Arbëri

Kosova do t’i dërgojë mjete ushtarake Ukrainës

Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, ka njoftuar të martën se Kosova do t’i dërgojë mjete ushtarake Ukrainës.

Në takimin e 20-të të Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës në Ramstein të Gjermanisë, Maqedonci ka bërë të ditur se javën e ardhshme Ukrainës do t’i dërgohen dhjetëra kamionë taktikë, automjete taktike dhe autoblinda ushtarake.

Ai më tej ka thënë se së shpejti në Ukrainë do të dërgohet edhe pakoja e dytë mbështetëse ushtarake që përbëhet nga mijëra predha të mortajave.

“Ministrat dhe përfaqësuesit e mbi 50 vendeve të Grupit të Kontaktit i informova për mbështetjen e FSK për trajnimin e trupave ukrainase në kuadër të Operacionit Interflex në Britani si dhe trajnimin për deminim për trupat ukrainase që jemi duke e realizuar në bashkëpunim me EUCOM, në Kosovë. Gjithashtu të pranishmit i njoftova për paketën e parë të mbështetjes ushtarake që do të dërgohet në Ukrainë gjatë javës së ardhshme e që përbëhet nga dhjetëra kamionë taktik, automjete taktike dhe autoblinda ushtarake. Për më tepër, në fjalën time njoftova për koordinimin dhe përgatitjen e pakos së dytë mbështetëse ushtarake që përbëhet nga mijëra predha të mortajave që do të dërgohet së shpejti në Ukrainë me qëllim mbështetjen e njësive ushtarake të Ukrainës për rritjen e fuqisë së zjarrit indirekt”, ka shkruar ai.

Kosova është në mesin e vendeve që e kanë dënuar dhe kanë vendosur sanksione ndaj Rusisë për pushtimin e Ukrainës, që kur nisi në shkurt të vitit 2022.

Është hera e parë që do të dërgojë mjete ushtarake në Kiev. 

LEXO EDHE: