Lufta në Ukrainë ka polarizuar edhe më tej skenën ndërkombëtare, duke forcuar ndasitë me rikthimin e Donald Trumpit në Shtëpinë e Bardhë. Njohës të rrethanave thonë se kjo mund të sjellë një qasje të paparashikueshme në politikën amerikane ndaj Kosovës dhe Ballkanit Perëndimor në përgjithësi. Profesori i Shkencave Politike në Universitetin e Virgjinias, Besnik Pula, thotë se gatishmëria të cilën presidenti Trump e ka shprehur për të akomoduar kërkesat e Rusisë së pari në Ukrainë, mund ta prekin edhe Ballkanin Perëndimor
Ndryshimet e mëdha gjeopolitike që po ndodhin në skenën ndërkombëtare mund të krijojnë sfida të reja për Kosovën, thonë njohës të zhvillimeve.
Lufta në Ukrainë ka polarizuar edhe më tej marrëdhëniet ndërkombëtare, duke forcuar ndasitë mes Evropës dhe SHBA-së, pasi rikthimi i Donald Trumpit në Shtëpinë e Bardhë solli një dinamikë të re në politikën amerikane.
Profesori i shkencave politike në Universitetin e Virginias, Besnik Pula, thotë se Kosova patjetër që do të ndikohet nga zhvillimet që po ndodhin në rrafshin gjeopolitik në marrëdhëniet midis SHBA-së - BE-së dhe Rusisë.
“Deri tani ky, ta themi, riorientimi strategjik i SHBA-së është në nivel retorik, më shumë se në nivel material, por në politikën ndërkombëtare edhe fjalët çojnë peshë dhe kanë ndikim. Pyetja ose çështja është gatishmëria të cilën presidenti Trump e ka shprehur për të akomoduar kërkesat e Rusisë së pari në Ukrainë, por kanë paralajmëruar se mund të ketë hapje të temave gjeopolitike dhe në nivel evropian, të arkitekturës së sigurisë në Evropë. Nëse kjo bëhet temë e një diskutimi ose një negocimi midis zotit Trump dhe zotit Putin, atëherë patjetër që do të ketë ndikim edhe në Kosovë”, ka thënë Pula.
Ndryshimi i rrethanave
Gjatë presidencës së tij të parë 2017-2021, Donald Trump e trajtoi çështjen e Kosovës kryesisht përmes një qasjeje të orientuar drejt marrëveshjeve ekonomike, edhe pse atë kohë diskutimet bëheshin edhe për shkëmbim territoresh mes Kosovës dhe Serbisë. Marrëveshja e Uashingtonit e shtatorit 2020 u promovua si një sukses i diplomacisë së tij, ndonëse theksi ishte kryesisht në bashkëpunimin ekonomik dhe më pak në çështjet politike.
“Mendoj se qasja e cila është ndjekur gjatë administratës së parë të presidentit Trump, ajo që ka qenë rrezik në prapavijë të asaj marrëveshjeje, gjithmonë ka qenë ideja e shkëmbimit të territoreve, e cila është folur pothuajse haptazi në atë kohë. Nëse do të ketë një rikthim të interesimit amerikan për një marrëveshje, të themi, ekonomike mes Serbisë dhe Kosovës për një normalizim, ta quajmë ashtu, nuk besoj që tema e territoreve do të kthehet si temë kryesore, shkaku se në Kosovë sot nuk ka gatishmëri për marrëveshje të tillë. Po ashtu situata në terren në veri ka ndryshuar që nga ajo kohë, strukturat paralele nuk e kanë atë ndikimin të cilin e kanë pasur në atë periudhë. Gjithashtu mendoj se ndërhyrja evropiane do të jetë shumë e fuqishme për të parandaluar çfarëdo shkëmbimi territoresh sepse, siç është thënë atëherë sikurse edhe sot, çfarëdo nisme për të shkëmbyer territoret në Evropë, hap një kuti të Pandorës, e cila pastaj nuk ka fund. Për këtë arsye nuk mendoj se çështja e territoreve do të kthehet si temë në agjendë”, ka potencuar Pula.
