Korrupsioni i nivelit të lartë vazhdon të mbetet një nga sfidat madhore për zhvillimin e Kosovës. Kështu u tha në konferencën për lansimin e projektit të dytë për fuqizimin e kapacitetit të institucioneve të Kosovës në luftimin e korrupsionit të lartë.
Aty u tha se luftimi i korrupsionit të nivelit të lartë është një kriter i mbetur që duhet zgjidhur për të lejuar të ndodh liberalizimi i vizave për kosovarët, transmeton kp.
Ambasadorja e Gjermanisë në Kosovë, Angelika Viets, tha se një nga sfidat madhore për zhvillimin e Kosovës mbetet korrupsioni i nivelit të lartë. Tha se luftimi i korrupsionit të nivelit të lartë kërkon vullnet të palëkundur politik.
“Korrupsioni i nivelit të lartë fatkeqësisht mbetet një nga sfidat madhore për zhvillimin e Kosovës. Krijimi i një historiku pozitiv të trajtimit të rasteve të korrupsionit të nivelit të lartë, krimeve të tjera të tilla mbetet një nga dy kushtet kryesore për liberalizimin e vizave, por jo vetëm kaq. Unë e di që luftimi i korrupsionit është një betejë e mundimshme dhe nënkupton ndryshime radikale të mendësisë dhe në veçanti kërkon vullnet të fortë, të palëkundur politik dhe shpesh herë madje edhe këtë vit shpesh herë e shohim që kjo po mungon”, tha ajo.
Sipas saj, luftimi i korrupsionit të lartë nuk është një detyrë e lehtë, e sidomos rastet kur korrupsioni i nivelit të lartë mund të përfshijë njerëz shumë të fuqishëm. Megjithatë, ajo tha se hetuesit dhe prokurorët duhet të mbesin të paanshëm dhe të ndjekin të gjitha rastet me dëshmi të forta pavarësisht se kush është i akuzuar.
Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Jan Braathu, tha se luftimi i korrupsionit të nivelit të lartë është një kriter i mbetur që duhet të zgjidhet për të lejuar edhe liberalizimin e vizave.
Brathu tha se janë të vetëdijshëm që luftimi i korrupsionit të nivelit të lartë është i vështirë për tu trajtuar, por që ai tha se janë të përkushtuar që të ndihmojnë Kosovën në zhvillimin e kapaciteteve për të qenë efikas dhe efektiv në luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë.
“Korrupsioni i nivelit të lartë identifikohet edhe nga autoritetet e Kosovës, edhe nga partnerët ndërkombëtarë si një çështje shqetësuese dhe prioritet kyç që duhet trajtuar. E kemi dëgjuar këtë duke u përmendur që disa vite me radhë se është prioritet kyç, dhe e dimë që është çështje e ndërlikuar dhe e vështirë për tu trajtuar. Prandaj, jemi të përkushtuar që të ju ndihmojmë në zhvillimin e kapaciteteve për të qenë efikas dhe efektiv në luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë. Është me rëndësi që ligjet të zbatohen, ligjet ekzistojnë realizimi i tyre zbatimi i tyre në fakt nuk është në nivelin e duhur. Ka zhvillime pozitive nuk do të them se çdo gjë është zi, por e dimë dhe jemi të vetëdijshëm se mund të bëhet shumë më shumë në mënyrë që të kemi një zbatim të mirëfilltë të kornizës ligjore”, tha ai.
Sipas shefit të OSBE-së në Kosovë, një element kyç për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar është konfiskimi dhe sekuestrimi i pasurive të përvetësuara në mënyrë të paligjshme gjatë veprimtarive të paligjshme.
Zëvendës drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Naim Rexha, tha se zotohet në emrin e të gjithë kolegëve të tij se do të vazhdojnë edhe më tutje bashkëpunimin me të gjitha agjencitë të cilat drejtpërdrejtë kanë obligime ligjore në luftimin e korrupsionit të nivelit të lartë.
Ai tha se Policia e Kosovës, do ta ketë fokus primar pastrimin e vetvetes nga të gjitha elementet korruptive.
Prokurori Special, Sylë Hoxha, tha se si prokurori janë të përkushtuar në luftimin e krimit ekonomik dhe atë të nivelit të lartë.
Hoxha theksoi se kohëve të fundit ka rezultate të prekshme sa i përket kësaj çështje, por se nuk do të thotë që e kanë kryer punën.
Prokurori Hoxha përmendi edhe disa raste ku kanë ngritur aktakuza, siç janë rasti i Esat Tahirit, Naser Osmanit, rastin e Xhavit Dakajt, rastin e prokurores Vahide Badivuku, rastin e Ilir Tolaj, rastin e Hysni Hoxhës, rastin Kujtim Bucaliut, Enver Hasanit, rastin e kryetarit të komunës së Kllokotit dhe disa raste edhe të disa kryetarëve të komunave të tjera të Kosovës.
Për më tepër Hoxha tha se si prokurori janë të përkushtuar në luftimin e korrupsionit të nivelit të lartë.
Drejtori i Agjencisë Anti-Korrupsion, Shaip Havolli, tha se agjencia është duke e rishikuar kornizën ligjore ku bashkërisht me institucionet e tjera të hartojnë ligjin ku Agjencia të merr një rol pak më të madh sa i përket ligjit mbi deklarimin dhe prejardhjen e pasurisë.
Sipas Havollit, Kosova edhe përkundër investimeve nga faktori vendor dhe ndërkombëtar prapë nuk është funksional në luftimin e korrupsionit.