi pavarësinë. Por, nuk pati reciprocitet koncesionesh. Në vend të kësaj, Serbia i siguroi koncesionet pa ofruar asgjë. Tani, Beogradi po kërkon për një ndihmë të dytë në secilin raund diskutimesh, përfshirë dialogun aktual të normalizimit.
Kur bëhet fjalë për të drejtat e komuniteteve, Kosova mund të pohojë se tashmë ofron një shkallë të mbrojtjes ligjore që i tejkalon ato të secilit shtet të Evropës Perëndimore. Beogradi, sidoqoftë, po kërkon më shumë, përfshirë njëfarë statusi të eksterritorialitetit për Kishën Ortodokse Serbe, që shkon përtej asaj që është paraparë në Marrëveshjen e Ahtisaarit.
Për më tepër, krahas politikës së çnjohjeve dhe fushatës së parandalimit të anëtarësimit të Kosovës në institucionet ndërkombëtare, Serbia ka vënë sanksione të njëanshme e kufizime të tjera mbi Prishtinën. Kur Kosova më në fund u kundërpërgjigj, duke vënë tarifa të konsiderueshme mbi importet e Serbisë, nga bashkësia ndërkombëtare u pa si provokim i palës kosovare, e jo kundër-masë e barabartë. Kosovës iu bë presion i madh t’i heqë tarifat ndëshkuese, gjë të cilën e bëri dikur.
Ngjashëm, së fundmi, reciprociteti i Kosovës ndaj targave të Serbisë u kundërshtua ndërkombëtarisht, me gjithë faktin se ishte pasqyrim i vetë politikave të Beogradit. Në mënyrë që të gjithë të dilnin faqebardhë, BE-ja ia doli që problemin ta zhvendoste te një grup afatgjatë punues, në vend se ta zgjidhte shqetësimin e Kosovës.
Kosova mund të ankohet për këtë qasje të pabarabartë të bashkësisë ndërkombëtare. Madje edhe vetë aleatët e Kosovës kanë njëfarë mirëkuptimi të konsiderueshëm për faktin që Serbia disi do të duhet të pajtohet me humbjen e Kosovës. Rrjedhimisht, ata kanë prirje t’i arsyetojnë veprimet e Beogradit, që do të dënoheshin po të ishin ndërmarrë nga Prishtina.
Sidoqoftë, nuk ka nevojë të nxitet ajo përsëritje episodesh, në të cilat Kosova synon të tregohet e prerë, por detyrohet të zmbrapset pas një kohe shkaku i reagimit ndërkombëtar. Një gjë e tillë është kundërproduktive, teksa shpërfaq hapësirën e vogël të veprimit që ka Kosova, marrë parasysh situatën në të cilën ndodhet.
Marrëveshja, në dobi të të gjithëve
Ky fenomen i trajtimit të pabarabartë është i dukshëm edhe në zbatimin e pabarabartë të zotimeve që tashmë kanë dalë nga dialogu i kahershëm i normalizimit në Bruksel. Që nga 2011-a, një numër i madh zotimesh janë arritur ndërmjet palëve. Megjithatë, Kosova e përmend faktin se Serbia nuk ka përmbushur një numër të konsiderueshëm të tyre. Por, një fakt i tillë po shpërfillet përgjithësisht nga bashkësia ndërkombëtare.
Në vend të kësaj, vëmendja ndërkombëtare fokusohet tërësisht te fakti se Prishtina deri më tani nuk ka arritur ta përmbushë një zotim të caktuar, të bërë në marrëveshjen e Brukselit të 2013-ës, ashtu si edhe në një dokument pasues më të detajuar. Këto dokumente propozojnë krijimin e një Asociacioni të komunave me shumicë serbe.
Kosova e ka vënë në spikamë se një Asociacion i tillë mund të përbënte nivelin e tretë të pushtetit, të vendosur diku mes pushtetit qendror dhe atij lokal. Ky nivel pushteti do të ishte jashtë kontrollit të Kosovës. Ngjashëm me praktikën që tashmë mbizotëron në zona të caktuara të Kosovës veriore, druhet se një gjë e tillë do ta lejonte praktikën e “strukturave paralele serbe” të kontrolluara nga Beogradi, brenda Kosovës. Një gjë e tillë qartazi u hodh poshtë në negociatat e Ahtisaarit rreth Kosovës.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar se aspekte të caktuara të marrëveshjes së Brukselit dhe asaj pasuese ndërlidhur me Asociacionin, po të zbatoheshin, do të ishin në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës. Ky vendim e ka fuqizuar vendosmërinë e udhëheqjes së Kosovës, që t’i rezistojë krijimit të Asociacionit.
Megjithatë, si Miroslav Lajčák, kryenegociatori i BE-së për procesin e normalizimit, ashtu edhe Josep Borrell, Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, rishtazi e kanë rishtuar trysninë në këtë çështje. Me një qasje paksa jodiplomatike, në përmbyllje të dialogut të BE-së rreth Stabilizim-Asociimit me Kosovën, gjatë muajit dhjetor, Borrell i mbajti ligjëratë kryeministrit të ri të Kosovës dhe ngulmoi që Kosova të ecën përpara në këtë drejtim, pavarësisht prej pengesave të brendshme, kushtetuese.
Deri më tani, Qeveria e re e Kosovës ka pohuar se në rend të parë është e përqendruar te prioritetet e brendshme, posaçërisht qeverisja e mirë dhe zhvillimi ekonomik. Ajo më të drejtë po i shmanget dhënies së një rëndësie të madhe marrëveshjes me Serbinë. Një gjë e tillë do ta rriste vlerën e perceptuar të zgjidhjes për Kosovën, potencialisht duke ia rritur çmimin.
Nga ana tjetër, është gabim të ekspozohet qasja e indiferencës për një kohë të gjatë. Normalizimi është në interesin e Serbisë, BE-së dhe, po, po ashtu dhe posaçërisht, të Kosovës. Kosova mund të jetojë pa të, por jeta do të ishte më e mirë po të arrihej normalizimi i mirëfilltë.
Nëse indiferenca është e pamenduar mirë, pengesat evidente do tijen më pak efikase dhe mbase mund ta qesin Kosovën krejtësisht jashtë loje.
Normalizimi si fjalëkalim për njohje
Nën qeverinë e re, Kosova ka këmbëngulur për reciprocitet, duke kërkuar që edhe Serbia të jetë e gatshme ta pranojë atë për të cilën është pajtuar Kosova. Kësisoj, si Kosova ashtu edhe Serbia duhet të miratojnë dispozita të ngjashme për mbrojtjen e komuniteteve të tyre pakicë, ka ngulmuar kryeministri Kurti.
Përderisa ky qëndrim është i kuptueshëm dhe korrekt në parim, është po ashtu e qartë se Serbia nuk do ta respektojë. Prandaj, në vend të ngërçit të pafund, Kosova duhet ta riparaqesë çështjen e mbrojtjes së pakicave në Serbi e Kosovë, si dhe ta çojë përpara nëpërmjet një rruge tjetër.
Për më tepër, Kosova ka kërkuar që Serbia ta pranojë përgjegjësinë dhe të japë llogari për krimet e kryera në Kosovë para dhe gjatë luftës. Ajo po ashtu duhet të kthejë pronën e artefaktet kulturore të marra, si dhe ta zbardhë fatin e mijëra shqiptarëve të zhdukur, që supozohet të jenë vrarë nga forcat serbe. Rishtazi, Kosova ka propozuar që Beogradi të pajtohet rreth një pakti për mos-agresion me Kosovën, duke e larguar nga tavolina opsionin e përdorimit të forcës nga ana e Serbisë.
Ani që të gjitha këto pika janë legjitime, marrë së bashku ato marrin formën e parakushteve që synojnë pengimin e negociatave. Nismat e Kosovës, kur paraqiten në Bruksel, si propozimi i paktit për mosagresion, marrin pamjen e një loje taktike, e jo të qëndrimit serioz negociator.
Fatkeqësisht, Kosova është rrugës për ta arritur të pamundurën – ta zmbraps disavantazhin strukturor të Serbisë në këto negociata, duke e rrezikuar pozitën e avantazhit që e gëzon, për herë të vetmen, Prishtina në këtë rast.
Në të vërtetë, Serbia është ajo që do të duhet ta bëjë sakrificën gati të pamundur në këto negociata, nëse njëmend dëshiron t’i avancojë ato aspirata evropiane që mund t’i kenë mbetur.
Normalizimi është fjalëkalimi që Serbia ta pranojë ekzistencën juridike të Kosovës ose nëpërmjet njohjes formale ose ndonjë mënyre tjetër. Një gjë e tillë, në shikim të parë, nuk përkon me Kushtetutën aktuale të Serbisë dhe as me mitin historik për Kosovën si zemër e njëmendtë, historike e Serbisë – mit që është çuar përpara për shekuj me radhë. Është kjo kërkesë e madhe për secilën qeveri të Serbisë, dhe mbase, prej perspektivës së saj, e pamundur.
Kosova, në anën tjetër, tashmë e ka atë që e dëshiron më së shumti – shtetësinë. Ai epilog tashmë është ratifikuar me gjasë nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë dhe numri i konsiderueshëm i njohjeve ndërkombëtare në fuqi. Nëse Serbia vazhdon t’i synojë integrimet euroatlantike, atëherë do të duhet ta paguajë një çmim të lartë, duke e lënë pas vetes retorikën e një lidhjeje të përjetshme me Kosovën.
Kosova do të mundte disi ta lehtësonte atë proces, duke luajtur rol konstruktiv në procesin e normalizimit, ndonëse nuk ka se çfarë të japë në shkëmbim të normalizimit, marrë parasysh se tashmë e ka paguar çmimin për shtetësi nëpërmjet procesit të Ahtisaarit.
(Autori është profesor në Universitetin e Cambridgeit, Mbretëri e Bashkuar).