17 Shkurti i 2008-s hapi rrugë, por edhe sfida të reja për shtetin e ri. Në këtë 15-vjetor të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, “Koha Ditore” sjell edicionin special të saj për formësimin e shtetit gjatë këtyre viteve dhe për hijet e së kaluarës
Ka qenë njëherë 12 qershori i 1999-s e pastaj 17 shkurti i 2008-s që Kosovës i dhanë mundësi të mëdha. Mbase më të mëdha se që mundi t’i përballonte e diti t’i shfrytëzonte. Një vend e një mendësi që ishin më të mira në përpjekjet e konsistencën për t’u çliruar. Shqiptarët e saj sakrifikuan shumë, u solidarizuan dhe besuan që Kosova që e synonin do të bëhej më e mira. Një vend që do t’ua dinte jo veç atyre që dhanë në të kaluarën, por edhe potencialit që do të jepte për të ardhmen e saj. Për ekstraktin më të mirë që do të mund të dilte nga gjaku dhe dëshira për shtet.
Kjo nuk ndodhi. Së paku jo aq sa ishin shpresa e vizioni.
Në këtë 15-vjetor të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, “Koha Ditore” sjell edicionin special të saj për formësimin e shtetit gjatë këtyre viteve dhe hijet e së kaluarës. 17 shkurti i 2008-s hapi rrugë, por edhe sfida të reja. Data e dytë e rëndësishme pas saj ishte 22 korriku 2010, kur Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë iu përgjigj Serbisë se shpallja e Pavarësisë së Kosovës nuk shkel të drejtën ndërkombëtare e as nuk është në kundërshtim me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Edhe kjo datë qe mundësi më e madhe se që mundi Kosova ta shfrytëzonte për pozicionim sa më të fortë ndërkombëtarisht. Por, para kësaj Kosova kishte lënë pas dore diçka tjetër.
Së pari e humbi historinë që përbënte bazën më të fuqishme për ta ngritur mbi të shtetin e ri. Kjo nuk goditi veç viktimat e familjarët e mbijetuar, të vërtetën e luftës dhe vendosjen e drejtësisë. Por, edhe pozicionoi Kosovën në të njëjtin rrafsh me Serbinë në secilin proces maratonik ballafaqimi me ndërmjetësimin ndërkombëtar. Kosova nuk merrte me vete krimet, viktimat e shkatërrimet, derisa Serbia vazhdonte të ndërtonte mbi narracionin e “agresionit të NATO-s”. Pasojat i barti e po i bart në të gjitha proceset negociatore.
Për ta rikthyer në kujtesë në këtë ditë feste të kaluarën e harruar, në edicion special të gazetës vjen rrëfimi i ushtarit të UÇK-së që, derisa ishte në front, forcat serbe ia vranë e dogjën 51 anëtarë të familjes së ngushtë e të gjerë brenda shtëpisë, të cilën posa e kishin ndërtuar. Rrëfimi i tij shkon përtej krimit të vrasjes në atë të dëshpërimit të thellë që asnjë evidentim, hetim apo intervistim i gjashtë të mbijetuarve nuk është bërë në 24 vjetët e lirisë. Për neglizhencën e institucioneve flasin njerëz që merren me drejtësi e krime lufte. Bazuar në raportimet e saj gjatë luftës, ky numër i “Kohës Ditore” sjell tekste përmbledhëse për secilën nga masakrat më të mëdha të luftës së Kosovës: Likoshani e Qirezi më 28 mars 1998, Prekazi më 5, 6 dhe 7 mars 1998, Lubeniqi më 24 maj 1998, Abria e Epërme më 27 shtator 1998, Rogova e Hasit më 29 janar 1999, Suhareka më 26 mars 1999, Krusha e Vogël më 26 mars 1999, Krusha e Madhe më 25, 26 e 27 mars 1999, Celina më 25, 26 e 27 mars 1999, Izbica më 28 mars 1999, Belegu më 29 mars 1999, Pastasela më 31 mars 1999, Gjakova më 1 e 2 prill 1999, Rezalla më 5 prill 1999, Pokleku i Vjetër më 17 prill 1999, Meja e Korenica më 27 prill 1999, Studimja më 2 maj 1999 dhe Qyshku më 14 maj 1999.
