Kosova dhe Shtetet e Bashkuara kanë pikëpamje të njëjtë për dialogun me Serbinë dhe për marrëveshjen që duhet ta prodhojë ky proces, kanë thënë presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Kurti, pas kthimit nga vizita pesëditëshe në Uashington. Krerët shtetërorë kanë numëruar një varg temash që janë diskutuar në takimin me sekretarin amerikan të shtetit – prej raporteve bilaterale e deri tek temat specifike, sikur është zbatimi i aktgjykimit të Kushtetueses për pronat rreth Manastirit të Deçanit
Presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti janë kthyer të shtunën nga vizita pesëditëshe në Shtetet e Bashkuara, gjatë së cilës kanë thënë të kenë marrë mbështetje për formulën e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.
Të dy kanë bërë të ditur se sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken, me të cilin janë takuar, ka pikëpamje të njëjtë me Kosovën për marrëveshjen finale që duhet ta prodhojë dialogu.
Në një konferencë shtypi të mbajtur në Aeroportin e Prishtinës, me t’u kthyer nga Washingtoni, presidentja Osmani ka thënë se edhe një herë është rikonfirmuar nga administrata amerikane që procesi i dialogut domosdoshmërisht duhet të përqendrohet në njohje reciproke.
“Është tejet me rëndësi që është rikonfirmuar qëndrimi amerikan që assesi nuk shtyjnë përpara asnjë zgjidhje që do ta prekte integritetin territorial, sovranitetin e Republikës së Kosovës apo edhe rregullimin kushtetues të vendit tonë dhe kjo është tejet me rëndësi ta potencojmë”, ka thënë presidentja Osmani. “Natyrisht ne kemi shprehur qëndrimet tona dhe e kemi informuar sekretarin Blinken në detaje se ku qëndrojmë me disa prej marrëveshjeve”.
Kryeministri Kurti ka thënë se rreth 80 për qind e vëllimit kohor të takimit me sekretarin Blinken, ka pasur të bëjë me marrëdhëniet bilaterale Kosovë-SHBA dhe kontekstin ndërkombëtar dhe ka theksuar se Washingtoni zyrtar e njeh Kosovën, ashtu siç ajo e ka shpallur veten – shtet i pavarur dhe sovran.
“Ajo çka edhe SHBA-ja e edhe ne e pranojmë: Marrëdhëniet tona me Serbinë nuk janë normale dhe duhet t’i normalizojnë”, ka thënë kryeministri Kurti. “Këtë marrëdhënie me Serbinë që nuk e kemi normale duhet ta normalizojmë dhe si duket formula e këtij normalizimi, përsëri ne pajtohemi plotësisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e ajo është: marrëveshje ligjërisht e obligueshme për normalizim të plotë të marrëdhënieve e cila në qendër ka njohjen reciproke.
Kreu i Qeverisë ka fajësuar Serbinë për ngërçin të cilin e ka pësuar dialogu.
“Më 19 korrik është dashur të mbahet një takim në Bruksel. Unë kam qenë i gatshëm. Pala tjetër nuk ka qenë e gatshme dhe e ka shtyrë takimin për së paku një muaj”, ka thënë ai. “Pra, gatishmëria nga ana e Republikës së Kosovës ka qenë në nivelin e kërkuar nga Brukseli, por nga Beogradi mungonte gatishmëria”.
Krerët shtetërorë kanë numëruar një varg temash që janë diskutuar në takimin me sekretarin amerikan të shtetit – prej raporteve bilaterale e deri te temat specifike, sikur është zbatimi i aktgjykimit të Kushtetueses për pronat rreth Manastirit të Deçanit. Por, çështja e Ballkanit të hapur nuk është diskutuar, ani se kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, vazhdimisht ka thënë se e ka mbështetjen për këtë nismë të ndërmarrë me Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut, e në të cilën Kosova refuzon të përfshihet.
Fokusi në këtë takim ka qenë edhe te çështjet e sigurisë.
Presidentja Osmani ka bërë të ditur se është kërkuar përkrahja e SHBA-së në mësymjen e Kosovës për t’u bërë pjesë e partneritetit për paqe, si hap drejt anëtarësimit në NATO.
