Përplasjet politike në Kosovë në kohë të pandemisë nuk janë ndaluar. Situata në veri të Kosovës me koronavirusin Covid-19 ka bërë që të përplasen akterët politikë.
Mbrëmë dy komuna serbe në veri të Kosovës, Mitrovica e Veriut dhe ajo e Zveçanit, janë futur në karantinë me vendim të Shtabeve të Krizave të themeluara në këto dy komuna.
Sot gjatë ditës Policia e Kosovës dhe Karabinierët e Italisë janë vendosur tek ura e Ibrit në Mitrovicë, duke mos lejuar qytetarët të dalin në pjesën veriore.
Reagimet e para për këtë situatë erdhën nga kryetari i PDK-së Kadri Veseli, presidenti Hashim Thaçi e më vonë edhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës, të cilët përgjegjësinë ia hodhën Qeverisë në detyrë, megjithëse kjo e fundit tha se çdo veprim është marrë në koordinim me autoritetet lokale, raporton KOHA.
Presidenti Hashim Thaçi, tha se situata e krijuar me pandeminë në komunat e veriut të Kosovës është e papranueshme dhe po bëhet për shkak të neglizhencës së Qeverisë së Kosovës, tash në detyrë.
“Qeveria e Republikës së Kosovës nuk guxon të lejojë që komunat në pjesën veriore të Kosovës të funksionojnë jashtë kontrollit menaxhues të institucioneve dhe organeve kompetente për parandalimin e pandemisë COVID-19, duke iu krijuar kështu hapësirë ilegale vepruese autoriteteve të Serbisë brenda territorit të shtetit tonë”, ka shkruar Thaçi në Facebook.
Qeveria në detyrë e Kosovës, megjithatë konfirmoi se ka kontakte me zyrtarët e të dy komunave veriore.
Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, mbrëmjen e sotme mbajti konferencë për media nga ku konfirmoi se është në kontakt me autoritetet lokale në veri dhe se mban përgjegjësi për çdo veprim. Nga kjo konferencë, madje bëri thirrje të lihen anash dallimet politike.
“MSH-ja ka qenë në koordinim me autoritetet lokale në komunat veriore për çdo veprim, dhe jemi ende në koordinim me to, vendimi për karantimin të Mitrovicës së Veriut dhe Zveçanit, është marrë nga MSH-ja me koordinimin të plotë me autoritetet lokale. Unë marrë përgjegjësi nëse nuk është kështu. Të gjitha dallimet politike të lihen anash, primare është shëndeti i qytetarëve tanë, pa dallim do të ofrojmë ndihmën tonë në çdo cep të vendit”, theksoi Vitia.
Megjithëse nuk u sqarua se pse këto komuna vazhdojnë të aplikojnë masat e shtetit të Serbisë për ta luftuar korrupsionin, Vitia tha se së shpejti numrat e të prekurve me koronavirus në veri do të futen në listën e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës.
“Një pjesë e mostrave që janë realizuar më herët dhe që nuk janë realizuar në Prishtinë nuk janë regjistruar akoma por jemi në koordinim me autoritetet lokale të cilat do të dërgojnë numrin e saktë të personave të infektuar e më pas do të futen e update-ohen në të dhënat e reja që do të nxjerrë IKSHPK-ja”, tha Vitia.
Ushtruesi i Detyrës së ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla tha për KOHËN se Mitrovica e Veriut dhe Zveçanit janë futur në karantinë për shkak të 16 rasteve të konfirmuara me koronavirus, dhe se çdo veprim është në koordinim të plotë mes institucioneve qendrore (Ministrisë së Shëndetësisë) dhe autoriteteteve lokale.
“Policia e Kosovës është duke marrë të gjitha masat që kjo të zbatohet në plotni”, ka thënë ai për Kohën.
Por gjatë ditës, Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, në një konferencë të jashtëzakonshme për media tha se “Akti i djeshëm i Serbisë, e cila shtriu gjendjen e saj të jashtëzakonshme në pjesë të Kosovës, duke futur me direktiva të Beogradit në karantinë dhe ndarë nga pjesa tjetër e vendit, dy komunat e Republikës së Kosovës, Mitrovicën e Veriut dhe Zveçanin, është cenim i rëndë i sovranitetit”.
“Qeveria në detyrë përveç heshtjes ndaj kësaj situate, ka lënë veriun e vendit dhe tërë qytetaret shqiptarë dhe komuniteteve të tjera jo-serbe, në dorë të një shteti që as nuk i do dhe as nuk i mbron”, tha Veseli.
Por Qeveria e Kosovës në detyrë ka thënë se Ministria e Shëndetësisë është e përfshirë plotësisht në situatën emergjente në komunën veriore të Mitrovicës dhe në Zveçan. Këtë e ka thënë për KOHA-n zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.
“Ministria e Shëndetësisë është plotësisht e përfshirë në situatën e emergjente të shëndetit publik në komunën veriore të Mitrovicës Veriore dhe Zveçan. Ministri Vitia është në komunikim të rregullt dhe të vazhdueshëm me kryetarët dhe autoritetet përgjegjëse në këto komuna”, ka thënë Kryeziu.
Kritika ndaj Qeverisë në detyrë pati edhe Lidhja Demokratike e Kosovës.
Përmes një komunikate për media, LDK-ja tha se “situata në veriun e vendit, përveç problemeve me pandeminë po përkeqësohet edhe me ndërhyrjet e vazhdueshme të Beogradit”.
“Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) shpreh shqetësimin e saj se si vendimet e autoriteteve të Serbisë po zbatohen për vendosjen në karantinë të komunave në veri. Edhe më shqetësuese është fakti i heshtjes së Qeverisë së Kosovës përballë këtij ataku të drejtpërdrejt të sovranitetit të shtetit”, thuhet në reagimin e LDK-së.
Kufizimi i lëvizjes, në bazë të masave të Qeverisë në detyrë të Kosovës, është në fuqi nga ora 17 deri në orën 6 të mëngjesit, për çdo ditë.
Komuna e Mitrovicës së Veriut, që nga ora 18 e ditës së premte, më 3 prill, është në karantinë.
Deri tash, serbët nuk i kanë raportuar rastet me COVID-19 te institucionet e Kosovës. 3 raste kanë rezultuar pozitive, derisa ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, sonte tha se shumë shpejtë rastet e infektuara në veri do të regjistrohen në listën e IKSHPK-së.
Rreth tre kilometra nga qendra e Mitrovicës, Shtabi i krizës në komunën e Zveçanit ka vendosur edhe masat e ndalimit të lëvizjes për të gjithë qytetarët prej orës 13 të ditës së shtunë e deri në orën 5 të mëngjesit të ditës së hënë, masa këto që janë në fuqi edhe në Serbi.
Përçarjet në politikën kosovare nisën prej kur Lidhja Demokratike e Kosovës propozoi mocion mosbesimi, që më vonë u votua në Kuvendin e Kosovës, për ta rrëzuar Qeverinë Kurti, pjesë e së cilës ishte edhe vet.
Kritika të shumta pati edhe nga ndërkombëtarët të cilët bënë thirrje që të anashkalohen dallimet politike në këtë kohë të pandemisë.
Numri i të infektuarve me koronavirusin Covid-19 në Kosovë ka shkuar në 140, derisa 23 janë shëruar e 1 person ka vdekur.