Arbëri

Kosova dhe Izraeli me marrëveshje për heqjen e vizave

Kosova dhe Izraeli

Foto: Driton Paçarada

Izraeli i ka hequr vizat për qytetarët e Kosovës, duke u bërë kështu shteti i 50-të që mundëson lëvizje të lirë për kosovarët.

Nënshkrimi i marrëveshjes në mes të dy shteteve u bë sot më 18 qershor në Prishtinë, nga ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, Donika Gërvalla, dhe ministri i Brendshëm i Izraelit, Moshe Arbel.

Më herët gjatë ditës, Arbel është pritur në takim nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Dy shtetet zyrtarizuan marrëdhëniet diplomatike në shkurt të vitit 2021.

Atyre iu parapriu ajo që njihet si Marrëveshja e Uashingtonit, të cilën Kosova dhe Serbia e nënshkruan më 4 shtator të vitit 2020, me qëllim normalizimin e marrëdhënieve ekonomike.

Kosova hapi ambasadën e saj në Jerusalem në korrik të vitit 2021, në këmbim të njohjes së pavarësisë së saj nga Izraeli.

Izraeli është vendi i fundit që e njohu pavarësinë e Kosovës.

Nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike, Kosova shënoi edhe rritje të shkëmbimeve tregtare.

Në vitin 2022, vlera e importeve nga ky shtet arriti në 42 milionë euro - prej 22 milionë sa ishte në vitin 2020 kur dy vendet nuk kishin lidhje diplomatike.

Ngjashëm ndodhi edhe me eksportet, nga 85.000 euro në vitin 2020 - ato u rritën në 783.000 euro më 2022, sipas të Dhënave të Doganave të Kosovës.

Kosova importon nga Izraeli kryesisht lëndë djegëse dhe produkte të plastikës, ndërsa eksporton kryesisht produkte të tekstilit.

Njoftimin se Izraeli është pajtuar t’i heqë vizat për kosovarët e kishte bërë në fillim të këtij viti presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani./REL