“Kemi sqaruar pse kjo është tejet e rëndësishme për rajonin tonë, tani kur siguria në rajon dhe në gjithë Evropën është e brishtë për shkak të agresionit rus ndaj Ukrainës dhe për shkak të intencave ruse të cilat janë historike siç e dini që ta destabilizojë gjithë kontinentin evropian nëpërmjet Ballkanit Perëndimor”, ka thënë Osmani. “Kemi marrë përkrahjen e sekretarit Blinken që do të vazhdojnë të punojnë me ne dhe me partnerët e tjerë në rajon që të mos lejojnë që këto qëllime të Rusisë të kenë sukses”.
E kryeministri Kurti ka identifikuar presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, si problem për sigurinë në rajon.
“Me keqardhje duhet të konstatoj se presidenti i Serbisë po shfaqet si president i frikës, i frikësimit e i kërcënimit”, ka thënë Kurti. “Për t’u integruar në BE, për normalizim të marrëdhënieve është e domosdoshme që t’i lëmë frikësimet dhe kërcënimet dhe të orientohemi kah vlerat evropiane, kah fqinjësia e mirë, kah sanksionet ndaj Rusisë dhe kah ballafaqimi me të kaluarën që është i domosdoshëm në Serbi”.
Presidentja Osmani dhe kryeministri Kurti kanë qëndruar për pesë ditë në Shtetet e Bashkuara dhe përpos takimeve me sekretarin Blinken, kanë marrë pjesë edhe në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes me MCC-në, nga e cila Kosova ka përfituar një grant për energjinë në vlerë mbi 200 milionë dollarë.
Zyrtarët shtetërorë kanë thënë se kanë marrë garanci nga Blinkeni edhe për investime të tjera në energji.
“Një çështje tjetër që e kemi diskutuar është siguria energjetike. Siç e dini, jo vetëm për Kosovën, por thuajse për çdo vend në Evropë është ndër temat themelore. SHBA-ja nëpërmjet marrëveshjes me MCC-në tashmë kanë dhënë një prej mbështetjeve më të mëdha në historinë e Kosovës në këtë drejtim, por ne jemi pyetur nga sekretari Blinken se ‘si mund të ndihmojmë akoma më shumë’”, ka thënë presidentja Osmani. “Kemi diskutuar disa nga mundësitë për të cilat do të vazhdojnë diskutimet ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.
Kosova dhe Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) kanë firmosur të mërkurën mbrëma në Kongresin amerikan, Programin Kompakt të Kosovës, që do t’i sjellë vendit mbi 200 milionë dollarë investime në projekte në fushën e energjisë.
Në ceremoninë ku të pranishëm ishin edhe presidentja Osmani dhe kryeministri Kurti, marrëveshjen në emër të Kosovës e ka firmosur ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.
Kosova pritet ta forcojë pavarësinë energjetike me Programin e ri Kompakt të MCC-së dhe në të njëjtën kohë t’i kursejë miliona euro në vit. Marrëveshja në vlerë të përgjithshme prej 236.7 milionë dollarësh, përqendrohet në projekte të energjisë. Programi Kompakt përbëhet prej dy projektesh dhe konsiderohet si investimi më i madh i Qeverisë amerikane në Kosovë. MCC-ja synon që me këtë program ta ulë varfërinë në Kosovë përmes rritjes ekonomike, pasi vlerësohet se furnizimi jo i qëndrueshëm energjetik e pengon këtë rritje.
Granti pesëvjeçar parasheh 202 milionë dollarë mjete direkte nga Qeveria Amerikane, ndërsa pjesa tjetër e investimeve do të mbulohet nga Qeveria e Kosovës. Sipas drejtoreshës të MCC-së për Kosovën, Sarah Olmstead, prokurimi i parë për projektet e Programit Kompakt pritet të nisë pas dy vjetësh.
Projekti më i rëndësishëm pritet të jetë ai i ruajtjes së energjisë. Përmes këtij projekti, Kosova do të ketë rezerva të energjisë përmes baterive të kapacitetit të lartë prej 170 megavatësh. Këto bateri do të mundësojnë sigurimin e rezervave prej rreth 347 megavatësh në orë. Kjo nënkupton që rryma e prodhuar në kohë të caktuar, të mund të akumulohet, në mënyrë që të shfrytëzohet në orët e ditës, kur kërkesa për energji, por edhe çmimet janë më të larta.
Të nesërmen e nënshkrimit të Programit Kompakt, Kuvendi i Kosovës e ka ratifikuar këtë marrëveshje ndërkombëtare me dy të tretat e votave.