Arbëri

“Kosova bojkoton” fton qytetarët të mos blejnë në markete, të shtunën

Iniciativa “Kosova bojkoton” u ka bërë thirrje qytetarëve që të shtunën t’i bojkotojnë sërish marketet. Kjo është nisma e dytë pas asaj të 10 shkurtit dhe organizatorët kësaj here presin përkrahje më të madhe nga qytetarët

Për këtë të shtunë, qytetarët janë ftuar që t’i bojkotojnë marketet. Përmes një mesazhi të shpërndarë në sheshin para objektit të Qeverisë, organizatorët e iniciativës “Kosova bojkoton” të enjten u kanë bërë thirrje qytetarëve që t’i bashkohen këtij aksioni në shenjë revolte ndaj çmimeve të larta.

“Thirrja për qytetarët është me u bashku bashkë me neve dhe së bashku me e ngritë zërin, edhe përmes një bojkoti me tregu fuqinë tanë blerëse, për shkak se kur krejt bashkohemi në bojkot, ne e çojmë një mesazh te maketet, te Qeveria që jemi shumë të pakënaqur dhe po ashtu e bëjmë një lloj presioni shoqëror për me pasë reagim”, ka thënë organizatori Xhevat Kastrati

Një iniciativë e ngjashme u ndërmor edhe muajin e shkuar, e organizatori Kastrati shpreson që kësaj radhe të rritet përkrahja e qytetarëve.

Kjo iniciativë fillimisht nisi në Kroaci e më pas vazhdoi në shtete të rajonit.

Qytetarët kanë pritje të ndryshme lidhur me nismën. Mirsad Krasniqi është shprehur se qytetarët duhet të revoltohen ndaj marketeve.

“Duhet të veprohet ashtu, sepse edhe shtetet në rajon kanë vepruar njësoj, atëherë pse ne të jemi përjashtim, edhe pse ne kemi shumë më shumë se ata arsye që në njëfarë mënyrë të indinjohemi, të rebelohemi”, ka thënë Krasniqi.

E sipas qytetarit Ruzhdi Durmishi, bojkotimi i marketeve nuk do të prodhojë zgjidhje afatgjate.

“Varfëria është e madhe, nuk është mirë të ngrihen çmimet, por sipas standardeve ndoshta shkojnë edhe ata, nuk kanë leverdi. Kështu që rrogat janë të vogla... Është kot edhe të bojkotohet. Ndoshta ndalet një çmim pak kohë, por prapëseprapë ata do ta bëjnë të veten”, ka thënë Durmishi.

Sipas të dhënave të Administratës Tatimore, fushata e para një muaji ndikoi në uljen e blerjeve. Më 10 shkurt, kur u ndërmor kjo nismë për herë të parë, u evidentua rënie e qarkullimit te bizneset në vlerë mbi 100 mijë euro krahasuar me datën e njëjtë të një muaji më parë.