Ishin krimet kundër njerëzimit në Kosovë që nxitën intervenimin euroatlantik për ta ndalur makinerinë e politikës së Serbisë më 1999. Por jo çdo gjë nisi atëherë. Për Kosovën “sui generis” në këtë edicion të gazetës vjen edhe analiza e rrugëtimit të gjatë të saj me elementet të cilat nuk mund t’i ketë asnjë rast tjetër në botë – prej heqjes së dhunshme të autonomisë nga ana e regjimit të Sllobodan Millosheviqit, dhunës policore, mbylljes së shkollave dhe përzënies nga puna, përmes përpjekjeve të Grupit të Kontaktit për zgjidhje paqësore, Konferencës në Rambouillet, ndërhyrjes ushtarake të NATO-s, vendosjes së Kosovës nën administrim ndërkombëtar, negociatave në Vjenë, shpalljes së Pavarësisë, mendimit të GJND-së e deri te dialogu që akoma vazhdon.
Më 2008 Kosova shpalli Pavarësinë e menjëherë pas GJND-së më 2010, Kombet e Bashkuara nxorën rezolutën për nisjen e bisedimeve të reja mes Kosovës e Serbisë, me ndërmjetësimin e BE-së. Rezolutë për nisjen e bisedimeve po atë vit nxori edhe Kuvendi i Kosovës. Bisedimet që duhej të ishin teknike morën kah tjetër dhe dy vjet më vonë Kuvendi nxori edhe një rezolutë për kalimin nga tekniket në politike. Viti 2013 solli marrëveshjen e parë mes Kosovës e Serbisë. Kryeministrat e atëhershëm Thaçi e ai serb Daçiq, me ndërmjetësimin e baroneshës Ashton, nënshkruan dokumentin që nxori në horizont Asociacionin. Marrëveshja e Brukselit në 15 pikat e saj kryesisht adresonte integrimin e serbëve. Në fakt akomodimi i komunitetit serb në Kosovë ka zënë vendin kryesor në vlerësimin e punës së institucioneve të përkohshme vetëqeverisëse të Kosovës qysh pas luftës e deri para shpalljes së Pavarësisë, përmes nëntë standardeve të vëna nga UNMIK-u. Para statusit ato duhej plotësuar. Po ashtu duhej zotuar Qeveria e përkohshme e Kosovës që me qëllim akomodimi sa më të mirë të bëhej procesi i decentralizimit të pushtetit lokal që çoi në 10 numrin e komunave serbe. Pas standardeve e decentralizimit, negociatat e Vjenës dhe Pakoja e Ahtisarit siguruan kompetenca shtesë si në nivelin lokal ashtu edhe qendror, ashtu edhe statusin e veçantë për zonat e mbrojtura të trashëgimisë, e cila u identifikua dhe u njoh si serbe në Kosovë. Por, historia e dëshmon se në manastire flitej shqip. “’Unë jam shqiptar’ në Manastirin e Deçanit”, është njëri prej teksteve në këtë numër të gazetës, që e dëshmon këtë. Është një studim që zbardh fakte mbi përkatësinë edhe të klerikëve që shërbenin dikur aty.
“‘Urrejtja e lashtë’ e rishfaqur në raportet Kosovë-Serbi” është një tjetër tekst që përcjell politikën e vazhdueshme antishqiptare të Serbisë dhe fuqizimin e saj pas Pavarësisë së Kosovës.
