Kosova ka rënë për 19 pozita në renditjen e Indeksit Botëror të Lirisë së Shtypit të organizatës “Reporterët pa Kufij”, për këtë vit. Nga pozita e 56-të, ku radhitej vitin e kaluar, sivjet ka rënë në pozitën e 75 në mesin e 180 vendeve.
Në raportin, që është publikuar në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, thuhet se sulmet kundër gazetarëve janë rritur “në kohën e tensioneve politike mes Prishtinës dhe Beogradit”.
“Edhe nëse media arrin t'i mbajë politikanët përgjegjës, gazetarët vazhdojnë të jenë objektiva e sulmeve politike. Rregullatori joefektiv i medias, Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM), po përpiqet ta reformojë veten. Kanali televiziv, Klan Kosova, i është nënshtruar ngacmimeve administrative nga qeveria, e cila gjithashtu kishte kërcënuar pavarësinë e transmetuesit publik RTK me zgjedhjen e një aleati të ngushtë të partisë në pushtet si drejtor. Mediat në gjuhën serbe, të cilat janë nën presionin e forcave politike serbe, janë ankuar për diskriminim në qasjen në informacione publike, veçanërisht në gjuhën e tyre, që është ajo e pakicës kushtetuese”, thuhet në raport.
Sipas gjetjeve të raportit në Kosovë edhe pse sulmet hetohen nga policia dhe prokuroria, rrallëherë rezultojnë në ndjekje penale.
Regres ka shënuar edhe Shqipëria, ku nga pozita e 96 të cilinë e ka mbajtur në vitin 2023, tani ka rënë në pozitën e 99.
Serbia ka shënuar rënie gjithashtu, ku nga pozita e 91-të ka rënë në të 99.
Bosnje e Hercegovina ka rënë nga pozita e 64 në të 81-ën.
Ndërkohë më mirë në renditje qëndrojnë Maqedonia e Veriut e Mali i Zi. Maqedonia e Veriut nga pozita e 38 është ngritur në pozitën e 36, ndërkohë që Mali i Zi nga pozita e 39 ka rënë në të 40-ën.
Indeksin vjetor për lirinë e shtypit e kryeson Norvegjia, e pasuar nga Danimarka e Suedia.
E fundit në Indeks është renditur Eritrea, pak më mirë se e cila qëndron Siria që zë vendin e parafundit. I treti nga fundi renditet Afganistani.