Arbëri

Kontratat njëburimore përplasin Aliun e Bajramin

Liburn Aliu në Kuvendin e Kosovës / 28.03.2024

Foto: Alban Bujari

Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, është përplasur me deputeten e LDK-së, Hykmete Bajrami, për çështjen e kontratave njëburimore gjatë seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit.

Aliu ka pretenduar se Ministria e udhëhequr prej tij nuk ka nënshkruar kontrata njëburimore, por aneks-kontrata për punë shtesë.

“Prapë në këtë seancë po më duket se nuk jam shumë subjekt i seancës. Nëse do t’i krahasonim përqindjet, Ministria jonë qoftë për nga vlera po del ministria me përformancën më të mirë. Nëse e krahasojmë me komunat, shumëfish më mirë. Ju i përmendët 56 kontrata njëburimore. Një kontratë njëburimore është, 56 janë aneks-kontrata për të njëjtën që shefi i GP të PDK-së e ngriti çështjen. Qysh është e mundur sa është saktë vlera e parashikuar me dalë edhe në kontrata. Pra kemi të bëjmë me punë shtesë dhe ankes-kontrata është kontratë për punë shtesë. Unë s’e kam problem hetimin. Në çështjen e ndërtimit nuk ka mundësi të mos ketë punë shtesë”, ka thënë Aliu.

Por deputetja e LDK-së ka thënë se s’është e rëndësishme a janë tenderët njëburimor, por që janë të negociuar.

“Ministër nuk e di sa je subjekt ose jo sepse kjo varet krejt qysh e ndjeni veten. Unë e di që përgjegjësinë e nënshkrimit të kontratave e keni nda me zëvendësin tuaj. Ajo që thuhet në listën e Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik është që përpos aneks-kontratave, ju keni nënshkruar kontrata për shembull me kompaninë ‘Bageri’ që zëvendësministri juaj ka punuar aty. Ministër, janë kontratat e negociuara nëse nuk janë njëburimore. Ka mundësi që nuk e keni thirr një operator ekonomik me negociu, por i keni thirr dy ose tre. Nuk keni bërë shpallje të tenderit që nënkupton në mesin e qindra operatorëve i ke zgjedh dy me negociu. I ke zgjedhur kompanitë që i njeh”, ka theksuar Bajrami.

Aliu më pas është akuzuar edhe nga deputeti i pavarur Haki Abazi, i cili ka thënë se Ministria e Infrastrukturës ka dhënë 30 milionë euro për zgjatjen e disa metrave të pistës së aeroportit.

Por ministri është shprehur se zgjatja e pistës është një projekt që është zvarritur me vite dhe ka qenë shumë i nevojshëm për Aeroportin e Prishtinës.

Lexo përditësimet tjera
Kuvendi i Kosovës

Pushteti pamundëson themelimin e komisionit hetimor për kontratat njëburimore

(E përditësuar në 13:00)  - Në mungesë të kuorumit ka dështuar të themelohet komisioni hetimor për...