Arbëri

Kontestohet vendimi i OSHP-së ku fituese është kompania e zv.drejtorit të AQP-së

Organi Shqyrtues i Prokurimit i ka hedhur poshtë ankesat e dy operatorëve ekonomikë për tenderin e QKUK-së, në të cilën fitues është Grupi i OE-ve, pjesë e të cilit është edhe kompania e zëvendësuesit të drejtorit të Agjencisë Qendrore të Prokurimit, Behgjet Rrukiqi. Operatorët ekonomikë thonë se QKUK-ja dhe OSHP-ja nuk i kanë marrë parasysh faktet që, sipas tyre, dëshmojnë se kompania fituese ka prezantuar dokumente të falsifikuara. Zyrtarët e OSHP-së e të konsorciumit fitues nuk kanë dashur të komentojnë lidhur me akuzat, ndërsa OE-të kanë paralajmëruar se do t’i drejtohen gjykatës dhe ndaj një anëtari të OSHP-së kanë thënë se do të ushtrojnë kallëzim penal

Dy operatorë ekonomikë do ta kontestojnë në gjykatë vendimin e Organit Shqyrtues të Prokurimit lidhur me tenderin ku është shpallë fitues Grupi i operatorëve ekonomikë, pjesë e të cilit është edhe kompania e zëvendësuesit të drejtorit të Agjencisë Qendrore të Prokurimit, Behgjet Rrukiqi. Përfaqësuesit e OE ankues “Limit Project” Sh.P.K. kanë thënë se ky aktivitet i prokurimit, që ka për qëllim ndërtimin e objektit për klinikat Nefrologji dhe Hemato-Onkologji, ka pasur shkelje, ndërrime të komisioneve të vlerësimit, gjë që, sipas tyre, përbën shkelje ligjore.

“Ne kemi dorëzuar dëshminë e komunikimit me Autoritetin Kombëtar të Kualifikimeve, për të konfirmuar që Certifikatat për kualifikimin e teknikëve të saldimit të dorëzuara nga OE, me të cilat është shpallur fitues nga ana e AK-së, nuk janë të akredituara dhe defakto kanë vlerë nul. Dhe çuditërisht AK, në vend që të diskualifikonte OE në fjalë dhe të niste procedurën për futjen në listë të zezë, vazhdon njëjtë pa u lodhur për konfirmimin zyrtar të cilin e kemi dorëzuar. Më e keqja është se edhe Paneli Shqyrtues i OSHP e ka pranuar një dokument të tillë si të vlefshëm”, thuhet në përgjigjet e Kompanisë “Limit Project”. “Element shumë i rëndësishëm është që pas kërkesave për rishqyrtim, Autoriteti Kontraktues as nuk është lodhur të merret me pretendimet tona, por i paraqet arsyet e njëjta siç kanë qenë në eliminimin tonë, për çka, mostrajtimi i pretendimeve tona është shkelje e ligjit të prokurimit dhe është edhe një prej arsyeve të cilat OSHP-ja shumë vendime i kthen në rivlerësim, sepse mostrajtimi i pretendimeve ankimore është shkelje e Ligjit të prokurimit”.

Zyrtarët e kësaj kompanie pretendojnë se OSHP-ja i pranoi si të mirëqena dokumente që, sipas tyre, janë të falsifikuara.

“Nëse edhe me gjithë këto shkelje, Paneli Shqyrtues i OSHP-së merr vendim mbi refuzimin e ankesës tonë, dhe lejon AK-në të shpallë fituese një kompani e cila nuk i përmbushë kërkesat e Dosjes së Tenderit të cilat vetë AK i ka vendosur, mbi të gjitha ta marrë të mirëqenë dokumentet që realisht mund të konsiderohen të falsifikuara”.

Joprofesional e skandaloz, vendimin e OSHP-së, e kanë vlerësuar edhe përfaqësuesit e Kompanisë “H&B Conculting”.

