Kosova përmbylli edhe një vit me fitore pothuajse të padukshme në luftën kundër korrupsionit. Sistemi i drejtësisë akuzoi politikën për presion, e politika e pushteti atë për ndjekje selektive. Rezultatet e të dyja palëve në luftimin e korrupsionit qenë minimale. Hap i vetëm konkret është ideja e vettingut, që në fund të vitit doli që është në pajtim me Kushtetutën
Në vend të rezultateve për luftimin e korrupsionit , sistemi i drejtësisë është shoqëruar me ndërrim krerësh, përplasje hallkash mes vete e ballafaqim të tyre me politikën.
Sistemi prokurial pjesshëm ndërroi shefat e disa prokurorive, por emrat e rinj në fakt ishin emra të vjetër të ricikluar me vite të tëra brenda hallkave të ndryshme të këtij sistemi.
Prokuroria e Shtetit përmbylli edhe vitin e dyte pa kryeprokuror të shtetit, por me shumë akuza e kundërakuza mes Qeverisë e Prokurorisë për emrin e kandidatit.
Policia e Kosovës, veçanërisht departamentet që merren me hetimin e korrupsionit zyrtar patën krejt pak rezultate. Por u përballën me ndryshime emra drejtoresh e shefave të njësive që rezultuan shterpë me rezultate.
E, gjyqësori ishte stabil me emrat që udhëhoqën, por dështoi në aktgjykime finale për korrupsionin e “jakave të bardha” që quhet ndryshe korrupsioni i profilit të lartë.
Që këto hallka të funksionojnë siç duhet ishte premtuar reformë e thellë në sistemin e drejtësisë. Ministria e Drejtësisë dështoi në pjesën më të madhe të këtyre reformave të planifikuara, por krejt në fund të vitit kaloi testin e Kushtetueses për një nga premtimet me të mëdha të kësaj qeverie- atë të vettingut, ani pse jo në mënyrën se si ishte planifikuar e premtuar.
Arrestimet që “lidhen” me pushtetin
Figura më e rëndësishme që gjatë këtij viti është arrestuar është kryeshefi i KEK-ut, Nagip Krasniqi. Ai dyshohet për korrupsion në tre tenderë të kësaj korporate. Qëndroi në paraburgim rreth gjashtë muaj, u lirua, por Prokuroria Speciale ende as nuk është afër ngritjes së aktakuzës.
Ditën kur është arrestuar, Prokuroria Speciale tha se ai po dyshohej për veprime të paligjshme në tre tenderë. Kontrata kryesore ishte një që peshonte mbi 3 milionë euro.
“Krasniqi është i dyshuar për nënshkrimin e një kontrate me procedurë të negociuar me kompaninë ‘Litëin SA’ në partneritet me Bujari B. Shala B.I. për riparim kapital emergjent të kaldasë së bllokut A5 të termocentralit ‘Kosova A’, në vlerë mbi 3.4 milionë euro”, thuhej në arsyetimin e Prokurorisë Speciale.
Krasniqi ka qenë pjesë e strukturave të Vetëvendosjes. Pas arrestimit, kryeministri Kurti nga foltorja e Kuvendit zgjodhi ta mbron atë një ditë pas arrestimit, ani pse hetimet ishin fillestare e pak të dhëna zyrtare ishin bërë publike.
“Prokuroria është shumë e zëshme në këtë rast, kur fitimi i KEK-ut në vitin 2022 ka qenë 107 milionë euro. Natyrisht që udhëheqja e re e KEK-ut ka deponuar me dhjetëra fakte dhe dëshmi materiale për kapërdinë që u ka gjetur atyre. Mirëpo zelli i Prokurorisë për t’u marrë me deponimet e fakteve e të dëshmimeve për keqpërdorime të mëhershme ka qenë zero. Ndërkaq zelli për t’u marrë me kryeshefin Krasniqi, i cili në vitin 2022 bashkë me punëtorët e KEK-ut ia solli 107 milionë, ishte maksimal”, kishte thënë Kurti.
E, diskutimit për dyshime për keqpërdorime në KEK i kishte paraprirë një debat publik për dyshimet për përfshirje në tregun e energjisë të ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.
Opozita ka kritikuar Qeverinë e Kosovës bazuar në shkrime të mediave sllovene e që ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, është përfshirë në shitblerjen e rrymës me një kompani serbe. Prokuroria Speciale tha se ka nisur hetim parapenal, por ende nuk ka asnjë rezultat konkret.
Njësia e Veçantë e Hetimeve e njohur si Task Forca Kundër Korrupsionit në kuadër të Policisë së Kosovës ishte bindur që Berisha nëse jo për diçka tjetër kishte bërë shmangie të tatimit e një pjesë të parave të fituara nga GEN-i serb nuk i kishte deklaruar. Ata ushtruan kallëzim penal në Prokurorinë Speciale të Kosovës.
Në këtë kallëzim thuhej se pas hetimit preliminar të nisur muaj më parë, dyshimet janë që Berisha ka përfituar së paku 1.5 milionë euro nga kompania GEN me seli në Serbi për periudhën 2019 e deri në prillin e vitit 2022.
Sipas këtyre burimeve, këto para janë transferuar në xhirollogari të kompanisë së Berishajt në një nga bankat me seli në Kosovë. Transferimet janë bërë me përshkrim si pagesa për konsulencë.
Prej atëherë kanë kaluar rreth 11 muaj, Prokuroria Speciale ende as nuk i ka mbyllur hetimet e as nuk ka ngritur aktakuzë.
Edhe Berishaj u mbrojt nga Qeveria Kurti sa herë ndonjë përfaqësues i saj u pyet për këtë çështje nga mediat.
Në gusht ndodhën arrestime në Ministrinë e Tregtisë, pasi mediat raportuan që në sasisë e rezervave shtetërore, për të cilat ishin paguar paratë, ato nuk kishin arritur në Kosovë. U arrestuan dy zyrtarë të shërbimit civil në këtë ministri e një biznesmen që kishte ndërmjetësuar në mënyrë të paligjshme në blerjen e këtyre produkteve.
Rezervat shtetërore të mallrave sigurohen në bazë të Planit strategjik afatmesëm, kurse administrohen nga Departamenti i Rezervave Shtetërore të Mallrave, në kuadër të Ministrisë së Tregtisë, Industrisë dhe Ndërmarrësisë. Rezervat shtetërore konsiderohen sekret shtetëror.
E, duke u thirrur në atë se kjo çështje është konfidenciale, ishte përjashtuar Ligji i Prokurimit Publik. Ndërmjetës për të siguruar rezervat ishte ftuar biznesmeni Ridvan Muharremi, i njohur publikisht për lidhjen e tij me Lëvizjen Vetëvendosje. Ani pse pa autorizim, ai kishte ndihmuar gjetjen e nënkontraktorëve, në mesin e të cilëve kompani që dyshohet që ishin abuzuese e që mallin e paguar nuk e sollën asnjëherë në Kosovë.
Konkretisht, sipas Prokurorisë Speciale, pavarësisht se janë paguar paratë te kompanitë turke e polake për grurë, vaj e sheqer, në Kosovë nuk kanë ardhur kurrë 200 mijë litra vaj, 120 mijë kg sheqer dhe 52.5 tonë grurë.
Edhe kësaj here kryeministri Kurti zgjodhi ta mbrojë punën gjatë qeverisjes së tij e të sulmojë Prokurorinë Speciale duke e lidhur me partitë opozitare që dikur kanë udhëhequr vendin.
“Humbësit i gjeni tek elita e vjetër dhe e korruptuar politike, te gjykatës dhe prokurorë të saj, te mediat e keqpërdoruara për mbështetje tё krimit. Përpjekjet e tyre për ta ndryshuar situatën janë në shërbim të planit për ta kthyer ish-sistemin e kalbur e tё korruptuar”, tha ai në një video-incizim të bërë nga zyra e tij e të publikuar pak orë pas këtyre arrestimeve.

Hakmarrja
Për Albulena Nrecaj nga organizata INPO kjo qeveri as nuk tregoi rezultate në luftën kundër korrupsion e as nuk e la të lirë sistemin e drejtësisë ta kryejë punën e vet.
“Fatkeqësisht kjo qeveri nuk ka treguar asnjë lloj rezultati në luftën kundër korrupsionit, edhe pse ka hyrë gati në vitin e tretë të mandatit qeverisës. Kjo qeveri nuk ka miratuar akoma Strategjinë Qeveritare për luftën kundër korrupsionit dhe të mos flasim për veprime të tjera që ishte dashur të ndërmerreshin me qellim të luftimit të kësaj dukurie, e cila nuk është vetëm çështje e përfolur apo çështje që diskutohet në hapësirën publike. Por janë fakte dhe çështje të argumentuara nga organizata vendore e ndërkombëtare”, ka deklaruar ajo.
Sipas Nrecajt, tashmë është e dëshmuar që Qeveria përmes deklaratave publike bën ndërhyrje në sistemin e drejtësisë.
“Qeveria ka dëshmuar që ka ndërhyrë në përgjithësi ndaj çdo lloj iniciative për hetime të Prokurorisë, por edhe vërehet një lloj mungese e profesionalizimit dhe paanshmërisë së policisë, prokurorisë e gjykatave, sidomos në prokurimin publik”, ka deklaruar ajo.
Kurti nga Kuvendi ka deklaruar se zyrtarët e Qeverisë së tij po hetohen “për shkak që presidentja nuk po e dekreton kandidatin për kryeprokuror Blerim Isufajn”.
“Unë nuk kam dyshim që në Prokurorinë e Shtetit dhe atë sa më lart aq më shumë, ekziston një disponim negativ ndaj qeverisjes sonë. Dhe kjo lidhet më shumë se askë tjetër me figurën e prokurorit Blerim Isufaj. Një prokuror i njohur në skenën publike, i cili rastin e vrasjes së Dino Hasanajt e karakterizoi në vetëvrasje”, kishte thënë ai më 18 gusht të këtij viti.
Muaj me vonë presidentja Vjosa Osmani pas më shumë se një vit e gjysmë refuzoi dekretimin e Isufajt për kryeprokuror. Tha se ai në këtë pozitë kishte tentuar të vinte përmes kërcënimeve.
"Shqetësuese është kur zyrtarët e institucioneve tona të drejtësisë mendojnë se mund ta kërcënojnë kreun e shtetit në një vend demokratik. Mbajeni mend këtë, në një vend demokratik, ata që mendojnë se mund të marrin vendime duke kërcënuar kreun e shtetit, do të përfundonin jashtë sistemit. Por, për fat të keq e kemi sistemin si e kemi, prandaj vetingu është i domosdoshëm si proces", tha Osmani në ditën kur bëri publike mosdekretimin.
Por emri i Isufajt, megjithatë, është dërguar sërish për dekretim nga Këshilli Prokurorial i Kosovës, pasi që një mundësi të tillë ia jep Ligji për KPK-në, tentativa për ndryshimin e të cilit ka dështuar në vitin që lamë pas.
Isufaj, megjithatë, nuk mbeti pa pozitë menaxheriale.
Në fund të vitit 2023 atij do t’i skadonte mandati i kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale. Përderisa lufta e tij për kryeprokuror të shtetit nuk ka përfunduar ende, ai iu fut garës edhe për kryeprokuror të Speciales dhe mori një mandat 3-vjeçar.
Nga Prokuroria e Shtetit kanë thënë që kanë qenë efikas në punën e tyre në këtë vit, por nuk janë përgjigjur për asnjë rast të konkretizuar e asnjë aktakuzë të rëndësishme të profilit të lartë për plot 12 muaj.
Ngecja në fazën e parë të hetimit
Policia e Kosovës në vitin 2023 është lavdëruar për punën e saj, por jo për segmentet që merren me hetimin e korrupsionit.
Me gishtat e një dore numërohen rastet kur ky institucion ka lëshuar komunikata për ndonjë aksion kundër korrupsionit që prek profilet e larta.
Janë dy degë të Policisë së Kosovës që trajtojnë ekskluzivisht rastet e korrupsionit.
Njësia për Hetime të Veçanta ose dikur e njohur si Taskë Forca Kundër Korrupsionit konsiderohet njësi elitare për luftimin e korrupsionit të profilit të lartë.
Kjo njësi ishte angazhuar në inicimin e hetimeve lundër kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi, ambasadorit Martin Berishaj e zyrtarëve të MTI-së.
Burimet vazhdimisht i kanë thënë KOHËS që pozicionimi i kësaj njësie ishte i fokusuar tek rastet që preknin zyrtarët e Qeverisë aktuale, por shumë më pak të atyre paraprake. Dyshime të tilla hodhën eksponentë të Vetëvendosjes kohë pas kohe.
Në verën vitit 2023, Policia e Kosovës e shkarkoi drejtorin e kësaj njësie, Shemsi Haziri.
Shkarkimi i tij është konsideruar sinjal i keq për luftimin e korrupsionit në Raportin e Progresit për Kosovës.
“Në përgjithësi, korrupsioni mbetet një çështje shqetësuese serioze. Ekziston nevoja për një përgjigje të fuqishme të drejtësisë penale ndaj rasteve të korrupsionit të nivelit të lartë. Në këtë drejtim, shkarkimi i shefit të Njësisë së Hetimeve Speciale të Policisë së Kosovës është shkak për shqetësim, duke dërguar një sinjal negativ për përkushtimin e Kosovës për luftimin e korrupsionit”, thuhet në Raport.
Departamenti tjetër që merret po ashtu me hetimin e korrupsionit është Departamenti i Krimeve Ekonomike.
Për dallim nga Njësia e Veçantë që kanë një lloj pavarësie në vendimmarrje, Departamenti i Krimeve Ekonomike është më llogaridhënës ndaj Policisë së Kosovës.
Por as ky departament nuk shënoi asnjë rast të suksesshëm për krejt vitin në fushën e hetimeve të korrupsionit. Nuk njoftuan për arrestime e për bastisje.
Në vend të kësaj, janë ndërruar pa ndonjë arsyetim brenda 12 muajsh tre drejtorë të departamentit e u është ndërruar vendi i punës drejtorëve të disa sektorëve brenda këtij departamenti.
Vettingu- “ilaçi” i sistemit
E, rastet e pakta të këtij profili të korrupsionit që kanë përfunduar në gjykata nuk morën verdikt final.
Në korrikun e vitit 2023, ish-shefi i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Driton Gashi, është dënuar me katër vjet e tetë muaj burgim për dëbim të paligjshëm të gjashtë shtetasve të Turqisë që kishin leje qëndrimi dhe leje pune në Kosovë, në atë që njihet si rasti “Gylenistët”. Rasti ende nuk ka marrë përgjigje nga Gjykata e Apelit.
Pesë vjet pas ngritjes së aktakuzës për rastin e njohur si “Veteranët” ende nuk ka vendim as të shkallës së parë. Gjykimi aktualisht është në fazën e dëgjimit të dëshmitarëve.
Në këtë rast, për keqpërdorim të detyrës zyrtare akuzohen ish-kryeministri Agim Çeku, ish-ministri i Mbrojtjes, Rrustem Berisha, ish-deputeti Shkumbin Demalijaj, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari.
Në shkallë të parë ende nuk ka përfunduar as afera e njohur si “53 milionëshi”.
Në këtë rast, ish-ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj, Eset Berisha, këshilltar i lartë politik i tij, Nebih Shatri, ish-sekretar i përgjithshëm në Ministrinë e Infrastrukturës (MI), dhe Besim Tahiri, drejtor i Prokurimit Publik në MI, po akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Nuk ka përfunduar në shkallë të parë as gjykimi për rastin e njohur si “Autostrada e Gjilanit”.
Ish-sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Infrastrukturës, Betim Reçica, bashkë me tre të akuzuarit e tjerë, ish – zyrtarët e së njëjtës ministri, Isa Berisha, Leonora Limani dhe Mirdit Emini, u paraqitën para trupit gjykues për akuzat e ushtrimit të ndikimit, shpëlarjes së parave dhe keqpërdorimit të detyrës zyrtare.
Aktakuzë në gushin e vitit 2024 është ngritur edhe për sekretarin aktual të po kësaj ministrie, Izedin Bytyqi, e 14 zyrtarë të tjerë. Por në këtë rast gjykimi ende as që ka filluar.
Rastet e korrupsionit të profilit të lartë trajtohen nga Departamenti Special i Gjyqësorit.
Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albet Zogaj, ka lavdëruar punën e këtij departamenti.
“Nuk po flas për përmbajtjen, por ky departament ka efikasitet 100 për qind”, ka thënë ai.
Zogaj ka deklaruar që kanë 104 raste aktive në këtë departament.
Në ditët e fundit të këtij viti, Gjykata Kushtetuese ka theksuar që gjyqtarët e prokurorët mund ta humbasin punën edhe për mungesë efikasiteti në rastet që i kanë në proces.
Kjo, pas kërkesës për interpretim nëse ndryshimet kushtetuese që do të mundësojnë vettingun janë të ligjshme.
Sipas Gjykatës Kushtetuese, gjyqtarët dhe prokurorët mund të largohen nga sistemi për shkak të shkeljes së rëndë të detyrave të punës, performancës së dobët në vazhdimësi dhe për shkak të pasurisë së pajustifikueshme. Por ka ndaluar që shkarkimi të bëhet duke u bazuar në “integritet të cenuar”.
Vetingu i plotë dhe i vazhdueshëm ka qenë premtimi kryesor i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV). Megjithëkëtë, pas opinionit të Komisionit të Venecias ka kaluar vetëm vetingu i pjesshëm që prek kryeprokurorët dhe kryetarët e të gjitha gjykatave, si dhe anëtarët e dy këshillave përkatëse, Prokurorial dhe atij Gjyqësor.
Përkundër rasteve të mëdha të aferave korruptuese që ngecën në hetime, pati të tilla që drejtësia ose dha vendim të plotfuqishëm, por u injorua nga institucionet publike, ose s’u morën fare me to.
I dënuar vite me parë për korrupsion, ish-shefi i prokurimit në Ministrinë e Infrastrukturës, Nexhat Krasniqi, u avancua gjatë këtij viti edhe pasi SHBA-ja e futi në listë të zezë. Presioni i opinionin publik bëri që atë ta largonin përfundimisht nga institucionet.
KOHA raportoi që kishte shkresa që kishin mbërri edhe tek ministri i këtij dikasteri, Liburn Aliu, për keqpërdorimet e Krasniqit në tenderët në vlerë të 70 milionë eurove, por nuk mori masa.
E mënyra se si është planifikuar të ndërtohet Rruga A nga Komuna e Prishtinës u përfol po ashtu si një aferë korruptuese. Këtë projekt të rëndësishëm Prishtina ia besoi një kompanie me histori të pasur kriminale, ndonëse kjo është në kundërshtim me Ligjin për Prokurim Publik.
Megjithatë, akterët e LDK-së e akuzuan Gjykatën Komerciale se po i shërben pushtetit për shkak që ka bllokuar këtë projekt. Ngjashëm sikurse edhe Qeveria që ka kaluar një vit duke akuzuar hetuesinë për raste të nisura “me porosi nga opozita”.