Zhvillimet politike pas 17 Shkurtit avancuan edhe më shumë, jo të drejtat që do të integronin komunitetin serb, por ambiciet dhe kontrollin e pushtetit të Beogradit mbi territoret me shumicë serbe. Krijimi i Listës Serbe eliminoi thuajse plotësisht mundësinë e komunikimit direkt të Prishtinës me këtë komunitet. Marrëveshja e 2013-s, pasuar nga ajo e 2015-s, nënshkruar nga kryeministrat e atëhershëm Mustafa e ai serb Vuçiq, me ndërmjetësim të diplomates italiane Mogherini, e bënë të qartë qëllimin e Serbisë të nisur me decentralizim për krijimin e republikës brenda republikës me Asociacion. E vulosi po ashtu faktin që Kosova nuk mundi e nuk diti t’i shfrytëzonte mundësitë e mëdha të 12 qershorit 1999, as të 17 shkurtit 2008.
Nga 15 vjetët e shtetësisë, 13 i kaloi në tavolinë negociatash, për të shkuar përtej atyre mbi të cilat e shpalli Pavarësinë. Në vitin e 16-të ka hyrë me presion kushtëzues ndërkombëtar për themelimin e Asociacionit që për ironi argumentohet me narracionin e njëjtë si ai i Standardeve të UNMIK-ut dhe i Vjenës që duhet siguruar që zëri i serbëve të dëgjohet.
Politika ka tërhequr më së shumti vëmendjen e opinionit, por këta 15 vjet konkurrencë të fortë i kanë bërë skandalet e korrupsionit dhe krimit brenda e jashtë institucioneve, shumica e të cilave ashtu siç edhe problemet politike kanë mbetur të pazgjidhura.
Edicioni special i gazetës sjell edhe analizën për atë se cila ishte rruga e drejtësisë në Kosovë, e cila ajo e krimit; ku u bashkuan ato e ku nuk u takuan fare dhe pse rrallë u ndeshën.
Një rrëfim tjetër i Kosovës është ai i kulturës. Mbase një ikje prej përditshmërisë janë sukseset e artistëve anekënd botës. Në të shumtën, raste individuale pa përkrahjen e shtetit. Dhe jo rrallë shkëlqimi i tyre nuk zgjat aq sa për t’i bërë kontrast asaj që sjell realiteti. Artistët arritën në skena botërore, gdhendën identitetin e këtij vendi. Kur ishin mbushur jo më shumë se tetë vjet shtetësi, për pak i sollën edhe çmimin “Oscar”. Dëshmuan se ka gjenerata që munden. E këtë e vërtetuan edhe sportistët.
Gazeta e 15-vjetorit të Pavarësisë sjell rrëfimet pas 15 sukseseve më të mëdha në sport. Viti 2016 qe më i rëndësishmi në prezantimin ndërkombëtar të Kosovës. Erdhi medalja e parë e artë olimpike nga Majlinda Kelmendi, Kosova u anëtarësua në UEFA e FIFA dhe luajti ndeshjet e para kualifikuese. Pesë vjet pas Nora Gjakova e Distria Krasniqi dekoruan Kosovën edhe me dy medalje të tjera të arta olimpike. Medalje të tjera botërore e evropiane i sollën Kosovës edhe sportistë të tjerë, e më 17 shkurt, pikërisht në përvjetorin e Pavarësisë, një medalje synon që ta fitojë në Izrael xhudistja Laura Fazliu.
Për të shënuar pikat më të rëndësishme që bënë kthesa në rrugëtimin pesëmbëdhjetëvjeçar të Kosovës, gazeta sjell në këtë edicion kalendarin e 100 datave të vendimeve e ngjarjeve që kanë lënë gjurmë.
Me shpresën që kalendari i përvjetorëve të ardhshëm të Pavarësisë do të sjellë më shumë kthesa pozitive për Kosovën se ky i 15 vjetëve të shkuar, redaksia e “Kohës Ditore” ua uron 17 Shkurtin!