“Vendimi i OShP-së është joprofesional dhe skandaloz! Për shkeljet ligjore do t’i drejtohemi Gjykatës dhe Prokurorisë brenda afatit të rregullt kohor, ku avokati i kompanisë tonë është duke i përmbledhur të gjitha shkeljet e OShP-së dhe duke e kompletuar lëndën”, thuhet në përgjigjet e Kompanisë “H & B Consulting”. “Marrja e vendimit jashtë afatit ligjor, si dhe tejzgjatja e këtij aktiviteti të prokurimit duke mos i marrë parasysh faktet dhe argumentet e prezantuara në ankesë si dhe rrjedha e tërë këtij procesi, na bëjnë të dyshojmë se ka pasur ndikim të hapur në vendimarrje. Përveç kësaj në seancën dëgjimore z.Vedat Poterqoi është prezentuar si kryetar (kryesues) i Panelit shqyrtues, ndërsa vendimi është nënshkruar nga z.Isa Hasani si kryetar (kryesues) i Panelit, kjo në thelb e përben vetë shkeljen”.

Akuza ndaj Poterqoit kanë adresuar edhe nga Kompania “Limit Project”, të cilët ndaj tij kanë paralajmëruar edhe kallëzim penal.

“Anëtarët e Bordit të OSHP-së, konkretisht Vedat Poterqoi nuk është hera e parë që marrin vendime arbitrare në favorizim të disa operatorëve e konkretisht në dëmtimin e kompanisë tonë. Vedat Peterqoi dyshojmë se na dëmton dhe vendosë pa iu bërë vonë për ligjet, duke e konsideruar veten mbi ligjin. Ne do t’u drejtohemi institucioneve relevante dhe do të ankimojmë këtë vendim, gjithashtu ndaj personit në fjalë, do të ushtrojmë kallëzim penal”, kanë thënë zyrtarët e Kompanisë “Limit Project”.

E, vetë Poterqoi i ka mohuar akuzat e operatorëve ekonomikë ankues.

““Jemi duke u munduar ta japim maksimumin që të punojmë mirë, edhe ato vendime definitivisht janë në mënyrë profesionale dhe janë të gjitha të argumentuara me fakte, prova edhe në ligj, edhe janë të mbështetura edhe me ekspertë, edhe me Autoritet Kontraktues, edhe me të gjitha”, ka thënë Poterqoi.

Edhe në përgjigjet e OSHP-së thuhet se të gjitha pretendimet ankimore të OE-ve ankues janë trajtuar nga Eksperti shqyrtues dhe Paneli shqyrtues dhe vendimi është marrë bazuar në fakte.

“OSHP ju sqaron, se të gjitha pretendimet ankimore të OE-ve ankues janë trajtuar nga Eksperti shqyrtues dhe Paneli shqyrtues sipas rekomandimit ka marr vendim duke argumentuar me fakte te gjitha pretendimet, prandaj ne nuk komentojmë asnjë gjë, sepse për këtë çështje tani më ekziston vendimi i panelit shqyrtues: OSHP: 2023/0701 OSHP:2023/0706, i datës 29/12/2023, vendim ky i dërguar tek palët dhe i publikuar në web të OSHP-së”, thuhet në përgjigjet e OSHP-së.

Lidhur me pretendimet e Kompanisë “Limit Project” se fituesi i këtij tenderi ka paraqitur certifikata për saldues nga një kompani që nuk është e akredituar nga Autoriteti Kombëtar i Kualifikimeve, përfaqësuesit e Kompanisë “Euro-Services”, ku është pronar Behgjet Rrukiqi, kanë kërkuar që për këtë të pyetet lideri i grupit. E pronari i “AAG Projekt”, Bajram Beqiraj, nëpërmjet telefonit ka thënë se është në pushim mjekësor dhe ka kërkuar që të mos kontaktohet më.

Për këtë KOHA u ka dërguar pyetje edhe Autoritetit Kombëtar të Kualifikimeve nga data 4 janar, por ende nuk ka marrë përgjigje.

Edhe gjatë vitit të kaluar KOHA ka raportuar se si zëvendësuesi i Agjencisë Qendrore të Prokurimit, Behgjet Rrukiqi, pak muaj pasi e kishte marrë pronësinë në “Euro-Services”, kjo kompani ishte rekomanduar për kontratë në dy tenderë të QKUK-së në vlerë afro 5 milionë euro.

LEXO EDHE: