Arbëri

Kosova dhe Maqedonia e Veriut me pikëkalim të përbashkët kufitar

Kosova dhe Maqedonia e Veriut e kanë përuruar pikëkalimin e përbashkët kufitar “Hani i Elezit-Bllacë”. Nga tash do të ketë vetëm një ndalesë kontrolli në hyrje të shtetit pritës. Përfaqësues të lartë të të dyja shteteve thanë se ky pikëkalim përveçqë lehtëson lëvizjen e qytetarëve dhe të mallrave, është tregues i avancimit të raporteve mes të dy fqinjëve

Një ndalesë të vetme kontrolli do ta kenë qytetarët e Kosovës e ata të Maqedonisë së Veriut në pikëkalimin kufitar Han i Elezit-Bllacë.

Të shtunën përfaqësues qeveritarë të të dyja shteteve e lëshuan zyrtarisht në përdorim sistemin e kontrollit të përbashkët të udhëtarëve dhe mallrave, vetëm në hyrje të shteteve pritëse.

Qytetarët që kalojnë shpesh këtë kufi u shprehën të kënaqur me lehtësirat që u janë krijuar.

“Shumë më mirë, shumë më mirë është bërë kështu”, tha njëri nga qytetarët që po hynte në Kosovë.

“Tri herë në ditë kaloj këtej dhe tash do të jetë shumë më lehtë. Si në kufi me Shqipërinë”, tha një tjetër.

Dallim të madh vërejnë edhe shqiptarët e Kosovës që jetojnë në Preshevë dhe udhëtojnë me pasaporta të Serbisë. Më ato nuk do të kërkohen nga policët kufitarë maqedonas.

“U çudita. Shumë më erdhi dallim, se unë ia dhashë pasaportat, se jemi mësuar te maqedonasit me pasaportat, te kosovarët certifikatat e lindjes për fëmijët. Ia dhashë pasaportat e ai më tha: ‘A i ke certifikatat’. I thashë: ‘Po’. Këtu kufiri i maqedonasve, u çudita shumë. Por, shumë mirë. Ishalla s’ka me pasë kallaballëk se edhe për ne po është problem me pritë me fëmijë nëpër kufij”, tha një qytetare që po udhëtonte nga Serbia në Kosovë, nëpërmjet Maqedonisë.

Vendkalimi në Bllacë është ndër më të frekuentuarit dhe sipas të dhënave të Qeverisë së Maqedonisë, rreth 4 milionë udhëtarë e kanë kaluar vitin që shkoi.

Tash e tutje të dhënat e qytetarëve që lënë njërin shtet e futen në tjetrin, do të shkëmbehen në kohë reale ndërmjet policive kufitare, përmes një sistemi të përbashkët teknologjik, që nisi të zbatohet fill pas përurimit.

Në ceremoninë e integrimit të pikëkalimit të përbashkët morën pjesë përfaqësues të lartë të të dyja shteteve.

Kryeministri Albin Kurti tha se ky projekt tregon për forcimin e mirëbesimit, bashkëpunimit dhe fqinjësisë në mes të dyja vendeve.

“Pritjet e tyre në të dyja anët e kufirit më në fund do të reduktohen. E kjo do t’i kontribuojë rritjes ekonomike të vendeve tona, shkëmbimit tregtar dhe lidhjes mes qytetarëve tanë. Ky projekt është rezultat i bashkëpunimit të ngushtë institucional, i shprehur përmes mbledhjeve të përbashkëta të dy qeverive tona”, ka thënë kryeministri Kurti.

E kryeministri maqedonas, Hristijan Mickovski, tha se tutje historia nuk do të shkruhet për ndarje, por për lidhje mes shteteve që shikojnë në të njëjtin drejtim evropian.

“Kjo nismë është konfirmim se kur ka vullnet të sinqertë politik, vizion të përbashkët dhe qasje pozitive, nuk ka asnjë sfidë që nuk mund të tejkalohet. Ky kufi, që deri më tani përbënte pengesë, po bëhet simbol i modernitetit, integrimit dhe pjekurisë rajonale”, ka thënë Mickovski.

E zëvendëskryeministri maqedonas, Izet Mexhiti, tha se me këtë hap Kosova dhe Maqedonia e Veriut po realizojnë konceptin e Evropës pa kufij dhe se vetë ceremonia është thirrje e përbashkët për integrim.

“Në Bllacë, aty ku para 26 vjetësh u vu në test njerëzimi dhe përcaktimi i tij, për lirinë, për bashkimin për të ardhmen, sot simbolikisht po nisim një histori të re të bashkëpunimit për zhvillim dhe përparim”, ka thënë Mexhiti.

Edhe ministrat e Punëve të Brendshme të të dyja qeverive e quajtën arritje të madhe finalizimin e kalimit të përbashkët kufitar.

Ministri Xhelal Sveçla theksoi se tash e tutje do të minimizohen dukshëm pritjet e qytetarëve dhe do të rritet qarkullimi i tyre dhe i mallrave.

“Formati i ndalimit kufitar me vetëm një ndalesë është realizuar tashmë me sukses me Republikën e Shqipërisë dhe jam i bindur se po kështu do të zbatohet edhe me Republikën e Maqedonisë së Veriut”, ka theksuar Sveçla.

E homologu i tij maqedonas, Pance Toshkovski, është shprehur se tashmë do të ketë kalim më të lehtë, më të sigurt e më të shpejtë të qytetarëve. Ai shprehu bindjen se edhe lufta kundër aktiviteteve të paligjshme do të jetë më e fortë.

“Është folur shumë në të kaluarën, por pa zbatim konkret. Por, falë dedikimit të të dy qeverive, ministrive dhe shërbimeve kufitare, brenda më pak se një viti u bë ndërtimi i infrastrukturës së re fizike dhe digjitale nga e cila kemi përfituar një sistem funksional që lejon vetëm një ndalesë dhe një kontroll pasaportash”, ka thënë Toshkovski.

Për integrimin e kësaj pike kufitare në një pikëkalim të përbashkët, Kosova dhe Maqedonia e Veriut janë marrë vesh në nëntor të 2024-s në mbledhjen e përbashkët të të dyja qeverive.

Pjesë e marrëveshjes për kufi të përbashkët është edhe pikëkalimi Glloboqicë-Jazhincë.