Dialogu në “mëshirën” e forcave rajonale dhe evropiane
Sipas tij, për momentin kjo administratë e ShBA-së nuk ka ndonjë interes të caktuar në Ballkan ose në Kosovë. Me fokusin në sfida të tjera si Kina dhe Lindja e Mesme, siç ka thënë Pula, Ballkani mund të mos jetë prioritet për administratën e tij, duke e lënë dialogun Kosovë-Serbi në mëshirën e forcave rajonale dhe evropiane.
“Për shkak se preokupimi i saj sot janë tema të mëdha gjeopolitike. Janë marrëdhëniet tregtare me Kinën, me BE-në. Është konflikti në Ukrainë, konflikti në Gazë, dhe nuk besoj që Ballkani do të jetë prioritet të paktën njëherë për njëherë. Dhe mendoj se ky konstatim është i saktë që, nëse do të ketë ndonjë lloj angazhimi amerikan në Ballkan do të jetë si përgjigje ndaj kërkesave rajonale dhe ndoshta edhe ndikimet që Serbia dhe presidenti Vuçiq kanë në këtë administratë. Por, njëherë për njëherë nuk besoj që do të ketë ndonjë angazhim direkt, ose të paktën nuk është paralajmëruar shkaku i këtyre preokupimeve më të mëdha që sot udhëheqin politikën e jashtme të SHBA-së”, ka potencuar Pula.
Por Pula nuk i përjashton format e tjera të presionit ndaj Kosovës, nëse do të ketë angazhim amerikan për t’i shtyrë Kosovën e Serbinë drejt ndonjë marrëveshjeje.
“Nëse nis procesi i normalizimit, mund të ketë presione të tjera të cilat mund të ushtrohen, sidomos ndaj Kosovës dhe mund të kenë pasoja ekonomike dhe të sigurisë”, ka theksuar ai.
Eksperti amerikan për Ballkanin, Daniel Serwer thotë se ndarja e mundshme e Ukrainës sipas asaj që proklamoi sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, do të kishte efekt edhe në Ballkanin Perëndimor.
Ndryshimin e madh në politikën e SHBA-së për Ukrainën e proklamoi sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, dhe sipas tij, kjo ka pasoja të shumëfishta.
Serwer thotë se kjo nënkupton përfundimin e mbështetjes së SHBA-së për anëtarësimin e Ukrainës në NATO, braktisje e qëllimit të luftës së Ukrainës për të rifituar kontrollin e të gjithë territorit të saj sovran. Po ashtu ka thënë se nënkupton edhe ndaljen e shumicës së ndihmës së SHBA-së për Ukrainën, si dhe përjashtimin e trupave amerikane nga çdo forcë paqeruajtëse e pasluftës.
“Ndarja e Ukrainës, siç propozon Hegseth, do të ketë një ndikim dramatik në Ballkan. Serbia do të përpiqet të rrëmbejë territore në Bosnjë-Hercegovinë si dhe në Kosovë. Trupat amerikane dhe evropiane do të jenë në rrezik”, ka thënë Serwer.
Pushtimi rus i Ukrainës pati rikonfirmuar ndarjen mes vendeve demokratike dhe atyre autokratike. Kosova ka qenë ndër vendet e para që ka mbështetur Ukrainën, ka vendosur sanksione ndaj Rusisë dhe ka ofruar ndihmë për refugjatët ukrainas. Në anën tjetër Serbia, ka refuzuar të vendosë sanksione ndaj Moskës dhe ka ruajtur lidhje të ngushta me Kremlinin.
Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, i ndërmjetësuar nga BE-ja, vazhdon të proklamohet si udhërrëfyes për shmangien e konfliktit dhe normalizimin e marrëdhënieve. Marrëveshja e Ohrit e vitit 2023 krijoi kornizën për normalizimin, por mungesa e implementimit ka ngritur pikëpyetje mbi seriozitetin e këtij procesi.
Zyrtarë perëndimorë në vazhdimësi kanë ngritur shqetësimin se nëse Serbia dhe Kosova nuk arrijnë një kompromis, situata mund të mbetet e ngrirë, me rrezikun e përshkallëzimit të tensioneve në veri të vendit.
Kosova prej vitesh kërkon një mbështetje më të fortë ndërkombëtare për anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare, përfshirë Këshillin e Evropës dhe Partneritetin për Paqe në NATO. Megjithatë, pa një zgjidhje përfundimtare me Serbinë, anëtarësimi në këto organizata shihet si vështirë i realizueshëm.