Arbëri

“Korridori i turizmit” në Istog përplas LDK-në me Qeverinë

Lumir Abdixhiku dhe kryeministri Kurti

FOTO: Ilustrim

Rruga e re që po ndërtohet për te Bjeshka e Moknës në Istog ka përplasur Lidhjen Demokratike të Kosovës me zëvendësministrin e Infrastrukturës, Hysen Durmishi. Zëvendësministri e ka quajtur ndërtimin e rrugës “si investim direkt të Qeverisë”, duke i replikuar kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili në një postim paraditen e së dielës ka shkruar se projekti është zhvilluar nga niveli lokal. Komuna e Istogut udhëhiqet nga Ilir Ferati i LDK-së.

Abdixhiku në statusin në Facebook ka hedhur edhe akuza drejt pushtetit, duke thënë se po e mbajnë “shtetin peng me tema të thata, përplot mllef e urrejtje”.

“Mirëmëngjesi nga Istogu! Nga Bjeshka e Moknës dhe rruga e re prej 19.1 kilometrave që po ndërtohet aty. Një koridor i ri turizmi, një model konkret i punës që vërtetë ka rëndësi! Dhe për këso politika e këso projekte ka nevojë vendi ynë. Temat e tjera të thata, përplot mllef e urrejtje, sharje e përplasje, po mbajnë shtetin e shoqërinë peng - tash e katër vjet. LDK ka tjetër vizion. Atë të zhvillimit, mirëqenies, punëve që lënë shenjë e mbahen në mend! Ky projekt, njëri nga plot të zhvilluar vetëm në nivel lokal, është i tillë!", ka shkruar Abdixhiku. 

Këtij postimit të Abdixhikut i replikoi zëvendësministri Durmishi, duke thënë se “Rruga e Moknës” është investim direkt i Qeverisë e jo projekt lokal. Durmishi e ka akuzuar kryetarin e LDK-së se edhe në Pejë vitin e kaluar ka marrë merita për punët e Qeverisë. Sipas Durmishit, në komunat ku udhëheq LDK-ja “nuk mund të gjeni projekte të tilla sa për të bërë foto”.

“Lumir mos mashtro! Që në mëngjes, nga Istogu, e nise ditën me mashtrime. Rruga e Moknës nuk është projekt lokal por komplet investim i ministrisë tonë. Edhe në Pejë e bëre të njëjtën gjë vitin e kaluar sikur sot në Istog.  Në komunat ku ju qeverisni nuk po mund t’a gjeni asnjë projekt të nivelit lokal për të bërë një foto a video, prandaj kudo që shkoni, investimet direkte të Qeverisë së Kosovës, po mundoheni që t’i paraqitni si projekte lokale”, ka shkruar Durmishi.

Zëvendësministri i Infrastrukturës tutje ka thënë se akuzat e opozitës se po i diskriminojnë komunat janë të pavërteta. Për këtë, ka përmendur investimet që thotë se Qeveria po i bën në Istog.

“Vazhdimisht ankoheni për mungesë të investimeve kapitale por kudo që shkoni i shihni projektet konkrete duke u realizuar në ato komuna. Ne nuk i diskriminojmë komunat. Nuk e diskriminojmë as Istogun. Mbi 10 milion euro investime po bëhen nga ministria e jonë në Istog dhe do të vazhdojmë me investime edhe në të ardhmen. Këtë po e bëjmë për qytetarët që të kenë më të lehtë zhvillimin e turizmit dhe më të lehtë e më të sigurtë lëvizjen në komunikacion. Mokna, Lugu i butë e zona të tjera në Istog do të bëhen vende të rëndësishme turistike për shkak të investimeve që po i bënë Qeveria e Kosovës, dhe këto punë të mira do t’i gëzoj edhe Lumiri dhe të gjithë qytetarët e Kosovës”, ka shkruar ai.

Më vonë gjatë ditës ka reaguar edhe kryetari i Istogut, Ilir Ferati. Ferati ka pretenduar se “projekti Mokna” është projektuar, mbikëqyret dhe menaxhohet nga Komuna. Gjithashtu ka shkruar se procedurat e prokurimit i ka bërë Komuna e Istogut.

“Faza e II-të e projektit “Ndërtimi i rrugës, Istog - Bjeshka e Moknes”. Jashtëzakonisht krenarë që përmes kësaj rruge po hapim shtigje të reja drejt zhvillimit të turizmit dhe ekonomisë në gjithë Kosovën. Ps: Për Durmishin&Co, Projekti Mokna i projektuar nga Komuna, mbikëqyrja e menaxhimi nga Komuna, procedurat e prokurimit që Komuna e Istogut bën për dallim prej jush rezultojnë në ekzekutim të shkëlqyeshëm në teren!  Të gatshëm jemi kurdo për t’ju ligjëruar se si punohet!  Fondet janë të taksapaguesve ( jo te VV-së) dhe tek ta po kthehen si zhvillim e përparësi!”, ka shkruar Ferati në Facebook.