Arbëri

Kosova direkt në NATO, në krye të 10 prioriteteve të Haradinajt

Kandidati për kryeministër i koalicionit mes Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe subjekteve të tjera, Ramush Haradinaj, ka prezantuar dhjetë prioritete që do t’i jetësojë nëse fiton mundësinë për t’u bërë kryeministër. Lista nis me premtimin për anëtarësimin e Kosovës direkt në NATO dhe me zotimin për miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me Bashkimin Evropian

Dhjetë prioritete për zhvillimin e shtetit i ka prezantuar Ramush Haradinaj të martën, i cili është kandidat për kryeministër i koalicionit mes Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Nismës Socialdemokrate, Forumit të Intelektualëve E30, Konservatorëve dhe Idealit.

Lista e prioriteteve nis me premtimin për anëtarësimin e Kosovës direkt në NATO dhe me zotimin për miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me Bashkimin Evropian. 

Pas kësaj Haradinaj u ka dhënë rëndësi aspekteve ekonomike. 

Ai ka premtuar rritje ekonomike vjetore deri në 7 për qind e 1 miliard euro për bizneset e reja dhe ato prodhuese-eksportuese. 

Është zotuar edhe për pagë mesatare 1 mijë euro e pensione mbi 500 euro. 

E, tek i është referuar energjisë, është zotuar për ndërtimin e një termocentrali me kapacitet 1500 MW.

Në kuadër të prioriteteve është përfshirë edhe përmbyllja e projekteve rrugore që kanë mbetur në gjysmë, sipas tij, dhe ndërtimi i autostradës së Dukagjinit.

Ai është zotuar po ashtu për reformë të thellë në arsim dhe sistemin shëndetësor, për përfshirjen e mërgatës në vendimmarrje dhe për pensione pa shkëputje nga puna për veteranët dhe invalidët e UÇK-së. 

Edhe Daut Haradinaj, kandidat për deputet nga ky koalicion, ka theksuar se me ndihmën e aleatëve Kosova do të anëtarësohet në NATO. 

“6 vjet më parë u themelua Ministria e Mbrojtjes dhe Ushtrisë së Republikës së Kosovës, pakkush e kishte besuar që do bëhej ushtria dhe kjo ministri, mirëpo u bë. Bashkë me aleatët tanë atëherë dhe bashkë me aleatët tanë tash, Kosova do të bëhet pjesë e NATO-s”, ka shkruar ai në profilin e tij në Facebook. 

Në kuadër të planit qeverisës të koalicionit është listuar si prioritet edhe përmbyllja e dialogut me Serbinë me njohje reciproke, si dhe integrimi në Bashkimin Evropian.

Po ashtu, ky koalicion ka premtuar formimin e Ministrisë për Familje. Për këtë ka shkruar në profilin e tij në Facebook kryetari i partisë Konservatorët, Avdullah Klinaku. Sipas tij, Ministria për Familje do të jetë përgjegjëse për një sërë detyrash dhe fushash politike që fokusohen në mbështetjen e familjes, mbrojtjen e gruas, fëmijëve dhe të rinjve, ndihmën për të moshuarit si dhe mbështetjen për personat me nevoja të veçanta.

Klinaku ka thënë se ndër kompetencat kryesore të Ministrisë për Familje janë: Zhvillimi i politikave për familje, si sigurimi i mbështetjes financiare për familjet, pastaj zgjerimi i shërbimeve të kujdesit për fëmijë, përfshirë edhe institucionet arsimore si dhe mbështetja për prindërit e vetëm dhe promovimi i modeleve të punës së përshtatshme për ta si për shembull  punë me kohë të pjesshme apo punë nga shtëpia.

Te politikat për të moshuarit, Klinaku është zotuar se do të ofrojnë mbështetje për kujdes, pastaj do të këtë programe për përfshirjen aktive të moshuarve, si puna vullnetare, e krijimi i mundësive për vazhdimin e dhënies së kontributit të moshuarve edhe pas moshës së pensionimit.

Gjithashtu ai është zotuar për përpilimin e politikave që parandalojnë dhe luftojnë  dhunën ndaj gruas. Për gratë, Klinaku ka premtuar mbështetje për balancimin dhe ekuilibrin e jetës familjare dhe karrierës si dhe përmirësimin e mundësive profesionale për gratë.

Sipas Klinakut, Ministria e Familjes do të përpilojë edhe politika për rininë, ku do të nxisë pjesëmarrjen e saj në programe studimore, shkencore e hulumtuese. Po ashtu, është zotuar në nxitjen e të rinjve për punë vullnetare dhe për pjesëmarrje në proceset politike. Njëkohësisht, kjo ministri parasheh edhe lehtësimin e integrimit të rinjve në tregun e punës dhe shoqëri.

Në ditën e njëmbëdhjetë të fushatës zgjedhore, koalicioni nuk ka zhvilluar tubim qendror elektoral. Kandidatët e saj zhvilluan të martën disa takime me qytetarët nëpër fshatrat e disa komunave.

Daut Haradinaj është takuar me banorët e fshatrave Maznik, Dashinoc, Vranoc i Vogël, Ratishitë e Epërme dhe Ratishitë e Poshtme.

“Të mbledhur i madh e i vogël, pa dallime, por të njëzëri për Kosovën fituese, për Kosovën në NATO”, ka shkruar Haradinaj.