Deputetët e partisë në pushtet, Eman Rrahmani dhe Visar Korenica, pritet të largohen nga Lëvizja Vetëvendosje dhe t’i bashkohen koalicionit Lista për Familjen të Aleancës Kosovare e Re (AKR) dhe Partisë së Drejtësisë (PD).
Këtë e ka bërë të ditur kryetari i PD-së, Ferid Agani, që tha se në emër të deputetit Rrahmani të martën (1 tetor) do të ftohet konferencë për media, ku do të prezantojnë edhe deputeti Korenica dhe zyrtarë të tjerë.
“Të nderuara media. Kemi kënaqësinë që në emër të deputetit Eman Rrahmani të ju ftojmë në konferencë për media. Të pranishëm në këtë ngjarje do të jenë edhe përfaqësuesit e AKR-së; PD-së me në krye prof. Dr. Ferid Aganin; grupi i intelektualëve dhe ekspertëve të prirë nga z. Fatmir Smajli, deputeti Visar Korenica si dhe figura të tjera të nderuara. Konferenca mbahet nesër, 1 tetor 2024, ditë e martë, ora 11:00, para hyrjes së Kuvendit të Republikës së Kosovës. Jeni të mirëpritur”, thuhet në njoftimin e Aganit për KOHËN.
KOHA ka pyetur Lëvizjen Vetëvendosje për këtë çështje, por e njëjta nuk është përgjigjur, e shefja e Grupit Parlamentar të kësaj partie, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se nuk ka informacion zyrtar.
“Zyrtarisht asnjë informatë nuk e kanë dhënë Visari apo Emani. Për këtë javë Visari më ka lajmëruar se do të jetë me angazhim familjar nëse ka seancë, por për largim asgjë”, ka thënë ajo për KOHËN.
Pyetje u janë dërguar edhe Rrahmanit e Korenicës për këtë çështje por dy deputetët qenë të paqasshëm që nga pasditja.
Ata janë në mesin e deputetëve që nuk votojnë pro Kodit Civil.