Kosova dhe Italia kanë nënshkruar marrëveshje në fushën e sigurisë për herë të parë. Kjo marrëveshje u nënshkrua në Romë ku po qëndron një delegacion nga Kosova i Ministrisë së Mbrojtjes.
Plani dypalësh u nënshkrua pas një takimi 6-orësh, ku u caktuan projektet e bashkëpunimit mes Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Forcave të Armatosura të Italisë.
Marrëveshja u nënshkrua nga Kolonel Hasan Hoxha në emër të Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Kosovës dhe nga Kolonel David Morpurgo nga Shtabi i Përgjithshëm i Mbrojtjes së Republikës së Italisë.
Në këtë takim, delegacioni prej Kosovës ishte në përbërje edhe të Kolonel Ejup Maqedoncit, shef i Departamentit të Trajnimeve dhe Operacioneve, Kolonel Agron Bajramit, shef i Departamentit të Planifikimit dhe Financave si dhe Edona Abazi Zylfijaj nga Ministria e Mbrojtjes.
Me këtë marrëveshje, Italia i bashkohet SHBA-së dhe Gjermanisë në mbështetje Forcave të Sigurisë së Kosovës, në arritjen e kapaciteteve të plota ushtarake.
Italia është një prej shteteve që ka më së shumti ushtarë në Kosovë në kuadër të KFOR-it. Nëpërmjet kësaj marrëveshje FSK-ja mund të përfitojë nga Italia në edukim, trajnim dhe pajisje.
{gallery}